LAJMI I FUNDIT:

Emërtimet në Kosovë

Deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, disa qytete të madha të sotme si Prishtina, Mitrovica dhe Gjilani ishin Prefektura, si qendra administrative me disa nën-prefektura apo me disa njësi komunale të këtyre rajoneve. Në atë kohë bënin pjesë edhe disa lokalitete, vendbanime dhe që sot janë pjesë e Komunës së Medvegjës, Bujanocit, Preshevës e Kumanovës. Kosova lirin e gëzon në saje të sakrificës edhe të neve shqiptarëve nga e gjithë hapësira e dikurshme e ish-ngrehinës artificial të quajtur Jugosllavi. Në këto tri qytete të cekura më lartë kemi shumë banorë të ardhur nga hapësira jashtë kufirit të sotëm administrativ të Kosovës. Kemi lagje të tëra që janë të populluara nga kjo kategori banorësh, ku jo vetëm lagja e shkolla nuk bartin emërtime, por as rrugë e rrugica nuk kemi që bartin emërtime nga ajo krahinë shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë.

Duhet vënë emërtime nëpër institucione publike, në muralet e dëshmorëve, të shesheve, rrugëve dhe bulevardeve, të vendosen buste lapidar dhe shtatore nga personalitete që e meritojnë, por që vijnë nga pjesët tjera shqiptare jashtë Kosovës së sotme administrative. Kuvendet Komunale të shpallin qytetarë nderi edhe personalitete nga hapësira tjera, që është ende në jetë dhe pas vdekjes (post mortum), si ndonjë falënderim, dekoratë apo mirënjohje. Po ashtu Parlamenti i Kosovës t’ua njoh meritat të shumë dëshmorëve, figurave dhe personaliteteve të dëshmuara në fusha të ndryshme, por edhe që kanë sakrifikuar për lirin dhe pavarësinë e Kosovës.


Liria dhe Pavarësia e Kosovë ka ardhur në saje të sakrificës të gjithë shqiptarëve anekënd botës, natyrisht me theks të veçantë të shqiptarëve në Kosovë, por edhe nga e tërë hapësira e dikurshme e ish ngrehinës artificiale të quajtur – Jugosllavi. P.sh. qyteti i Gjilani është qendër e Anamoravës por edhe gjendet në një trekëndësh dhe kufizohet me krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë dhe zonën e Kumanovës. Sepse në Gjilan kemi të ardhur gjatë periudhave shekullore të historisë si pasoj e dhunës, dëbimit dhe shpërnguljes që ka bërë Serbia kundër shqiptarëve. Andaj në Gjilan janë ndalur një pjesë e madhe e shqiptarëve të shprëngulur me dhunë nga trojet e tyre nën administrimin e Serbisë. Gjilani pasi është qendër komunale dhe e Anamoravës, rëndësia është të bartë dhe të emërtojë sa më shumë institucione në saj të këtyre fakteve. Por përkujdesje duhet të ketë edhe Prishtina, si kryeqytet i Kosovës dhe si qendër e shqiptarëve në ish – Jugosllavi.

Në të ardhmen emërtim të sheshit apo institucioni me emër si p.sh:
1. Martirët e Medvegjës,
2. Dëshmorët e Preshevës,
3. Lufta e Bujanocit,
4. Kumanova,
5. Karadaku i Preshevës,
6. Malësia e Bujanocit,
7. Beteja e Konçulit,
8. Mbijetesa e Gollakut,
9. Lufta Sfircës,
10. Trimat e Ramabajës.
11. Dëshmori i Kombit, Lamë Breznica,
12. Dëshmori i Kombit Ridvan Qazimi-Lleshi, luftëtarë i çështjes shqiptare
13 Dëshmori i Kombit, Sylë Zarbica
14. Dëshmorët e Plavës
15. Gucia,
16. Ulqini,
17. Tivari …

Pa dashur të kontestojmë asnjë emërtim në Kosovë, duhet thënë e vërteta se ndihet mungesa me emra nga Krahina shqiptare e mbetur nën Serbi dhe zona e pjesës së Kumanovës. Duhet të merren parasysh karakteristikat dhe veçorit e secilit qytetar në Kosovë si p.sh: Peja duhet të bartë emërtime nga hapësirat e shqiptare të Malit të Zi; Mitrovica duhet të bartë emërtime nga trimëria, tradita dhe sakrifica e shqiptarëve nga rajoni i Novi Pazarit, Sjenica dhe Tutini; kurse Gjilani të bartë dhe emërtime sa më shumë nga Medvegja, Bujanoci, Presheva, pse jo edhe nga hapësira tjetër e trojeve të dikurshme si p.sh. Molla e Kuqe. Po ashtu Gjilani duhet, e ka obligim moral, kombëtar dhe institucional të emërtojë rrugë e institucione me emra të shqiptarëve të zonës së Kumanovës.

Tri qendrat shqiptare si kryeqytete: Prishtina, Tirana dhe Shkupi duhet t’i përfaqësojnë të gjitha komunat, zonat dhe rajonet e tërë hapësirave tona etnike shqiptare që sa më shumë institucione shkollore, rrugë, sheshe dhe bulevarde të bartin kuptime, domethënie, vendbanime dhe me emra veprimtarësh, personalitetesh dhe figurave historike të dëshmuara të kombit. Sepse ne kështu do t’i vlerësojmë më shumë dhe do të mburremi me trimërinë, patriotizmin, angazhimin politik dhe aftësitë e tyre organizative në shumë fusha. Vlerësimi dhe vendimi për emërtime të merret në saje të këtyre atributeve dhe jo në bazë të reagimeve dhe kundërshtive të individëve të caktuar.

Institucione tjera publike, do të duhej të emërtohen si:
1. Akademiku Idriz Ajeti, vetëm nëse është pengesë pasi ende është gjallë,
2. Dëshmorët e UÇPMB-së ,
3. Veli Dede, Gjenerali që shërbeu në Ushtrinë Shqiptare, por ishte nga Komuna e Medvegjës,
4. Hasan Masurica, mësues, inovatori dhe shkencëtari që testoi avionin e parë në gjithë globin.
Po ashtu Lagje do të duhej të emërtohen me emra si: Lagja e Muhaxhirëve, Medvegja, Bujanoci, Presheva, etj.

Ju kujtojmë që vetëm pas qershorit 1999 deri në fund të vitit 2002 sipas evidencës të konfirmuar edhe nga UNHCR-i vetëm në Komunën e Gjilanit janë të vendosur si të dëbuar, zhvendosur nga Komuna e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës 11 mijë e 783 banorë.

Prandaj për fund, Prishtina, Shkupi dhe Tirana, për të ditur edhe më mirë vlerën dhe çmimin e pavarësisë, duhet të bartin emërtime:
– Në muralet e kodrës së dëshmorëve,
– Në institucione publike,
– Të shesheve, rrugëve dhe bulevardeve,
– Të vendosen buste, lapidar dhe shtatore të personaliteteve që e meritojnë, por që vijnë nga pjesët tjera shqiptare jashtë Kosovës së sotme administrative.
– Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë po ashtu tua njoh meritat të shumë dëshmorëve dhe njerëzve që kanë sakrifikuar për lirin dhe pavarësinë e Kosovës.

(Autori është Prof. i Ekonomisë dhe publicist nga Krahina shqiptare e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë)