LAJMI I FUNDIT:

Elektro Privreda, i shkakton humbje të mëdha KEK-ut

Elektro Privreda, i shkakton humbje të mëdha KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pëson rreth dy milionë euro në muaj humbje nga një kyçje që i është mundësuar korporatës energjetike serbe “Elektro Privreda” në nënstacionin e KEK-ut në Vallaq. Kjo ka bërë që veriu i Kosovës dhe një pjesë e Serbisë të marrin rrymën e Kosovës dhe ta faturojnë në Serbi, theksojnë udhëheqësit e KEK-ut. Sipas tyre, rryma të cilën banorët e veriut të Kosovës e marrin nga termocentralet e KEK-ut, faturohet nga kompania serbe.

Kompania serbe EPS-së në janar të këtij vitit është zbuluar se është kyçur në sistemin energjetik të Kosovës. Këtë kyçje sipas KEK-ut e ka mundësuar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) me lejen e dy ish ministrave kosovar- asaj të energjisë Justina Pula dhe atij të Ekonomisë e Financave në atë kohë Ahmet Shala.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj thotë se bëhet fjalë për kontrabandim të rrymës nëpërmjet një ri-kyçje që ka bërë paligjshëm KOSTT-i. “Si e kanë realizuar ata unë nuk e di. Unë kam kërkuar sqarim. Ka qenë marrëveshje me KOSTT që ne të pyetemi dhe të dimë këtë. Nëse i humbi 2.1 milionë kam të drejtë të kërkoj kush e ka bërë këtë. E them haptas nuk kam çka ta fsheh, kjo është bërë ilegal”, tha Gjukaj për Radio Kosovën.

Kyçja është bërë në dy linjat 110 kilovoltëshe në nënstacionin e Vallaqit. Prej kësaj 85 megavat shkojnë pa paguar nga jugu në veri përmes linjës 155. Në këtë mënyrë 50 megavat janë rrymë që i jepen EPS në mënyrë të paligjshme.


Në shpjegimin e Gjukës bëhet fjalë për një kontrabandim të rrymës dhe nuk sqarohet arsyetimi i kësaj kyçje të operatorit serb. Pikërisht për të sqaruar bazën ligjore të kësaj ai në janar të këtij viti u ishte drejtuar përmes një letre, një kopje të së cilës ka arritur të siguroj edhe Radio Kosova autoriteteve më të larta të vendit.

Në këtë letër Gjuka kërkon sqarim nga autoritetet më të larta të qeverisë se mbi çfarë baze ligjore 50 megavat i jepen korporatës serbe. Por ai thotë se nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa njeriu që i kishte mundësuar këtë kyçje EPS-së, drejtori i KOSTT, Fadil Ismaili pranon se është bërë kyçja e elektro Privedës në emër të furnizimit të konsumatorëve në veri. Por ai nuk sqaron mbi çfarë baze ligjore e ka bërë këtë veprim të njëanshëm. “Në aspektin KOSTT-it gjithçka është në rregull. Kjo që jeni duke hulumtuar nuk është ‘case’. Është dashtë të ri-kyçen se kanë pasur probleme në linja. Pse nuk i shkyçim është se ata këtë po e kërkojnë, të shkojnë në OKB me thënë na kanë shkëput. Thjeshtë në Mitrovicë rryma po vjedhët”, tha Ismaili.

Por kjo që Ismaili e quan vjedhje, është rryma që pikërisht ai ka mundësuar për t’u kyçur dhe faturuar EPS. Në përgjigjen e Ismailit jepen versione të ndryshme që nuk përkojnë njëra me tjetrën. Kjo ngase serbët janë ri-kyçur, por jo në këto linja dhe gjithashtu nënstacioni i Vallaqit komandohet nga elektro-komanduesi në TC “Kosova A” në qendër. Kurse balancimi është çështje që rryma kthehet dhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për kthim.

Ndërsa për atë se EPS-ja merr rrymën e Kosovës dhe e faturon si të veten ai thotë se nuk është punë e tij.

Në drejtorinë e EPS-së në Beograd nuk kanë pranuar të flasin për këtë kyçje. Ndërsa ish-ministrja e Energjisë, Justina Pula e cila ishte informuar së pari për këtë çështje kishte heshtur ndaj kësaj humbje duke mos e adresuar atë sipas ligjit. “Kjo çështje na është adresuar. Por ne kemi kërkuar në atë kohë që ky problem të zgjidhet mes KEK-ut e KOSTT-it, sepse nuk ka qenë kompetencë e ministrisë kjo”, ka thënë Pula .

Ish-ministrja, e cila siç mësohet nga korrespodencat e saj heshtur ka dhënë pëlqimin për këtë, tani thotë se ky është problem midis KEK-ut dhe KOSTT-it të cilin duhet ta zgjidh bordi për menaxhimin ndërmarrjeve publike. Por këta të fundit thonë të kundërtën.

Sipas drejtorit të departamentit për monitorimin e ndërmarrjeve publike, Ramadan Sejdiu KOSTT dhe KEK-u i kanë të qartësuara kompetencat me ligjin e ndërmarrjeve publike dhe për secilin kontest midis tyre duhet t’i drejtohen gjykatës.

Ndërsa ish-ministri Ahmet Shala, nën autoritetin e të cilit ka qenë menaxhimi i ndërmarrjeve publike nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

KEK nuk i është drejtuar Gjykatës deri më tani duke e konsideruar humbjen e 2.1 milionë eurove një çështje që duhet të zgjidhet në mënyrë interne. Dhe derisa përgjigja për bazën ligjore të kësaj çështje të gjendet apo adresohet korporata serbe vazhdon të faturoj rrymën e marr me leje të autoriteteve kosovare. /Telegrafi/