LAJMI I FUNDIT:

Efekti i pan-sllavizmit fashist maqedon

Efekti i pan-sllavizmit fashist maqedon

“Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin vetëveten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedone që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”.

Ky paragraf është nxjerrë nga libri ‘Gjeografia e Republikës së Maqedonisë’ që është tekst shkollor për nxënësit e vitit të dytë të gjimnazeve. Një paragraf paraprijës bënë me dije se shqiptarët e Maqedonisë sot janë gegë (90 për qind) që në këtë vend kanë ardhur nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë, kurse toskët (10 për qind) kanë ardhur nga jugu i Shqipërisë.


Me fjalë tjera, në Maqedoni para ardhjes së otomanëve nuk ka pasur shqiptarë. Sot ka, por libri e ‘shpjegon’ se nga kanë ardhur ata në këtë vend. Pra, shqiptarët e sotëm nuk janë autoktonë dhe se janë të krijuar nga regjimi otoman që i ka islamizuar sllavët, duke aluduar në maqedonët, dhe disa tjerë me dhunë për të krijuar shqiptarët, numri i të cilit, pastaj, është shtuar me ata që kanë ardhur nga Kosova dhe Shqipëria.

Natyrisht që ky nuk është shpjegim shkencor për shkak se ka qëllim tjetër dhe kjo nuk është hera e parë që ndodhë kjo gjë skandaloze në Maqedoni. Ky shpjegim është tërësisht i një fashizmi pan-sllav maqedon, qëllimi i të cilit dihet. Merreni me mend, autorët e librit janë të gjithë maqedonë, edhe hej, janë doktorë shkencash. Aq thellë është prezenca pan-sllave në shkencë, në këtë rast të Maqedonisë, sa që është më shumë se gërditëse. Njerëzit e këtij mesi marrin tituj shkencorë, por nuk arrijnë të arsimohen e të bëhen intelektualë dhe ta largojnë urrejtjen. Ata nuk e bëjnë këtë për shkak se janë të angazhuar në një program të vjetër, i cili nuk i duron shqiptarët në Ballkan. Ky qëndrim që shihet në këtë libër është vazhdimësi e forcimit të qenies maqedone dhe dëmtimit për zhdukje të asaj shqiptare. Prandaj, libri është më shumë se sa vajtim për dëmtimin e efektit të ortodoksisë pan-sllave.

Por, ky libër, i ribotuar katër herë, flet edhe për një të keqe tjetër, ndoshta më të madhe. Redaktori i këtij libri është shqiptar. Merreni me mend, redaktori ka lejuar që një tekst i këtillë të lejohet për botim. Dhe, mos harroni që qeveritë e Maqedonisë, vazhdimisht përbëhen nga shqiptarët dhe disa nga ministritë, siç është ajo e Arsimit, edhe janë udhëhequr nga shqiptarët.

Por, shqiptarët nuk kanë kohë të merren me këto punë. Ata janë të zënë me parulla të kota patriotike dhe duke i mbushur xhepat me para. Mu ashtu siç e do pan-sllavizmi.