LAJMI I FUNDIT:

Dy atllarë me një mullar nuk lidhen

Në pazarin politik nuk ka ndonjë risi. Trendi i shitblerjes së lojtarëve politikë nuk ngjallë shpresat se do të rritet cilësia e jetës së qytetarëve, ata edhe ashtu janë të përcaktuar të paguajnë detyrimet e tyre, të votojnë kur të vije koha, dhe aty mbaron angazhimi 4 vjeçar. Kjo lojë luhet një kohë të gjatë.

Mentaliteti korruptiv që është përhapur në mënyrë kolektive menjëherw pas instalimit të UNMIK-ut në Kosovë, ka arritur majwn e "Icebergut" – mal akulli (Forma nën ujë është vështirë të gjykohet nga pjesa e epërme e sipërfaqes.


Nga ky fenomen ka pasuar fjala "Iceberg" apo "eisberg", e cila shpjegon një problem apo vështirësi, që do të thotw problemi i dukshëm është manifestim i vogël i një problem më të madh; shembull-shpjegim: Për shkak se dendësia e akullit të pastër është rreth 920 kg/m³, dhe se e ujit të detit rreth 1025 kg/m³, atëherë zakonisht vetëm një e dhjeta e volumit e një ajsbergu është mbi ujë, dhe atë duke filluar nga koka.

Gjendja ka arritur në atë shkallë kur për çdo shërbim duhet stërpaguar. Nëse nuk eliminohen nga skena politike ata të cilët lidhen më këtë klasë "institucionale" që është infektuar nga ky realitet i dhimbshëm që bllokon ecurinë graduale të vendit përpara, atëherë çdo përpjekje drejt zhvillimit është e kotë.

Nëse qeveria i ka shpallur tolerancë zero korrupsionit pse nuk pushojnë pas grilave të gjithë ata të cilët janë kapur në flagrancë, pavarësisht nga detyra që ushtrojnë, dhe nga partia në të cilën janë pjesëmarrës. Ndryshe besimi midis popullit dhe bartësve të institucioneve do të jetë në luhatje.

Janë të kota kërkesat për reforma partiake, kritikat që shtrohen janë vetëm humbje kohe. Është i pazakontë ky përkushtim i "dijetarëve" politikë të cilët e vejnë veten në pozitë të ideologëve, meqë kjo është çështje e ngushtë partiake, dhe fundja nuk ka ndonjë rëndësi a do të reformohet (lëvizja e kuadrove, ashtu gabimisht mendohet reforma) ndonjë nga partitë e preferuara, është shumë më e rëndësishme që të ketë stabilitet institucional, ngase qëllimi i partive është marrja e pushtetit, nuk ka ndonjë qëllim tjetër.

Çështja e reformës është koncept shumë më i gjerë dhe përligj modelet për avancimin e sistemit të qeverisjes dhe pa një sistem të shëndoshë të drejtësisë i cili duhet të reformohet patjetër, duke bërë ndërrime të pashmangshme kadrovike, po ashtu edhe ai i ekonomisë, duke u manifestuar me uljen e taksave, uljen e çmimeve të shportës, rritjen e pagave…

Këto janë çështje shumë më të rëndësishme sesa debatet për reforma të ndonjërës nga partitë, dmth. objektiv por edhe përkushtim duhet të mbetet avancimi i sistemit politik, si dhe rritja e përgjegjësisë kushtetuese të institucioneve të zgjedhura; rritja e autonomisë vendimmarrëse dhe buxhetore të resoreve ministrore, duke përfshirë edhe pavarësimin institucional të institucioneve legjislative dhe të drejtësisë, funksionimin sa më të përshpejtuar të Gjykatës Kushtetuese.

Është keq që shumë anëtarë që aspirojnë të ndërtojnë karrierë të thirren në humanizmin dhe demokratizimin Rugovian, që fare nuk përputhet me atë që deklarojnë, ata janë më tepër agjitatorë të pakursyer politikë të cilët nuk kanë vlera vetjake, së paku liderët do të duhej të kenë reputacionin e intelektualit, biznesmenit, aktivistit të pakursyer në terren, si pra mund të priten reforma?

Demokratizmi Rugovian në përcaktimin dhe zhvillimin e kursit politik, ishte pjesë përbërëse e angazhimit dhe humanizmit në kushtet më të egra të jetesës dhe të luftës; zemërgjerësia dhe elasticiteti në afrimin e shtresave të gjëra, të formacioneve politike, ideologjike, fetare dhe në çdo pikëpamje të një bashkësie të gjerë shoqërore, ishin këto parime të cilat në paqe mund të realizohen më fuqishëm, më frytshëm dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

Dhe nëse ashtu thuhet, ndërsa me syrin tjetër ai shikohej si një "i mjerë" të cilit i shkruhet "ode" (burimi: Dictionary.com: një poemë lirike zakonisht e përpunuar ose e parregullt në vargje, formë ekspresive që zgjon emocion entuziazmi; një poemë që ka për qëllim të realizohet si këngë) atëherë ajo kalon në perversion moral.

T’i bashkëngjitësh kombit tash (po ndodhë që ndonjë "patriot" edhe pse me emocione atdhetare disi sipas traditës ishte shpesh në afërsi me pushtetin-policor atëherë, të përgatitur për çfarëdo ndëshkimi nëse kishin si mbulesë ideologjike-kombin politik-ashtu siç po shprehen tash së fundi "urtakët" politikë ) është kënaqësi e vërtetë, tash është kafshatë e ëmbël dhe çdo banalitet fiton një kuptim më të gjerë.

Në kuadër të ideologjisë së re pa ndonjë ndjenjë fajësie, mund edhe të kryen shumë të këqija, ngase "bashkësia e atdheut" të liron nga të gjitha shtrëngesat, për atë edhe shumë "atdhetarë" kanë gjetur strehë mbi të cilën është ndërtuar miti për shtetin dhe miti për ata vet, si luftëtarë, humanist, pushtetarë, "kapitalistë liberal"…, derisa pasuesit kënaqen në nacionalizmin e kafeneve, shpesh të dehur dhe vulgar, të veçuar me llagape të kafeneve të cilat i vizitojnë për të mbajtur edhe "mbledhje të rëndësishme"; nuk dijë pse ndonjëri nga ata që quhet "Grupi i Gorenjes" nuk reagoi kur shtypi vendor i fotografojë dhe i lakojë me atë ofiq.

Sa janë të vlefshme krahasimet e tilla kur me "agjitacion e propagandë" sulmohej idealisti Demaçi, atij i vihej barra e rëndë e marksistit të devotshëm pa pasur të drejtën e evoluimit kohor, çështja ishte që Kosova atëherë por deri diku edhe tash (e reformuar) mbulohej me dy alternativa; komunizmin jugosllav dhe atë shqiptar. Nuk kishte modele tjera, deri sa filloi të ndryshojë terminologjia politike, ajo e centralizmit demokratik, vetëqeverisjes, që ishin modele fazore, dhe ato zhvilloheshin pas çdo demonstrimi të vrullshëm të qytetarëve.

Kështu pra ndërroheshin konceptet për ndryshime dhe reforma, le ta emërojnë si të duan, por kjo në thelb ishte lëvizja shqiptare për më shumë demokraci, për përzgjedhjen e përfaqësuesve të njëmendët të popullit. Dhe që nga atëherë konsiderohej viktimizimi i Demaçit si akt i guximit politik, dhe shumë më tepër si gjest i moralit të lartë; viktimizim për shqiptarizëm, literatura e të cilit lexohej dhe shtrihej në rrugë nëntoke si literaturë e ndaluar.

Sigurisht që libri i tij nuk arriti të lexohej nën dritën e diellit, atëherë, mirëpo miti i autorit rritej, ashtu si e të gjithë atyre që më vonë ranë në altarin e lirisë, që nga Murat Mehmeti, dëshmori i demokracisë së 68′, atëherë kur filloi të lëkundet ish-Jugosllavia, kur Kosova fitoi Universitetin, kur Kosova më vonë ngriti nivelin e qeverisjes me Kushtetutën e 74′ që krijoi parakushtet për pavarësinë e sotme të mbikëqyrur të njohur nga 58 shtete (asnjë qeveritari, bile i nivelit lokal, nuk i kujtohet-bile një herë në vjet, të vizitojë familjen e tij) e deri te familja e Jasharëve-një familje, një ushtri.

Pikërisht në një situatë të re kur kanë filluar të bëhen më të zëshëm qeveritarët për të vazhduar procesin e filluar të privatizimit, i cili nuk dha rezultatet e pritura, përkundrazi po shton kokëdhembjet e familjarëve të ish- punësuarve, tash të papunë, të cilët bile nuk pritnin fundin e muajit me skepticizmin e një ekzistence të mjerë familjare.

Sindikata e ndodhur në senduiç në mes të kërkesave gjithnjë e më radikale të anëtarësisë së gjerë por edhe të presionit qeveritar për qetësi sociale, duke "kuptuar" situatën e mjeteve buxhetore kryesia e saj ka zgjedhur paqen sociale të mirëkuptimit. Nuk di si e kuptojnë lëvizjen sindikale ata (?), vetëm si formë të demonstrimit në rrugë, apo si kërkesë për ndryshime ligjesh, ngritje ankesash përmes avokatit të saj; është i dëmshëm modeli i deritanishëm i përfaqësimit përmes delegatit pa ndonjë platform të qartë të shprehjes së dëshirave.

Është e rëndësishme që në këtë periudhë klasa politike aktuale e Kosovës dhe të gjithë ata politikanë që aspirojnë ne te, të krijojnë identitetin e tyre të pavarur duke mos u dhënë hapësirë personalizimit të raporteve të dyshes Thaçi-Haradinaj. Dhe të japin hapur dhe qartë zërin e tyre brenda institucioneve të sistemit qe mos të eksperimentohet me fatet e popullit shqiptar. Duke parë se po afrohen zgjedhjet lokale, ato janë të rëndësishme si për Kosovën edhe për të ardhmen e saj në BE, duhet që këto zgjedhje të jenë sa më të pastra dhe demokratike dhe sa më pak emocionale.

Shpresojmë se kjo do të arrihet dhe që më në fund politika kosovare te futet ne rrjedhën normale të demokracisë. Fundja Thaçi e Haradinaj janë ata që kanë meritat e dështimet e tyre, fundja me këtë dyshe ka arritur të dinamizohet jeta politike në Kosovë, pozitë e opozitë, se a është e drejtë të kalohet koha duke i drejtuar kritikat ndaj tyre mbetet të shihet, por nëse ndodhë kjo atëherë klasa politike e elita intelektuale dhe politike shqiptare është foshnjarake, e dogmatizuar për të mos thënë inekzistente.

Edhe pse AAK-ja ka filluar të lëkund koalicionin e dy partive kryesore në koalicion nuk arriti të promovojë ofertën e saj të qartë. Kriticizmi i bazuar kundër koalicionit qeverisës për mosprojektimin e planit qeveritar, të përmbledhur në një program masash me prioritete po bëhet disi i pranueshëm, por mos shpalosja e ofertës së AAK-së për votuesit se cili do të jetë koncepti qeverisës më i ndryshëm se i tashmi, po mbetet i mangët. Nëse mendohet që qeverisja ndryshon me vetëm ndërrimin e mandatarit atëherë votuesit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të largohet nga kutitë e votimit.

Është e vërtetë se me ministrat me të cilët ka qeverisur AAK-ja nuk do të arrihet ndonjë sukses, përkundrazi situata do të përkeqësohet, meqë ata janë të përfolur për afera korruptive. Mendoj se karta e vetme që i mbetet Haradinajt është ajo e bashkëpunimit me të gjitha subjektet politike dhe kujdesi për një qeverisje më kredibile, e pajisur jo me "tituj shkencor" sa me një biografi joshëse të punës profesionale.

Patjetër duhet të ndryshojë edhe retorika zgjedhore, në atë mënyrë që ka të bëj me hetimin e fenomeneve, proceseve dhe problemeve, të tilla si bruto produkti kombëtar, të ardhurat, konsumi, kursimet, investimet, zhvillimi ekonomik, reproduksioni, bilanci i pagesave, lëvizjet ciklike të ekonomisë, të buxhetit, politika monetare dhe fiskale, punësimi, inflacioni, etj. Pra këshilltarët e tij përreth por edhe anëtarët tjerë të rrethit të ngushtë të kryesisë duhet më tepër të merren me probleme praktike, si mënyra e funksionimit dhe menaxhimi i ekonomisë si tërësi, në tërë hapësirën e Kosovës.

Meqë vendi po çalon nga dobësitë e shumta, premtimet e tepruara do të kthehen si bumerang, pra shumë më tepër qytetari ka nevojë të dëgjojë tregimin e shtetit për një siguri më të madhe, për masat e parandalimit të krimit të organizuar, me një fjalë për shtrirjen e normalitetit institucional, jo si ato për aktin kriminal të vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të provave faktike brenda ndërtesës kryesore të Policisë së Kosovës, gjë që po zbeh bindjen se organet e ndjekjes janë duke e bërë punën e tyre.

Zgjatja kaq e tepërt e dhënies së ndonjë informacioni hetimor, po rritë skepticizmin se në një akt të tillë janë përfshirë një grup i madh i zyrtarëve policorë, meqenëse përgjegjësia e drejtpërdrejt është shumë e qartë.

Sa veta janë të implikuar apo i tërë departamenti mund t’i ketë përmasat e spekulimit, por se është skandal i madh me përmasa të gjëra-është! që ngritë dyshimin në paaftësinë e institucionit më të rëndësishëm shtetëror.

Meqë zgjedhjet lokale janë në prag atëherë aty duhet të fokusohet edhe fushata zgjedhore, për hapjen e iniciativave ë reja si: iniciativa për miratimin dhe ndryshimin e rregullave dhe ligjeve të përgjithshme në juridiksionin e komunës; iniciativa për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e rrugëve lokale dhe objekteve tjera komunale dhe mënyra e sigurimit të mjeteve financiare për këtë qëllim; iniciativa komunale për rregullimin e vendbanimeve, ruajtjen e pastërtisë së rrugëve, rregullimin dhe mirëmbajtjen e gjelbërimit ; ruajtjen e përmirësimin e mjedisit jetësor; iniciativa për ndarjen; mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e lokaleve afariste të cilat janë në përdorimin e komunitetit lokal; përmbushjen e nevojave dhe interesave në fushën e mbrojtjes civile; organizimin e akcioneve humanitare për shfrytëzuesit e asistencës sociale dhe kategoritë tjera sociale të qytetarëve; realizimin e nevojave të përbashkëta në fushën e kulturës, të kulturës fizike, organizimi i ngjarjeve kulturore dhe sportive…etj.

Është pra e rëndësishme që në këtë periudhë klasa politike aktuale shqiptare dhe të gjithë ata politikanë që aspirojnë në të, të krijojne identitetin e tyre te pavarur ideologjik.