LAJMI I FUNDIT:

DRAGI TATA BABË I DASHTUN!

DRAGI TATA BABË I DASHTUN!

Nga: Ilaz Hysaj

U bënë më shumë se një vit e gjysmë që, pos shëtitjes ditore 20-minutëshe, nuk kishim ndonjë aktivitet tjetër fizik në Burgun e Leskocit. Ritmi i muajit ndahej në tri ngjarje të vetme. banjon një herë në javë, vizitën e familjes në çdo dy javë, si dhe shkrimin e letrave një herë në muaj. Në tre muajt e parë vizitat na lejoheshin vetëm nëse flisnim serbisht, derisa nuk e gjetën një përkthyes i cili rrinte ulur në karrige dhe merrte shënime nga ato që flisnim. Disa nuk pranonin të flisnin serbisht, e disa tjerë edhe nuk dinin, ndaj familjarët ktheheshin pa i parë të bijtë e tyre.


Në vizitën e parë, pas një muaji erdhi baba me nanën. Mes neve qëndronte një rrjetë metalike, me katrore të imtë dhe tavolina të gjëra në të dyja anët e grillave, që e krijonin një distancë prej afro dy metrash midis nesh.

“Zdravo tata, kako ste?” (përshëndetje babë, si je?), e pyeta serbisht. Baba më këqyri me një shikim të thellë, që shprehte më shumë se një mijë fjalë të dhembshurisë prindërore. Por, në buzë e ruajti buzëqeshjen.

“Dobro moj sine, svi smo dobro” (mirë bir, të gjithë jemi mirë) ma ktheu baba. Nana shikonte e hutuar; nuk fliste e as nuk kuptonte serbisht. I thash babës që t’i thotë nanës se jam mirë; se nuk jam vet, po me dy shokë në dhomë, e se buka po me hahet. Pra, të mos bahet hiç merak për mua. Nana veç më shikonte e mundohej ta mbante veten. Baba më tha se nana ka gatuar mantia me mish dhe qepë, ashtu siç i kam merak, e t’i ha pastaj ato bashkë me shokët.

Njëzet minutat e vizitës së parë i kaluam veç duke e këqyrë njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk kam ba bisedë ma të thellë me babën, sesa përmes atyre shikimeve.

Baba ka qenë përherë i heshtur, i thellë në mendime, pak fliste e shumë dëgjonte. Filozofinë e tij e kam njohur më tepër në bazë të bisedave të gjata e të qeta që i bënte me disa pleqnarë, që vinin enkas për ndeja me të. Në dhomën e tij të vogël ishte një dollap i mbushur me qitapë e libra të vjetër. Gjithmonë kisha qejf t’i dëgjoja debatet e babës me Mulla Veselin e Shkupit, i cili vinte apostafat për që t’i ndërrojë mendimet me babën. Nga ata mësova ma shumë, sesa nga shumë libra, për vlerat fondamentale njerëzore, për historinë, për dashurinë, për tokën e njeriun. Baba ishte atdhetar e arsimdashës dhe e ka ba të pamundurën që ne të shkolloheshim e të zgjidhnim profesionet që i donim.

Por, baba fort e donte edhe tokën. Kishte qejf ta punonte mirë bahçen e të mbillte plot perime. Lehtë e qepëve dhe hudhrave që i prashitke e i herrte baba, ishin të veçanta. Unë fort nuk e kisha merak punën në ara, e shkoja gjithmonë si me kambën zhag. Por, baba kurrë nuk më ka bërtit.

Gjatë qëndrimit në Burgun e Leskovcit, vetëm tri ditë na qitën në oborr për me palu e vargu fleta duhani. Eveç vetëm aty pata mundësi me i pa të burgosurit e dhomave tjera. Aty ndjeva sesa më kishte marrë malli me e prekë një bimë, me e ba një punë që lidhet me tokën. Mu kujtua baba që pos punës së tij si imam në një fshat të Shtimes, nuk ndahej kurrë nga bahçja e tij. E, ne djemtë, kurrë me qejf nuk e kemi ndihmuar. Nganjëherë kur nuk mundke të punonte i vetëm, ia jepte arën një fshatari që ta punojë, e frytet me i nda për gjysmë me të.

Më kishin mbetur edhe gjashtë muaj që ta mbaroja burgun. Atë kohë, çdo ditë e më shumë më rritej dëshira dhe nevoja që ta punoja tokën, sikur baba im. Por, nga vizitat fundit e shihja se ai ishte lodhur ndaj, kisha frikën se arën ose do t’ia jep dikujt tjetër përgjysmë, ose nuk do ta punonte fare. Doja gjithqysh ta dinte se kur të lirohem, do ta punoj bahçen dhe çdo punë tjetër rreth shtëpisë. Kështu, ditën kur gardianët ma sollën lapsin dhe letrën, vendosa t’ia shkruaj një letër vetëm babës. Letrën duhej ta shkruanim gjithmonë serbisht, që drejtoria ta lexonte para se ta nisnin në postë:

“Dragi tata (babë i dashtun… pjesën më të madhe të kësaj të shkruar serbisht, këtu po e publikoj shqip)

Uroj që kjo letër t’ju gjejë të gjithëve mirë. Edhe unë jam mirë, me gjithë shokët e dhomës. Po e kalojmë kohën me libra e duke luajtur shah. Nuk më kanë mbet edhe pak muaj, e do të jem në mesin tuaj. E di babë se asnjëherë nuk të kam ndihmue sa duhet në punët e fushës, po tash ma shumë se kurrë e kam kuptue fuqinë e lidhjes tande me tokën. Asht dashtë bile me m’bërtitë nganjëherë, e mos me m’i vetë dajtë, po me m’thanë: pa qare duhesh e ki me e punue tokën.

Babë, kësaj radhe mos u ngut me e dhanë arën për gjysmë se ‘kad izadjem će da semim kupus, beli luk, crni luk, paradajse i krompire i će da bude najbolja bahča na Rashincu’ (kur të kthehem do të mbjelli lakra, qepë, hudhra, domate e patate dhe bahçja jonë do të jetë ma e mira në Rashincë)

Tvoj sin Ilaz (biri yt, Ilazi)”.

P.S. Natën e parë kur dola nga burgu, mbasi u çmallëm mirë, burri i tezës Shefkie, Smajli, më pat thanë: “Ilaz, sonte bjer e flej herët se nesër me sabah kemi me t’çue n’ara me mbjellë ‘cërni lluk he belli lluk’ (qepët të bardha e qepë të zeza). Atëherë plasi një gaz i madh nga të gjithë aty, e kjo histori kujtohej gjatë çdo pranverë që vinte…