LAJMI I FUNDIT:

Dosja Osama: A ka mundur t’i parandalojë Amerika sulmet terroriste?

Dosja Osama: A ka mundur t’i parandalojë Amerika sulmet terroriste?

11 shtatori do të mund të parandalohej sikur SHBA-të të pranonin ofertën e Sudanit për të shkëmbyer të dhënat e fshehta për Osama bin Ladenin dhe kërcënimin e shtuar të al Kaidas. Telegrafi risjell shkrimin e botuar në Vanity Fair, nga gazetari David Rose, që sjell fakte të pabesueshme edhe për ditët e sotme.

Në ndërtesën me tulla të kuqe, pranë pallatit presidencial të Kartumit, agjentët që shërbenin për Mukhabaratin, shërbimin sekret të Sudanit, ruajnë fshehtësitë e tyre. “Këta tipa e dinë se çfarë po bëjnë”, thotë specialisti i pensionuar i CIA-s për Afrikën. “Ata priren të jenë të kujdesshëm. Stafi i tyre është mjaftë i besueshëm”.


PSE 11 SHTATORI ISHTE DËSHTIM I SHËRBIMIT SEKRET INFORMATIV AMERIKAN?

Mukhabarati sudanez harxhoi fillimin dhe mesin e viteve ’90 duke grumbulluar të dhënat për Osama bin Ladenin dhe kohortat e tij në zemrën e al-Kaidas, rrjetit terrorist, kur ishte jo shumë i njohur. Disa nga dosjet në shtabet e Mukhabaratit identifikojnë individët që luanin rolin kryesor në bombardimin vetëvrasës në ambasadën e SHBA-së në Tanzani dhe Keni në gusht të vitit 1998; të tjerat listojnë prapavijat dhe lëvizjet e operativëve të al-Kaidas, që thuhet se janë direkt të ndërlidhur me mizoritë e 11 shtatorit. Menjëherë pas këtyre sulmeve, presidenti Bush dhe FBI botoi listën e 22 terroristëve më të kërkuar në botë. Sudani ka mbajtur dosje për shumë nga ta vite të tëra.

Që nga vjeshta e vitit 1996, deri disa javë para sulmit të vitit 2001, qeveria sudaneze ka bërë përpjekje për të ndarë këto informacione me SHBA-të. Në disa raste agjentët e vjetër në FBI kanë dashur t’i pranojnë këto oferta, por, me sa duket, janë ndaluar nga sekretarja i presidentit Klinton (Bill Clinton), Medëllein Ollbrajt (Madeleine Albright) dhe asistentja e saj, sekretare për Afrikë, Suzen Rajs (Susan Rice), të cilat nuk duan të komentojnë lidhur me këtë çështje, pas disa kërkesave për intervistë.

11 shtatori ishte dështim i shërbimit sekret informativ. Ashtu si e cilësoi njeriu i CIA-s, “ne nuk kemi ditur se kjo do të ndodhë”. Disa nga arsyet për këtë dështim ishin strukturore: mungesa e agjentëve arabishtfolës, paaftësia e oficerëve të CIA-s për të depërtuar fshehtas në Afganistan.

Mirëpo, po të kishin ekzaminuar agjencitë e Shteteve të Bashkuara dosjet e Mukhabaratit, kur kishin shanse për herë të parë më 1996, gjasat për të parandaluar sulmet pasuese të al-Kaidas do të ishin më të mëdha. Tim Kerni (Tim Carney), ambasadori i fundit amerikan në Sudan, posti i të cilit përfundoi më 1997, thotë: “Ne mund të spekuklojmë nëse ky dështim kishte implikime serioze, së paku për atë që ka ndodhur në ambasadat e SHBA-ve më 1998. Sidoqoftë, SHBA-të humbën aksesin në materialet intriguese për bin Ladenin dhe organizatën e tij”.

ÇKA KA BËRË BIN LADENI NË SUDAN?

Si ka mundur të ndodhë kjo? Përgjigjja e thjeshtë është se administrata e Klintonit ka akuzuar Sudanin për mbështetje të terrorizmit. Në të njëjtën kohë, perceptimet në Uashington ishin të influencuara nga raportet e pasakta të CIA-s, disa si rezultat i dezinformimit të paramenduar. Problemi, thotë Kerni, ishte “korrigjimi joadekuat dhe analizat nga CIA e vetë produkteve të saj”. Kjo është kushtëzuar nga armiqësia e administratës së Klintonit me regjimin islamik të Sudanit: “Përkundër mospajtimeve nga vetë Byroja e Informimit dhe Hulumtimit e Departamentit të Shtetit, shërbimi informativ i SHBA-ve dështoi, sepse është bërë i politizuar”.

Osama bin Laden, katër gratë e tij, fëmijët e tij dhe shumë përkrahës “afganë arabë” që ndihmuan largimin e sovjetëve nga Afganistani shkuan në Sudan nga Arabia Saudite në fillim të vitit 1991. Ata zgjodhën Sudanin për dy arsye kryesore. Fillimisht, veteranët e shqetësuar, të radikalizuar, të luftës së Afganistanit, ishin jo të mirëseardhur në shumë shtete arabe, por Sudani i la dyert e saj të hapura. Së dyti, bin Laden donte politikën e Sudanit. Radikalizimi islamik i qeverisë, pastaj lideri ideologjik, filozofi Hasan al-Turabi, i cili erdhi në pushtet me grushtet në vitin 1989, ishte në zenit. Sudanezët e pranuan Bin Ladenin si investitor. Familja e tij ka ndërtuar shumicën e infrastrukturës së Arabisë Saudite, dhe ata shihnin pasurinë dhe përvojën e tij si inxhinier, si burim të rëndësishëm në zhvillimin e Sudanit.

Në Sudan shumë nga energjitë e bin Ladenit shkuan në biznes: kontratën, të financuar nga saudët, për të ndërtuar aeroportin në Port Sudan, projekte agrikulturale dhe al-Hijra, projekti i përbashkët me qeverinë e Sudanit për të ndërtuar rrugën prej 185 mila në veri drejtë Kartumit. Abu Ibrahimi, inxhinier irakian, i cili më vonë bëhet ekzekutuesi kryesor i al-Hijras, thotë se Bin Ladeni kishte interesim të madh në detajet teknike të projektit. Në shtëpinë e madhe të Bin Ladenit, në pjesën e pasur të Kartumit, ata kaluan orë të tëra së bashku, për të diskutuar se cilët gërmues, makina nivelizuese dhe mjete tjera duhet t’i blejë firma. Ibrahimi ka njohur bin Ladenin gjatë Luftës së Aftanistanit.

“Kur ishim në Afganistan gjithçka ishte xhihad, xhihad, xhihad…”, thotë ai. “Këtu, në Sudan, ne pamë aspektetet tjera të tij: ndërtimtarinë, jetën familjare… Ai po stabilizohej…”

Sidoqoftë, Bin Ladeni, gjithashtu, gjente kohë për të filluar kampanjë të egër propagandistike kundër qeverisë saudite, i tërbuar se pse ajo kishte lejuar ushtrinë amerikane për të ndërtuar bazat në tokën saudite. Ai, po ashtu, kujdesej për kontaktet me esktremistët tjerë myslimanë, disa nga të cilët ishin shumë të rrezikshëm.

A KA QENË MË I INFORMUAR PËR TERRORISTËT MUKHABARATI SE CIA?

Të ulur në divanet me lëkurë, Jahja Husein Baviker, zëvendësshefi i Mukhabaratit që nga vitit 1998, zbulon elementet e vitit 1992. Në këtë vit, Mukhabarat mësoi se bin Ladeni ka luajtur rolin e mikpritësit për Ajman al-Zavahirin, themelues i Xhihadit islamik të Egjiptit, grupin fundamentalist që qëndronte prapa shumë sulmeve të armatosura në ministrat dhe zyrtarët e qeverisë së Egjiptit, përfshirë vrasjen e vitit 1981 të kryetarit Anvar El-Sadat.

Mukhabarat ka përcjellë Xhihadin islamik të Egjiptit për vite të tëra. “Nëse dikush në botë kupton anën egjiptiane të këtij rrjeti është Sudani”, thotë burimi i CIA-s.

Xhihadi islamik egjiptian është shkrirë mjaft me al-Kaidan. Al-Savahiri, tash njeriu nr. 2 në listën e më të kërkuarve të FBI-së, shërben si mjek dhe këshilltar i Bin Ladenit në Afganistan. Egjiptianët e tjerë zënë poste thelbësore brenda rrjetit të al-Kaidas, shumë nga ta të njohur nga Mukhabarat që nga viti 1980. “Këto dosje për egjiptianët kanë mundur të jenë të një rëndësie të madhe për shërbimin informativ të SHBA-së”, thotë Baviker.

Të gjithë të huajt në Sudan ishin subjekt i survejimit. Zbulimi i lidhjeve të Bin Ladenit me Xhihadin islamik të Egjiptit, detyroi Mukhabaratin të përcillte atë dhe përkrahësit e tij afganë arabë. Gjeneralllejtnanti Gutmi al-Mahdi, drejtori gjeneral i Mukhabaratit në vitet 1997-2000, thotë se shërbimi nisi të mbajë shënime për “tërë klikën e bin Ladenit… Ne kishim shumë informata: kush ishin ata, kush ishin familjet e tyre, cili është edukimi i tyre. Ne e dinim se çfarë po bënin në vend, çfarë janë raportet e tyre me Osama bin Ladenin. Dhe fotografitë për të gjithë nga ta…”.

Në vitet ’90, entuziazmi islamik i Sudanit është zbutur nga pragmatizmi. Më 1994 ajo tentoi të pohonte kredencialet antiterroriste, duke ndihmuar Francën në kapjen e Iliq Ramirez Sançezit, të njohur më mirë si “Karlos çakalli”, terroristi famëkeq venezuelian i cili thuhet se ka vrarë 83 njerëz dhe tash vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Francë.

SI JANË MANIPULUAR SHËRBIMET SEKRETE AMERIKANE?

SHBA-të, sidoqoftë, mbetën të bindur se Sudani pëkrah terrorizmin. Gjatë fundit të vitit 1995, ambasadori amerikan, Don Piterson (Don Petterson), është udhëzuar të dorëzonte një dëftesë sekrete, të panënshkruar, tek udhëheqësi shpirtëror Hasan al-Turabi dhe kryetari Omar al-Bashir. Ajo thoshte se SHBA-të ishin të “vetëdijshme për involvimin e Sudanit në komplotet terroriste kundër nesh” dhe se do të ketë reagim të ashpër. Ajo mund të rezultonte në “izolimin ndërkombëtar të Sudanit, në shkatërrimin e ekonomisë suaj dhe masat ushtarake që mund t’ju bëjnë të paguani çmim të lartë.”

Sidoqoftë, çfarëdo qofshin këto komplote, të cilat CIA mendonte se i ka zbuluar, ato nuk kishin të bënin fare me Bin Ladenin. Ambasadori Piterson thotë: “Kur kam bërë prezantimin e organizatave terroriste Osama bin Laden nuk figuronte. Ne në Kartum nuk ishim shumë të brengosur për të”.

Fokusimi në armikun e gabuar nuk ishte i vetmi tipar i gabuar i shërbimit informativ amerikan në Sudan. Më 1993 Ambasada amerikane dërgoi në shtëpi tërë stafin, sepse CIA pohonte të ketë dëshmi se amerikanët ishin të rrezikuar nga sulmet terroriste. Një raport, madje, pohonte se ishte një komplot për të bombarduar ahengun për fëmijët e punëtorëve të Ambasadës Amerikane në Kartum. Asnjë nga këto kërcënime nuk ishin të vërtetë. Piterson thotë: “Nuk ka dyshim se këto ishin raporte të gabueshme”. Këshilltari për Siguri Nacionale i presidentit Klinton, Toni Llejk (Tony Lake), është larguar me familjen e tij nga shtëpia dhe është mbajtur nga rojat e shërbimit sekret në Bller Haus. Shkaku ishte edhe një pohim i rrejshëm i CIA-s se agjentët sudanezë planifikonin vrasjen e tij në Uashington. Së fundi, në fillim të vitit 1996, pasi Pitersonit i erdhi fundi i mandatit, ambasada është zbrazur nga të gjithë amerikanët, prapë për shkak të “kërcënimeve të paqarta të sigurisë”. Trashëgimtari i tij, Tim Kerni, është dashur ta bënte disi punën mijëra mila larg, në Najrobi, Keni.

Specialisti veteran i CIA-s thotë se këto janë produkt i dezinformatave. Të gjitha këto raporte i kushtuan CIA-s. Një nga anëtarët e saj, tuniziani Ali bin Mustafa Homed, është dënuar për spiunim në Sudan vitin e kaluar dhe i është shqiptuar dënimi me 14 vjet burg. Jahja Baviker, zëvendës-shef i Mukhabaratit, konfirmon se dezinformatat për shërbimet e huaja sekrete përbëjnë një nga akuzat kundër Homedit.

PSE AMERIKA VAZHDONTE TA AKUZONTE SUDANIN PËR STREHIMIN E TERRORISTËVE?

Sudani është prekur nga këto zhvillime. Sidoqoftë, krahu radikal i qeverisë, i udhëhequr nga filozofi dr. al-Turabi, ka humbur terrenin nga të moderuarit pragmatist, të cilët duan raporte të mira me Perëndimin (më 1998 al-Turabi është vendosur nën arrest, ku ende qëndron). Në shkurt të vitit 1996 Kerni dërgon kërkesat e Amerikës që Sudani ta largojë Bin Ladenin, kryesisht për shkak të kampanjës së tij kundër sauditëve. Gutbi al-Mahdi, ish-shefi i Mukhabaratit, i cili atëherë shërbente si këshilltar i lartë i kryetarit sudanez, thotë se Sudani nuk ka kundërshtuar në parim. Argumentet, të cilat ai dhe kolegët e tij i kanë përdorur, ishin më praktike: “Ne thamë: ‘Këtu ai është nën kontroll dhe ne dimë gjithçka për të. Këtu, në Sudan, ai është nën mbikëqyrjen tonë.” Atëherë, kur është larguar Bin Ladeni, shton al-Mahdi, “ai nuk kishte zgjidhje tjetër pos të jetë tërësisht radikal”.

Bin Ladeni është dëbuar në maj të vitit 1996. Përkundër dëshmisë së vullnetit të Sudanit për kooperim, Shtetet e Bashkuara nuk kishin interes për të parë gjërat që mund të mësonin nga Sudani. Mahdi Ibrahim Muhamed, tash ministër i informatave, shkoi në Uashington si ambasador i Sudanit në shkurt të vitit 1996. Amerikofili, i cili është edukuar në Miçigam dhe Kaliforni, thotë: “Më pëlqen vendi. Më pëlqejnë njerëzit. Shkova si ambasador për tri vjet, me pikëpamjet se Amerika është e lirë, e hapur për dialog. Ajo që gjeta ishte një befasi e madhe dhe zhgënjim”. Muhamed shpenzoi tri vjet, duke tentuar që të takohet me sekretaren e Departamentit të Shtetit për Afrikën, Suzen Rajs. Ai, po ashtu, nuk ia arriti ta takonte Toni Llejkun e as trashëgimtarin e tij, Sendi Berger (Sandy Berger), sepse stafi i tyre vazhdonte të akuzonte Sudanin për strehimin e terroristëve. Muhamed luste zyrtarët që të japin deklara specifike, por ata refuzuan. “Unë thashë: ‘Më jepni informata për cilindo terrorist, çfarëdo kampi dhe ne do ta marrim këtë punë shumë serizisht’. Përgjigjja ishte: ‘Qeveria juaj e di. Ju duhet ta dini. Ne nuk dëshirojmë t’i ekspozojmë burimet tona”.

Ambasadori Muhamed bëri një ofertë të hapur: CIA dhe FBI mund të dërgojnë ekip të përbashkët hulumtues, i cili mund të lëvizë lirshëm në tërë vendin. “Unë vazhdoja të thoja: ‘Shkoni kudo”. Kjo nuk është pranuar.

Në shkurt të vitit 1997 oferta është përsëritur me një letër nga kryetari Bashir, drejtuar Klintonit. Al-Bashir sugjeronte “misionin për të hulumtuar pohimet se qeveria e Sudanit trajnon apo strehon terroristët”, me “lirinë e lëvizjes, kontaktet dhe zgjedhjen e pakushtëzuar të terreneve të supozuara terroriste”. Klintoni kurrë nuk është përgjigjur.

SI DËSHTUAN NDËRMJETËSIT E SUDANIT NË SHBA?

Te sudanezët u shfaq ideja se mënyra për të bindur Amerikën se ata ishin seriozë në luftimin e terroristëve ishte që t’u ofronte hulumtuesve amerikanë qasjen në dosjet e Mukhabaratit për Bin Ladenin, al-Kaidan dhe Xhihadin islamik egjiptian. Të frustruar në përpjekjet e tyre për të ftuar Amerikën, ata vendosën të angazhojnë multimilionerin pakistanezo-amerikan, biznesmenin dhe menaxherin financiar, Mansor Ijaz.

Donatori i madh i Partisë Demokratike, Ijaz, kishte marrëdhënie personale me Klintonin, Bergerin, dhe Al Gorin. Por, ai po ashtu i frigohej refuzimit amerikan për t’u angazhuar me regjimet islamike, si Sudani.

Si investitor, Ijaz ishte i interesuar në naftën e Sudanit, por ai po ashtu kishte “sens për padrejtësi”, me mënyrën se si vendi po trajtohej. Nga korriku 1996 deri në gusht të vitit 1997, ai ka ndërmarrë gjashtë udhëtime në Kartum, duke takuar dr. al-Turabin, kryetarin al-Bashir, shefin e Mukhabaratit, Gutbi al-Mahdi dhe zyrtarët tjerë. Ai arriti t’i bindte ata se ishte e vlefshme që të bënin përpjekje tjera për të bindur SHBA-të në sinqeritetin e Sudanit, pjesërisht duke tërhequr vëmendjen e Amerikës me informatat për al-Kaidan. Iniciativat e tij japin rezultatet më ekzituese me letrën e e datës 5 prill 1997, nga kryetari al-Bashir, drejtuar Lli H. Hemilltonit (Lee H. Hamilton), demokratin me post në Komitetin për Çështje të Jashtme. Aty thuhej: “Ne ftojmë njësitë antiterroriste të FBI-së dhe delegacionet tjera zyrtare të cilat qeveria juaj mund t’i mendojë si të përshtatshme, për të ardhur në Sudan dhe për të punuar me Departamentin tonë të Shërbimit të Jashtëm me qëllim që të vlerësojnë të gjitha shënimet në disponimin tonë dhe të na ndihmojnë të kundërshtojmë forcat të cilat qeveria juaj dhe e jona duan t’i frenojnë”.

Sipas Ijazit, Hamilltoni ia dërgoi letrën Medëllejnë Ollbrajtit dhe Sendi Bergerit, asnjëra nga të cilat nuk u përgjigj.

Ijaz, po ashtu, shkruajti memorandume për Sendi Bergerin, dhe në një seri të bisedimeve shprehte saktësisht atë që nënkuptonte oferta sudaneze. Ai i tha Bergerit se “fraza për të ‘vlerësuar shënimet në disponimin tonë’ ishte referencë e qartë e shënimeve për Bin Ladenin. Referencat për ‘forcat të cilat duam t’i frenojmë’ ishte referencë e qartë për të parandaluar përhapjen e al-Kaidas”. Ijaz dhe familja e tij kanë kaluar drekën e Kërshëndellave në Shtëpinë e Bardhë me Klintonët. Por, ai nuk mundi të tundte politikën amerikane në Sudan.

PSE AMERIKA NUK EKSTRADOI TË ARRESTUARIT E DYSHUAR PËR BOMBARDIMIN NË NAJROBI?

Sudanezët nuk u dorëzuan. Në fillim të vjeshtës së vitit 1997 ata përfituan nga një ndërmjetësues tjetër privat, Xhenet Mekelligot (Janet McElligott), lobiste që kishte punuar me Shtëpinë e Bardhë nën Xhorxh H. W. Bush (George H. W. Bush). Ajo supozonte se kreu shtetëror racional, së fundi do të triumfonte. Në këtë ajo ka gabuar. Më 5 shkurt 1998, letra direkte nga Gutbi al-Mahdi i Mukhabarati, i drejtohet Dejvid Uilliamsit (David Williams), shefit të repartit të FBI-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Aty shkruante: “Do të doja të shprehja vullnetin tim të sinqertë për të filluar kontaktet dhe kooperimet në mes të shërbimit tonë dhe FBI-së. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për t’ju ftuar me kënaqësi që të vizitoni vendin tonë. Përndryshe, ne mund të takohemi kudo tjetër”.

18 ditë më vonë, më 23 shkurt 1998, Osama bin Laden lëshon fatuat e tij rrëqethëse nga Afganistani, duke ftuar të gjithë myslimanët që të vrasin amerikanët dhe jevrejët, duke shtuar se civilët tash duhet të cilësohen si caqe. Mekelligot e çoi deri në fund letrën me kërkesën personale: “U thashë atyre: ‘Ju e kuptoni se Bin Ladeni ka jetuar atje dhe ata kishin dosje për njerëzit kryesorë?’… Tipat me të cilët pata punë, thanë: ‘Do të jepja gjithçka të shkoja atje, por ata’, duke menduar në Departamentin e Shtetit ‘nuk na lejojnë.”

Dejvid Uilliams nuk iu përgjigj letrës së al-Mahdit për katër muaj. “Fatkeqësisht”, shkruan ai më 24 qershor, “nuk jam momentalisht në pozicion për të pranuar ftesën tuaj xhentile.”

Gjashtë muaj pas kësaj, rrjeti i al-Kaidas së Bin Ladenit ia arriti të eksplodonte dy kamionçinë në Ambasadën Amerikane në Najrobi dhe Dar es Salam. Ato janë kthyer në grumbuj të rrënojave të përgjakshme në të cilën 224 vetë shtriheshin të vdekur.

Disa ditë pas bombardimit, ashtu si raportoi në fillim NBC më 1999, Sudani arrestoi dy të dyshuar të cilët arritën në Kartum nga Kenia. Ata kishin pasaporta pakistaneze dhe përdornin emrat Said Nazir Abaz dhe Said Iskandar Suliman. Ata kanë rezervuar aparamentin me pamje në Aambasadën Amerikane në Kartum dhe duket se e kanë zbuluar atë për sulme të mundshme në të ardhmen. Materiali i mbledhur në mes të viteve 1991 dhe 1996 bënte që Mukhabaratin të besonte se të dy njerëzit ishin anëtarë të al-Kaidas. Mukhabarati informoi FBI-në në Uashington, duke ofruar esktradimin e tyre. Pa konsultuar FBI-në, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u përgjigj me bombardimin e fabrikës al-Shifa në Kartum, duke pohuar – të bazuar në informim edhe më të gabuar – se është poseduar nga Bin Ladeni dhe ka prodhuar gazin nervor VX. Në fakt, al-Shifa nuk kishte lidhje me Bin Ladenin. Ajo bënte vaksina për mjekësi dhe kishte kontratë me OKB-në.

PSE CIA DHE FBI REFUZONIN TË SHKONIN NË SUDAN?

Marrëdhëniet SHBA-Sudan atëherë arritën nadirin. Makhubarati dërgoi të dyshuarit “Abaz” dhe “Suliman” në Pakistan, ku sakaq humbën. Ambasadori Muhamed u largua nga Uashingtoni. Pak para largimit të tij, Xhenet Mekelligot, aranzhoi takimin në shtëpinë e saj në mes tij dhe zyrtarit të lartë të FBI-së. Mekelligot thotë se njeriu i FBI-së shprehu pendimin për atë që ka ndodhur dhe thotë se shpreson se në ndërkohë politikanët do të lejojnë agjencionin e tij që të hulumtojë shërbimin sekret sudanez.

Disa muaj më vonë, shefi i Mukhabaratit, Gutbi al-Mahdi, ftoi Mekelligotin në Kartum. Ai ia dha asaj një fletë të shkruar me dorë, e cila i dorëzohet drejtorit të FBI-së, Luis Freih (Louis Freeh). Ajo ndërlidhte rrethanat e arrestimeve të dy të dyshuarve dhe ofronte dorëzimin, duke shtuar se dosjet e Mukhabaratit për al-Kaidan ende presin inspektimin. Nëpërmes Mekelligotit, FBI me ndruajtje sugjeronte takimin me al-Mahdin në Evropë. Para se të realizohej takimi, Departamenti i Shteti vuri veto.

“Ne e kuptuam atë si qëndrim iracional”, thotë al-Mahbi. Ne i kemi shtrirë duart dikujt që kishte nevojë për përfitime reciproke dhe kjo është refuzuar… Nëse (FBI) do ta pranonte ofertën time në shkurt të vitit 1998, ata mund të parandalonin bombardimin. Ata kishin shumë pak informata në atë kohë: ata gjuanin në errësirë…”.

Osama bin Laden nuk është cilësuar shumë i rëndësishëm nga CIA dhe FBI deri në fund të vitit 1995. Sidoqoftë, Mukhabarati i kishte të gjithë lojtarët kryesor të regjistruar. Përveç Bin Ladenit dhe al-Zavahirit, ishte Muhamed Ated, i dyshuar të jetë komandanti ushtarak i al-Kaidas, njeriu i cili duket se ka orkestruar bombardimet e vitit 1998 dhe, sipas supozimeve, të sulmeve të 11 shtatorit (Atef dyshohet të jetë vrarë në nëntor në Afganistan). Abu Ibrahim, ish-shefi ekzekutiv i Bin Ladenit, kujton të ketë parë Atefin në shtëpinë e Bin Ladenit në Kartum dhe “me Osaman në Afganistan, kur ky dorëzonte mesazhet në TV”.

PËR CILËT TERRORISTË SUDANI KISHTE TË DHËNA?

Sa domethënëse do të ishin dosjet për ta? Ulur pranë pishinës në Kartum, pyeta zyrtarin e lartë të shërbimit sekret të Egjiptit, i cili ka punuar ngusht me Mukhabaratin dhe i cili kërkoi që të mos citohet me emër. Ai thotë: “Ata kanë ditur të gjithat për ta: kush ishin ata, prej nga kanë ardhur. Ata kishin kopjet e pasaportave të tyre, biletave të tyre; ata e dinin se ku kanë shkuar. Natyrisht, ato informacione do të ndihmonin shumë..”

Gjatë gjykimit të Nju-Jorkut, të katër njerëzve të dënuar për bombardimin e vitit 1998, kryeu i gjyqit ka dëgjuar shumë për njeriun e quajtur Fazul Abdullah Muhamed, i cili po ashtu figuron në listën e më të kërkuarve. Ai ka organizuar komplotin duke bërë dy udhëtime në Najrobi në pranverë të vitit 1998, nga Kartumi. Nëse zyrtarët e FBI-së do të pranonin ofertën e bërë nga al-Mahdi atë shkurt, ata do ta dinin këtë po ashtu. Mukhabarati, po ashtu, ka mbajtur dosje për një tjetër bombardues ambasade, egjiptianin Saif al-Adel, i cili po ashtu shfaqet në listën e më të kërkuarve.

Po të pengohej komploti i vitit 1998, ndoshta nuk do të ishte 11 shtatori. Në çdo rast, Sudani kishte informata tjera. Vadih al-Haxhi, ish-sekretari privat i bin Ladenit, i cili tash vuan dënimin e përjetshëm pas dënimit në Nju-Jork për rolin e tij në bombardimin e ambasadës më 1998, është regjistruar dhe fotografuar në Sudan.

Subjekt tjetër i dosjeve të Mukhabaratit ishte sudanezi, Mahmud Mahmud Salim, veterani i luftës afgane, i cili ka punuar dy vjet me kompanitë e Bin Ladenit në Sudan. Ai ka siguruar lidhjet me kidnapuesit vetëvrasës të Nju-Jorkut. Prej vitit 1995 deri 1998, ai ka bërë vizita të shpeshta në Gjermani, ku tregtari sirian, Mamun Darkazanli, ka nënshkruar autorizimin mbi llogaritë e tij bankare. Darkazanli supozohet të ketë siguruar pajisjet elektronike për al-Kaidan. Të dy njerëzit kanë shkuar në të njëjtën xhami të Hamburgut, si Muhamed Ata dhe Marvan al-Shehi, të cilët udhëheqën dy aeroplanët në Qendrën Botërore Tregtare.

Mesazhi nga Sudani nuk iu përshtat Departamentit të Shtetit dhe CIA-s, andaj është nënçmuar. Kjo ndodhi deri në maj të vitit 2000, kur administrata e Klintonit u përgjigj nga presioni i shërbimit sekret amerikan dhe pajtohet të dërgojë ekipin e përbashkët FBI-CIA. Edhe atëherë misioni i saj nuk hulumtonte dosjet e Mukhabaratit, por vetëm të vërtetohej nëse Sudani mbështet terrorin. Aty nuk kishte “kampe trajnimi” apo faltore për vrasësit, më në fund. Gutbi al-Mahdi, ish-shefi i Mukhabaratit, thotë se disa javë para 11 shtatorit, ekipi amerikan më në fund kërkon të hulumtojë materialet sudaneze për al-Kaidan. Ngjarjet dëshmojnë se deri atëherë gjithçka ishte e vonë. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dubai raporton një

Dubai raporton një "sëmundje misterioze" të lidhur me përmbytjet e rënda që goditën rajonin

Botë
Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Evropa
Rusia nuk ka 'interes' të sulmojë shtetet e NATO-s, thotë kreu i ushtrisë së Putinit

Rusia nuk ka 'interes' të sulmojë shtetet e NATO-s, thotë kreu i ushtrisë së Putinit

Botë
Komiteti parlamentar zviceran mbështet planin e ndihmës prej 5.5 miliardë dollarësh për Ukrainën

Komiteti parlamentar zviceran mbështet planin e ndihmës prej 5.5 miliardë dollarësh për Ukrainën

Botë
Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin

Mbretëria e Bashkuar do ta furnizojë Ukrainën me bomba me laser që mund të godasin "objektivat e buta" ruse

Evropa
Kalo në kategori