LAJMI I FUNDIT:

Dimensionet politike të krizës financiare evropiane

Kriza e euros duket të jetë prologu i eurozonës. Politika e ftohtë reale, edhe në kulm të krizave si kjo që ka kapluar euron, gjykon racionalisht në dobi të gjetjes së rrugëve për dalje nga kjo gjendje dhe ecje përpara. Çfardo përpjekje serioze e shndërrimit të UE-së nga një Union ekonomik ne një Union Politik, për faktorin shqiptar është i mirëseardhur.

Kriza ekonomike si prdukt i rritjes së borgjeve solli vartësinë financiare të një pjese të shteteve periferike ndaj „bërthamës“ së UE-së. Me gjithë përpjekjet për të krijuar mekanizma mbrojtës të Bashkësisë dhe për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga shteti nacional, duke mos cenuar përspektivën evulutive drejt një tipi federal qeverisës, Brukseli tashmë duket të jetë më se i alarmuar.


Kriza e euros ka filluar të ndjehet në shumë qarqe edhe si një prolog i paralajmruar i eurozonës. Ekonomia e një vargu shtetesh të periferisë duket të jenë paralizuar, ndërkaq qeveritë e bërthamës së mundshme (Gjermani, Francë, Holandë…) të ngarkuara me ndjesinë e theksuar të egoizmit nacional, po presin, jo pa ankth, fundin e padëshiruar. Kështu duket se gjykojnë, jo pa të drejtë, një pjesë e mirë e analistëve që përcjellin gjendjen e krijuar në Unionin e shpresave që konsiderohej edhe si një formë e ringjalljes së utopive politike evropiane. Ndërkaq një lagje optimistësh të pandreqshëm, pikërisht këtë krizë po e venerojnë si një mundësi më shumë, respektivisht katalizator për krijimin e të ashtuquajturës bërthamë të UE-së dhe thellim të kursit integrues.

Përgundër gjendjes së krijuar, përfaqësuesit e të ashtuquajturës politikë të ftohtë reale, si konsiderohet ministri gjerman i financave, Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble), edhe në kulm të krizave si kjo që ka kapluar euron, gjejnë forcë për të gjykuar racionalisht në dobi të gjetjes së rrugëve për ecje përpara. E këtë duhet ta bëjë politika, konkludojnë përfaqësuesit e kësaj rryme, duke mos përjashtuar si mundësi krijimin e një resori financiar evropian, respektivisht të ashtuquajturës Qeveri ekonomike, duke treguar kështu gadishmëri për të deleguar pjesë shtesë të sovranitetit shtetëror në Bruksel.

Kriza të kësaj natyre si kjo që po kalon eurozona në rrjedhat e historisë është provuar të zgjidhen ose përmes inflacionit të thellë (kriza e madhe e vitit 1929/30; ajo e viteve `70-ta; 2008), përmes së cilës ekonomia e shtetit dhe ajo familjare pësonte zhvlrsim gradual, ose së paku përmes reformës financiare, pa përjashtuar mundësinë e tretë – shpërthimin e luftrave.
Duke marrë parasysh këto rrethana, me të drejtë mund të konkludohet se Unioni Evropian tashmë ndodhet para sfidës historike. Do të jetë pikërisht përvoja e më shumë se një gjysmëshekulli dhe gadishmëria politike evropiane për kalim të ndeshtrashave historike, që do t`i lëshojë hapësirë politikës për të gjetur shtegdaljen më të mirë të mundshme.

Një tjetër arsye, për shkak të së cilës Greqia mund të detyrohet të dalë nga eurozona rezulton nga humbjet e mëdha dhe nga falimentimi i bankave të saj. Gjatë 20 muajve të fundit, bankat greke kanë humbur mbi 40 miliardë euro, ose rreth 18 për qind të depozitave të tyre dhe, sipas burimeve zyrtare, ato humbasin rreth 2 miliardë USD nga depozitat e tyre çdo javë. Vetëm në tre muajt e fundit të vitit 2010, bankat europiane ndërprenë 20 miliardë euro financime për Greqinë. Nëse Greqia detyrohet të dalë nga eurozona brenda 6 apo 12 muajsh, siç parashikojnë disa ekspertë, atëherë recesioni ekonomik në këtë vend do të thellohet edhe më shumë dhe pasojat e tij do të jenë edhe më të mëdha, jo vetëm për Greqinë, por edhe për Shqipërinë, Maqedonin, Kosovën dhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore.

Greqia dhe një lagje shtetesh të periferisë evropiane, por edhe vet Unioni Monetar Europian, po bëjnë çmos që t^i dalin të keqes përpara. Sidoqoftë rreth 80% e bankave të vendeve të periferisë së eurozonës do të falimentonin tashmë, po të mos gëzonin mbështetjen e bankave të „bërthamës mëmë“, parasëgjithash atë të bankave private gjermane. Shih për këtë paralajmrimet e ekspertëve se kriza ekonomike dhe financiare në Evropë pritet të thellohet në muajt në vijim dhe në vitin pasues, duke shkaktuar tronditje sizmike gjithëpërfshirëse, duhet marrë seriozisht. Shih për këtë kjo gjendje është për alarm dhe reflektim politik urgjent dhe maksimal.

Evoluimi i përshpejtuar i shtetit modern

Në gusht të vitit 2001, kur diskutohej për Unionin Eknomik dhe atë Monetar me frymën më optimiste të mundshme, duke e shikuar atë kurs integrimi si një prolog real i Unionit Politik, pak kush kishte mundësi të paragjykonte nevojën e përmbysjes së këtij rendi integrimi, respektivisht rikthimin e politikës në rend të parë. Madje, në Kosovë nuk është kuptuar ende, as nga personalitetet qeveritare e as nga një pjesë e opozitës, se nevoja për tu shkputur nga mendësia fetishiste e tregut, është imediate.

Në rastin konkret, kriza e euros e ka bërë të qartë se fjala është për më shumë se thjeshtë për para. Nëse politikat ekonomike dhe ato financiare deri tashti trajtoheshin si shtyllat vërtebrale të shtetit nacional, ndërkohë diskutohet mundeia që hartimi dhe mbarështrimi i tyre t`i delegohen Brukselit. Marrveshja e Lisbonës duket të jetë tejet e përkohshme tashmë. Ndërkaq shtetet anëtare të Unionit Europian duket të jenë jo të gjitha të përgaditura për një evuluim të shpejtë të së drejtës nacionale në dobi të asaj evropiane. Kushtetutshmëria e shtetit klasik po trandet. Shteti modern, siç e njohim atë pas Vestfalisë e deri në prag të kësaj krize, por edhe koncepti mbi pacënueshmërinë e sovranitetit të tij, po vihet tërësisht në pikëpyetje.

E vetkuptueshme, mbështetësit e idesë për ecje përpara të UE-së në lëmin e integrimit të brendshëm, qoftë edhe me „dy shpejtësi“, nuk marrin parasyshë faktin se „Qeveria ekonomike“ që do të jetë si bartëse e këtij kursi të ri të UE-së, e që gjykohet të instalohet shpejt në Bruksel, do të ketë edhe më shumë deficit demokratik se ç`ka sot Komisioni Evropian dhe institucionet tjera të Unionit, meqë ajo as nuk do të zgjidhet nga qytetarët e as nuk do të mund të shkarkohet nga ata!
Në krye të kësaj kthese del Gjermania. Sociologu Ulrih Bek (Ulrich Beck) në numrin e fundit të revistës së mirënjohur gjermane Der Spiegel, paralajmron se politika gjermane kundruall interesave të Unionit, është në prag të një kthese historike dhe e krahason atë me politikën e viteve shtatdhjeta kundruall Evropës Lindore.

A do të jetë në gjendje që Gjermania këtë ecje përpara të UE-së ta shoqëroj edhe me reformat e thella demokratike? Mbetet të shihet. Por, fakt është se, vetëm atëherë kthesa historike progresive do të shoqërohet me thellimin e kursit integrues gjithëpërfshirës.

Hapësira e Hapur e Gravitetit

Regimi i të ahtuqijtërës bërthamë të UE-së ndaj krizës financiare ka të bëjë me fillimin e vënies në veprim të një metode të përbashkët mes një grupi shtetesh anëtarë të UE-së, që do të rezultonte me krijimin e një avangarde shtetesh që do ta ndjenin se kanë për obligim dhe qëllim thellimin e proceseve integruese brenda UE-së, duke krijuar kështu një bërthamë graviteti që do t`i paraprinte këtij procesi.
Udhëheqjet e këtyre vendeve me predisponim pozitiv për thellim të kursit integrues, tashmë kanë konstatuar qartë se, nga një lagje shtetesh ka pengesa serioze për ecje përpara në kursin e gjakuar për shndërrimin e UE-së nga një Union Ekonomik në një Union Politik. Shih për këtë, ata janë para hapit vendimtarë, që rezulton me hartimin dhe prezantimin e strategjisë së re të ashtuquajtur Hapësirë e Hapur e Gravitetit.

Sipas pikëpamjeve të kësaj avangarde, reduktimi i UE-së në një zonë thjeshtë të tregëtisë së lirë si dhe dobësimi i principeve të Bashkësisë dhe margjinalizimi i institucioneve mbinacionale (Komisioni Europian, Parlamenti Europian), do të duhej shmangur me çdo kusht.
Shtetet me predisponim e vullnet pozitiv për integrim të mëtejshëm do t`i thellojnë marrveshjet mes tyre në fusha të ndryshme, konform me dokumentet bazë të UE-së (Marrveshjen e Lisbonës dhe akteve juridike që ka prodhuar kjo marrveshje politike, por nëse e kërkon nevoja, të shkojnë më tutje, duke inicuar marrveshje të re).

Për legjitimim veprimi në këtë rrafsh, kësaj avangarde shtetesh, do t`ju shërbej vendimi për „forcimin e bashkëpunimit“ që buron që nga Marrveshja e Amsterdamit, si instrument diferencues.
Hapësira e Hapur e Gravitetit në përbërje të të cilës do të përfshihen shtete të mëdha e të vogla, që kanë aderuar kaherë apo tashti së fundi në UE, do t`i përkushtohet realizimit të kursit që do ta shndërronte Bashkësinë në një Union Politik.
Mekanizmat, strukturat dhe instrukentet e kësaj hapësire (që thellon kursin e bashkëpunimit) janë ngritur dhe veprojne në atë mënyrë që t`ju mundësojnë integrimin në to shteteve tjera kurdo që ata e shohin të arsyeshme.
Procesi i zgjerimit të UE-së përqëndrohet në përthithjen e vendeve të Ballkanit Perendimor, por edhe të atyre shteteve të Hapësirës Ekonomike Europiane që kanë vullnet dhe gjakim për integrim, përfshirë edhe Zvicrën.

Pozita e shqiptarëve në këtë dimension të ri zhvillimesh

Çfardo përpjekje serioze e shndërrimit të UE-së nga një Union Ekonomik ne një Union Politik, për faktorin shqiptar është i mirëseardhur. Natyrisht, si e tillë, kjo përpjkeje, meqë është në përputhje me interesat afatgjata të kombit shqiptar, do të gjejë mbështetje të plotë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë.

Fakti se një lagje shtetesh anëtarë të UE-së (Greqia, Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) edhe pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sot e kësaj dite, vazhdojnë të mos e njohin Republikën e Kosovës, e me këtë të krijojnë pengesa reale të veprimit të UE-së në lëmin e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë si trup unik, për udhëheqësit e shteteve të vendeve që pretendojnë për ecje më të përshpejtuar në kursin e shndërrimit të Unionit në një Union Politik, flet shumë. Ky fakt është reflektuar në mundësitë e dështimit të EULEX-it, si misioni më i madhë në historinë e UE-së. Por ai u reflektua ndërkohë edhe në deklarimin e qartë të kancelares gjermane në vizitën e saj në Zagreb dhe në Beograd.

Në këtë plan krijimi i një Hapësite të hapur graviteti nga një lagje shtetesh që pretendojnë thellimin e kursit të integrimeve, për Republikën e Kosovës dhe faktorin shqiptar në tërësi, është i mirëseardhur.

Shtetet me predisponim e vullnet pozitiv për integrim të mëtejshëm përveç se do t`i thellonin marrveshjet mes tyre në fusha të ndryshme, konform me dokumentet bazë të UE-së, ata do të kërkonin rrugëdalje taktike brenda vendimit për „forcimin e bashkëpunimit“ me vendet e treta, për mbajtjen e Republikës së Kosovës sa më afër me UE-në, duke i krijuar parakushte për aderim në tregun evropian, por edhe pjesëmarrje në programe tjera lehtësuese. Ndërkaq, duke gjykuar veprimin këmbëngulës të pesëshes evropiane kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe me këtë krijimit të parakushtit të domosdoshëm për aderim si subjekt juridik i barabartë brenda UE-së, ata sinjalizojnë jo vetëm faktorin shqiptar, por edhe atë të Hapësirës së Hapur të Gravitetit në formim, që të ecin drejt procesit të krijimit të Federatës Shqiptare, respektivisht miratimit të saj, duke e shikuar atë si proces të natyrshëm dhe të domosdoshëm. Madje për këtë „bërthamë“ aktive të UE-së (Gjermania, Franca, Holanda, shtetet e Beneluksit…), krahas Polonisë, Çekisë, Hungarisë, Sllovenisë, Kroacisë e ndonjë vendi tjetër, Federata Shqiptare do të ishte partner në forcimin e kësaj „Hapësire të Gravitetit“. Si bllok i tillë, Hapsira e Hapur e Gravitetit do të shndërrohej në një lokomotivë tërheqëse në objektivin e saj për shndërrimin e Unionit Evropian në një Union Politik.