LAJMI I FUNDIT:

“Diktatura mediale” dhe pseudo ngjarjet e “ndarjes”!

Ka gati një javë jam duke përcjell lajmet e dy televizioneve publike, atij të Serbisë RTS1 dhe të Kosovës RTK për të analizuar, paraprakisht rrjedhën e ngjarjeve, plasimin e temave në opinionin publik në dyja vendet. Tema që më intereson ka të bëjë me kualitetin e lajmeve, radhitjen e temave dhe raportimin profesional të tyre zakonisht të “temave të nxehta”, siç janë raporti ndëretnik mes dyja shteteve, dialogu dhe përfolja e skenarit të “ndarjes” së Kosovës që do të bëhej mes Serbisë dhe Shqipërisë, (gjithnjë sipas trilogjisë serbe) të përkrahur dhe të lansuar në opinionin publik edhe nga vet kryetari i shtetit serb Boris Tadiq (Shih intervistën më 3 qershor në FAZ-gazetën gjermane).

Nëse për Serbinë paska interes dhe, vetëkuptohet, pse plasohet tema e tillë në opinionin publik, atëherë pse të ndodh kjo edhe për mediumin tonë dhe mediumet tona, cilat do të ishin pasojat nëse përditë i fryjmë zjarrit të tillë, çfarë do të arrijmë në fund? Ose, pse ndikohemi aq lehtë nga agjenda e mediumit serb, në këtë rast destruktiv dhe pse mediumi ynë e lodh publikun tonë me këto storie, skajshmërisht!


Siç dihet, në shumë raste prezantimi i një teme në media nuk është i rëndësishme vetëm për faktin se prezantohet. Rëndësia e saj matet edhe për nga renditja, sepse vet renditja, minutazhi i rezervuar për të e tregon sa është dhe sa do të jetë vëmendja jonë për këtë ngjarje dhe ndaj saj. Mirëpo, tregimi nuk përfundon vetëm me kaq. Rol të rëndësishëm, në këtë aspekt luan edhe perspektiva e qasjes ndaj një problematike të caktuar që trajtohet në lajme (Brettschneider 1994; Rössler 1977). Paraqitja e ngjarjeve përmes seleksionimit tematik dhe zakonisht kur zgjidhen disa komponente të veçanta në mënyrë selektive ato i atribuohen opinionin publik, si çështje problematike që kërkojnë zgjidhje.

Në këtë rast kemi të bëjmë me konceptin e shablloneve ose „Framing-Theorie“. Ngjarja e cila trajtohet nga një aspekt i veçantë ose brenda kornizave të caktuara e strukturojnë temën apo ngjarjen në atë mënyrë që të mund ta dirigjoi edhe mendimin apo krijimin e mendimit mbi këtë ngjarje nga ana e publikut. Pra, është vetë qasja që gazetari i jep ngjarjes, i ndikuar nga orientimi i tij politik, kulturor, përkatësia etnike, shkalla e shkollimit, rrjetit social etj. Tema e “dialogut” që për mendimi tim është agjendë shumë e qëlluar dhe në shërbim të dyja vendeve, do të duhej trajtohej seriozisht nga dy palët, por kjo nuk po ndodh, zakonisht nga RTS1. Për mediumin serb, posaçërisht kur jemi te tema e bisedimeve, ky medium nuk e trajton aq bujshëm rëndësinë e “bisedimeve teknike” dhe, nuk e di pse?

Këto ditë ishim dëshmitar se si RTS 1 i kushtoi deri në 10 deri në 15 minuta arrestimit dhe paraqitjen në Hagë të Ratko Mlladiqit dhe fare nuk u morë me bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. RTS1 anashkaloi tërësisht vizitën e presidentes së Republikës së Kosovës në Poloni dhe abstenimin e presidentit serb. Si mund të shpjegohet një devalvim i tillë gazetaresk?

Sipas teorisë së aktualizimit (H.Mathias Kepplinger 1989), i cili trajton çështjen e vëmendjes së medies ndaj një konflikti publicistik, dhe qasjen e medieve pro apo kundër këtij konflikti, na ndihmon në ketë drejtim shumë, ta argumentojmë këtë problematikë. Sipas kësaj teorie, nëse i analizojmë temat që përmendëm, RTS1(gjithnjë në lajmet qendrore të orës 19.30 sepse ato tërheqin vëmendjen apo është koha Prime time) nuk do ta përmend me asnjë fjalë temën e bisedimeve Kosove-Serbi, ashtu siç nuk do t’i kushton asnjë kronikë, as një lajm, qoftë edhe një fjali shoqëruar me fotografi, pse kryetari serb abstenoi nga takimi i Varshavës.

RTK-ja nga ana e saj, kohën më të madhe ja kushtoi vizitës së presidentes Jahjaga në Poloni. Për RTK-në, këto ditë, temë e dytë e rëndësishme ishte tema e bisedimeve. Pra, për një ngjarje politike, siç janë bisedimet, kishte paraqitje diametralisht të kundërta nga RTS1 dhe RTK. Në njërën anë kemi RTS-1 që hesht në mënyrë të paskrupullt lidhur me vizitën e krerëve shtetëror nga rajoni dhe bota në Poloni dhe më vonë në Itali, ndërsa nga ana tjetër kemi raportimin korrekt të RTK-së karshi kësaj teme. Ndërsa kur jemi te bisedimet, mund të thuhet se RTK, në mënyrë shumë të shtuar dhe të tejskajshme është duke i dhënë hapësirë bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, përderisa RTS1 nuk i kushton fare vëmendje, atëherë shtrohet pyetja, pse RTK duhet t’i torturoj shikuesit e vet me bisedimet dhe ndërsa RTS1, të mos mërzitet fare. A kanë interes dy shtetet, dy popujt që të zgjidhen kontestet teknike në mes tyre? Pse kjo qasje ndryshe, e paraqitur diametralisht kundërt?

A mund të flitet këtu për një hegjemonizëm mediatik i cili ofron informacione, raporton dhe në këtë mënyrë përforcon ideologjinë, strategjinë e klasës politike dominuese, ose ju kushton më shumë vëmendje atyre ngjarjeve që i shkojnë përshtati grupit të interesit të caktuar. Kontrolli politik që ushtrohet në këtë moment është diktatura e re (Umberto Eco). Diktatura e dikurshme totalitare e dhunshme është zëvendësuar me diktaturën mediale. Kjo lloj diktature nuk pushkaton njerëzit, nuk i internon ata, diktatura mediale ka të bëjë më shumë me kontrollin e atyre që duhet të kontrollohen, atyre që mendojnë ndryshe. Diktati është i “butë” e ka formën e bindjes së njëanshme. Në këtë diktaturë mediale ka një konsens për rastet, ajo na dikton se çfarë është e drejtë e çfarë e mundshme, dhe cilat janë veprimet e mundshme të aktorëve jashtë saj…!

Kjo hegjemoni tanimë strukturon agjendën e bisedimeve, dhe më e keqja është se kjo hegjemoni po e strukturon dhe po na dikton edhe rezultatin e “pazarit”, gjoja për ndarjen e Kosovës, si të ishte Kosova një plaçkë lufte..! Hegjemonia mediale po na e strukturon përditë e më shumë, sipas interesave të tyre, se çfarë duhet të dimë; mbi dhe rreth botës, çfarë duhet të bëjmë dhe si duhet të sillemi. Ky mekanizëm kontrollues, përmes diktaturës mediale bënë të mundshme të ruhen rrethanat ekzistuese politike.

Pyetja pse RTK merret më shumë se sa duhet me bisedimet dhe i prezanton ato aq shumë në media (tashmë po e tepron deri diku) për “ndarjen” e Kosovës, tregon se RTK tashme ju ka nënshtruar këtij diktati hegjemonist serb i cili po e dikton agjendën e temave mediale. Mediumi ynë publik me një fuqi mediale efektive me shikueshmëri, mes siguri më të madhe në vend, me trajtim të temave të tilla tej-mase, çon ujë në mulli të gabuar. Marrja apo ekspozimi i temave të tilla, tregon se mediumi ynë ka synim që të mbaj shikuesin të “hipnotizuar”, ka qëllim të kanalizoj vëmendjen e opinionit në mënyrë të detyrueshme karshi shumë problemeve ekonomike në vend që kërkojnë zgjidhje. Nëse duhet të brengoset për dialog, duhet të jetë pikërisht Serbia, ne tashmë jemi shtet i pavarur, për çfarë statusi është fjala!!! Ndërsa RTS, me qasjen e saj ndaj Kosovës, dëshiron apo lë të kuptohet se Kosova tashmë është pune e kryer, e “ndarë” dhe nuk dëshiron ta bezdis më shumë opinionin e vet edhe ashtu të tensionuar me arrestimin e Ratko Malladiqit, barrikadën e buqëve në rrugët e Serbisë.

Tema që për momentin mund të quhet e “etabluar” fatkeqësisht, për dy mediumet dhe, përkushtimin e tyre zakonisht në hapësirën e lajmeve është dhe vazhdon te mbetet, “ndarja e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë”. Migjen Kelmendi, gjatë një interviste në RTK, më 4.06.2011 e zbërtheu ngutjen dhe insistimin serb për këtë temë: pse vallë po i dhemb kaq shumë Serbisë pse ne nuk jemi bashkuar me Shqipërinë! Pasqyra e hegjemonisë mediale tanimë bazohet në përpjekjen e saj për të stabilizuar sistemin e vet dhe interesat e klasës në pushtet, pa anashkaluar skajshmërisht edhe interesat e grupeve tjera, siç mund të jetë poli ekzistues opozitar.

Agjenda e hegjemonisë mediale, kësaj radhe, për shqiptarët është temë e gabuar, tërësisht e djallëzisht nga Beogradi. Ajo do të kanalizoj gjithë vëmendjen e opinionit mediatik, jo vetëm në Serbi, Kosovë, por edhe në arenën ndërkombëtare. Gabimi ynë i parë, vije pikërisht edhe nga mediet kosovare që, për interesa të tyre ditore, nganjëherë (pse nuk kanë çka të raportojnë) vënë në rend të ditës temën e tillë, dhe lënë përshtypjen se ndarja pra “pazari” ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë për ndarjen e Kosovës tashmë është punë e kryer! Deri diku “ndarjes” mediatike i kemi shërbyer edhe vet, shih për ketë edhe plan-programin e “Vetëvendosjes”. Ose tema e ndarjes po vije në agjendë, pasi që mund të ketë edhe implikime nga jashtë për të vu në binar problemin e Vojvodinës dhe Republikën e Maqedonisë. Ndërsa klasa udhëheqëse politike në dy vendet, si ajo në Serbi dhe ajo në Kosovë shpesh e parapëlqen një tematizim të tillë politik, në mënyrë që të fitoj, apo përmes saj të tërheqin vëmendjen e votueseve (zakonisht kjo vihet në pah në Serbi) për të qëndruar tutje në pushtet me gjasë se do ta arrijnë anëtarësimin në BE.