LAJMI I FUNDIT:

Dick Marty, gazetaria dhe mëkatet e shtetit!

Po e filloj me pronësinë intelektuale (lexo: të drejtën e autorit) në Kosovë edhe pse do të thoni çfarë rëndësie ka Dick Marty me drejtën e autorit? Kjo e drejt është bërë e “drejta” që shkelet me këmbë, e më pak, e drejt që mund ta shijojmë. Nga këtu fillon të shihet fytyra jonë. E nga kjo gjendje e parregulluar ligjërisht, në shtetin tonë, ne intelektualët dhe prona jonë nuk vlerësohet, ajo nëpërkëmbet. Këtu buron edhe kualiteti i gazetarisë, zhvillimi dhe kultivimi i një gazetarie profesionale, hulumtuese, nga këtu lind dhe përforcohet ideali i gazetarisë si “pushtet i katërt”, i cili do ta kryente funksionin e kontrollit të pushtetit politik, krijimin e mendimit të opinionit publik, do ta kryente funksionin e kritikes, të zbulimit të krimit dhe zbardhjen e devijimeve shoqërore. Në mungese të kësaj gazetarie që nuk po stimulohet, jo vetëm nga shteti, por as nga pronarët e medieve, ne si shoqëri, me plotë media, televizione, radio, gazeta ditore, u dashtë vetëm ta emitojmë finalizimin e raportit të Dick Marty-t dhe askush nga ne, as ata që punojnë në medien publike dhe private, nuk bëri ndonjë hulumtim, ndonjë reportazh për gjithë ato akuzat që i ka bërë D. Marty.

Në këtë drejtim nuk bëri gjë as mediumi ynë i vetëm publik e që realisht ishte dashur të fillonte me ndonjë dokumentar nga 2004-ta kur filluan qarkullimet rreth akuzave të tilla? Në këtë mes dështoi edhe shërbimi inteligjent kosovar që do të kishte siguruar informata të bollshme lidhur me kanalizimin e rrjedhjes së informatave në drejtimin e duhur. Në këtë aspekt, pra nuk u morën me gazetari hulumtuese as TV-të private (S´paku RROKUM TV kishte debatuar dhe thënë disa sekuenca se çfarë kishte bërë B92). Të kundërtën e bënë mediumet tjera ndërkombëtare dhe bile edhe ato serbe: Pati reportazhe dhe dokumentare apo tentativa të tilla nga B92, nga BIRN etj! Shteti, qeveria nuk u morë me kampanja për t’i ftuar gazetaret qoftë edhe në mënyrë individuale për të shkruar për Kosovën. Por për pak para ja lamë radhën kundërshtareve tanë. Ne e zgjodhëm heshtjen në vend të fjalëve, në vend të pasimit të versionit tonë, të të vërtetës. Nuk angazhuam gazetarë, nuk krijuam lidhje të reja, nuk paguam honorar për ndonjë medium prestigjioz etj., por as vendas dhe nuk tentuam as vet me forcat tona të bënim emisione si kundërpërgjigje për t’i treguar botës, opinionit ndërkombëtar se cilat janë pasojat e luftës në Kosovë, pasojat e vrasjeve masive ndaj popullatës së pafajshme…!


Pse nuk lobuam që ne t’i ftojmë gazetarët ndërkombëtar të shkruaj për gjërat që ne na interesojnë, që ne të dominojmë me agjendën e temave. Të tjerët ishin me të shpejt, arritën të bëjnë për vete gazetarët që shkruan për opinionin serb. Të gjitha këto pikëpyetje mbeten pa përgjigje. Ata që janë në krye të institucionit të shtetit dhe ata që janë ne krye të mediumit publik nuk dinë t’i çmojnë informatat, transferin e informacioneve. Ja, për ketë mediumi ynë Publik tash e dhjetë vite, akoma nuk ka byro korrespodentësh në qendra të vendosjes, përveç asaj në Bruksel. Pse RTK nuk ka korrespodent në Berlin, Londër, Parisë? …Është mungesa e mjeteve financiare!? RTK-së siç më pat thënë drejtori U.D, nuk ka nevojë dhe nuk i nevojiten materiale nga jashtë, s´ka nevojë, pra mjaftohen duke shikuar vetëm brenda pjatës, edhe pse ka potencial kuadro të përgatitura në universitetet evropiane dhe këta sot te rinj nuk u jepet hapësirë në mediet tona.

Tanimë edhe fëmijët 5 vjeçar e dinë se arma më e fortë për të sunduar botën është informacioni, pra jetojmë në botën e informacionit, ndërsa ne bëjmë më së paku për ta akumuluar dhe menaxhuar atë. Por pse vallë ne nuk mundemi të kemi qasje mbi atë se çfarë po “zihet” brenda dhe jashtë Kosovës? Me këtë gazetari dhe qasje romantike as qe kemi shans të ecim me të tjerët. Ne kemi shumë probleme. Në radhë te parë, me sa shihet Kosova nuk ka dëshirë te komunikoj me botën, sepse ka shumë probleme dhe pa i zgjidhur ato më thelbësoret nuk ka çfarë kërkon më tej. Këto ditë (20.01.2011) edhe shoqata, apo asociacioni i gazetareve të Kosovës po angazhohet për të drejtat e gazetarëve, për zbatimin e ligjit të punës. Ndërsa debatohet për ligjin e Punës, nuk respektohet e drejta e autorit. Gazetari ynë jeton akoma pa sigurim social dhe shëndetësor ashtu si kolegët e tij në Afganistan. Çfarë po bënë shteti ynë, për të ngjallur respekt dhe për t´ia kthyer vlerën gazetarisë për ta bërë atë të radhitet në mesin e profesioneve klasike me rëndësi jetike për shoqërinë? Çfarë po bënë, shteti për të respektuar të drejtën e krijuesve, gjitha zhanreve pa përjashtim që gjithë intelektualet, gjithë gazetaret, në këtë rast, për të pasur një pronë? Shteti ynë bashkë me ata individë të “merituar” që thirren se e udhëheqin dhe janë të zgjedhur të na i rregullojnë këtë aspekt, nuk janë profesionistë, ndryshe do e kishin zgjidhur problemin në fjalë.

Siç dihet, në këtë kohë pa kohë, as shteti, as pronarët e mediumeve, por as ne, krijuesit, nuk po i respektojmë detyrimet e parashikuara me ligjin, për të drejtën e autorit. Andaj duhej të funksiononte agjencia, do të financohej qoftë edhe nga kontributet e anëtarëve me një përqindje, për t’i ndëshkuar ata që “vjedhin” huazojnë, shkrimet, emitojnë këngët, emisionet, etj., pa llogaritur honorarin për autorët. Kështu kjo Zyrë, kjo agjenci do të duhej t ndihmohej edhe nga buxheti i shtetit, nëse është e mundur dhe në këtë mënyrë do t’i mbronte të drejtat tona, të krijuesve. Por, politika, apo më mirë të themi, paria politike (qeveritare) e këtij vendi me sa shihet, nuk i kanë dhënë prioritet kësaj çështje, duke menduar se kjo punë nuk është e një rëndësie të veçantë. Dhe, fal kësaj situate kritike, ne vetvetiu, si shoqëri, po i ndihmojmë krijimit të imazhit negativ për Kosovën, andaj Kosovës, dita-ditës, po i shtohen krijuesi proletarë në shtetin e ri dhe, me ketë ne nuk po ecim rrugës drejt civilizimit perëndimor, por drejt lindjes, drejt kaosit dhe nihilizmit.

Qeveria e Kosovës, ka mundësi që ta rregulloj këtë domene, dhe mos të harroj se edhe kjo çështje është politikë, apo më shumë se kaq. Në rast se shteti ynë planifikon ta firmos Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nuk do të mund ta kaloj semaforin pa i plotësuar kërkesat e BE-së. Ne që bartim përgjegjësinë për të nesërmen e fëmijëve tanë, nuk duhet të shkelim mbi vlera, nuk duhet të jemi plan-prishësit e mirëqenies njerëzore. Ne nuk duhet të jemi kundër “një tregu të përbashkët ekonomik” evropian e global dhe, nesër, e drejta e autorit në legjislacion është tradita perëndimore dhe do të jetë kohezioni shoqëror i të nesërmes për brezat që do vijnë, pas nesh.