LAJMI I FUNDIT:

Dialogu politik me Serbinë – paraskenat dhe prapaskenat e tij

Nuk është kohë e largët sa të mos na kujtohet koha e fillimit të të ashtuquajturit dialog teknik Kosovë-Serbi. Të gjithë e kanë të lehtë ta kujtojnë se sa debatet e polemikat u zhvilluan në Kosovë rreth tij. Duhet të ketë apo s’duhet të ketë dialog me Serbinë? Do të bëjmë dialog politik apo vetëm për çështje teknike? Do të fitojë Kosova apo Serbia nga ky dialog? Etj… Zhurmë ka pasur shumë, por veprime të mençura aspak! Kosova hyri në dialog me Serbinë tërësisht e papërgatitur. Forcat politike, të barrikaduara në istikamet e interesit partiak, nuk arritën ta hartojnë një platformë për bisedime. E bisedimet megjithatë u zhvilluan… Në dialog të papërgatitur. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk duhet të na përsëritet më!

Që nga vendimi i prerë i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me normat ndërkombëtare, Serbia, e vetëdijshme për pasojat e një vendimi të tillë, në arenën ndërkombëtare ka luajtur një lojë sa djallëzore, aq edhe të dobishme për të. Ka vazhduar ta mbajë në kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të Serbisë, e në të njëjtën kohë tërë diplomacinë e ka futur në funksion të arritjes së dy qëllimeve të veta shtetërore: të arrijë sa më tepër që të jetë e mundur për serbët e veriut të Kosovës (status special, autonomi apo diçka të ngjashme, me çka do t’i përcaktonte edhe juridikisht vijat etnike për një ndarje të mundshme të nesërme) dhe të bëjë hapa sa më të shpejtë drejt BE-së. Për realizimin e hapit të parë, pra për një lloj të autonomisë në veri të Kosovës, Serbia nuk ka asnjë nevojë për dialog me Kosovën. Serbët në veri të Kosovës aktualisht kanë më tepër se autonomi e madje edhe më tepër se republikë.


Qëllimet e veta shoviniste në veri të Kosovës Serbia po i realizon thuajse e papenguar. I ka dëbuar shumicën e shqiptarëve nga pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave përreth, e tani është në fazën e blerjes së pronave të tyre. Nevojë dhe interes të vetëm për dialog me Kosovën Serbia e ka përshpejtimin e fazave të hyrjes në BE. Në anën tjetër, Serbia as që do t’ia dijë për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), çështje të cilën me çdo kusht dëshiron ta mbajë të mbyllur si çështje të brendshme të saj.

BE dhe ShBA janë pala e dytë e interesuar për një dialog politik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Duke i parë qëllimet e Serbisë dhe metodat e saj për realizimin e tyre, BE dhe SHBA duan që me çdo kusht ta shkëpusin Serbinë nga ndikimi i Rusisë dhe këtë do ta realizojnë qoftë edhe duke i përmbushur disa nga ambiciet shoviniste të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Prandaj, do ta vazhdojnë presionin për një dialog dhe për kompromise në drejtim të autonomisë së veriut të Kosovës.

Realisht, pala që ka më së tepërmi nevojë për dialogun Kosovë-Serbi është vetë Kosova dhe shqiptarët. Territori i veriut të Kosovës është juridikisht brenda Kosovës dhe në një pjesë të tij është duke vazhduar spastrimi etnik i shqiptarëve. Mitrovica është padrejtësisht e ndarë. Fshatrat më veriore shqiptare kanë mbetur nën mëshirën e shovinistëve serbë. Shqiptarët në Kosovën Lindore janë nën një represion të vazhdueshëm me të vetmin qëllim shpërnguljen e tyre nga trojet stërgjyshore. Të gjitha këto çështje deri më tani janë heshtur në arenën ndërkombëtare. E meqenëse qe 13 vjet pas lufte kapacitetet kosovare të sigurisë kanë mbetur plotësisht të varura nga prania e armatosur ndërkombëtare dhe meqenëse faktorët ndërkombëtarë jo vetëm që e përjashtojnë vetë imponimin me forcë të rendit dhe ligjit në veri – por një gjë të tillë ua kanë kërkuar me vendosmëri edhe përfaqësuesve politikë të Kosovës, – praktikisht vetëm se po se sillemi në një rreth vicioz.

Veriu i Kosovës – ashtu siç është sot – nuk është asgjë tjetër veçse një sëmundje kanceroze për Kosovën. Si i tillë, ai po u kushton shqiptarëve shumë, si në stabilitetin politik, si në zhvillimin ekonomik, si në integrimet kombëtare edhe në ato ndërkombëtare. Nga kjo gjendje duhet dalë sa më shpejt që të jetë e mundur. Një dialog me Serbinë, i monitoruar nga faktorët ndërkombëtarë, do të ishte rasti më i mirë për t’i shtruar për zgjidhje të gjitha këto çështje. Kosova, si shtet i pavarur, do të duhej vetë ta kërkonte një dialog të tillë për t’i shtruar këto çështje të rëndësishme për interesin kombëtar.

Ajo që Kosova ka më së tepërmi nevojë para dialogut me Serbinë është dialogu në mes të forcave politike të saj. Kosova ka nevojë për një unitet sa më të madh përballë situatës aktuale. Për ta arritur këtë, është e domosdoshme që forcat politike të Kosovës, së bashku me përfaqësuesit legjitimë të Kosovës Lindore, t’i lënë anash interesat e ngushta partiake e grupore e të mblidhen në një tryezë të përbashkët për ta hartuar një platformë politike për bisedime me Serbinë, ku do të shprehej qartazi interesi kombëtar i Kosovës dhe i popullit shqiptar në këto bisedime. Natyrisht, kjo platforme do të duhej të miratohej fillimisht nga qeveria, e pastaj edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Lëvizja për Bashkim para dy vitesh (gusht 2010) ka hartuar Platformën Politike për Zgjidhjen Përfundimtare të Çështjes Shqiptaro-Serbe, ku e parasheh dialogun politik si mundësi për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës dhe të çështjes shqiptare në Kosovën Lindore. Ideja që e përshkon tejpërtej këtë platformë është zgjidhja e çështjeve që kanë mbetur të pazgjidhura në mes të serbëve dhe shqiptarëve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Janë tri çështje që shqiptarët dhe serbët, apo Kosova dhe Serbia, duhet t’i zgjidhin ndërmjet veti nëse vërtet e duan stabilitetin e vet politik, zhvillimin ekonomik, e sidomos integrimet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura e që duhet të zgjidhen dhe mund të zgjidhen me dialog, janë: çështja e veriut të Kosovës (Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok) dhe çështja e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Çështja e tretë në raportet mes serbëve e shqiptarëve është ajo e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Aty është kryer spastrimi etnik i shqiptarëve dhe shqiptarët duhet të kthehen pa asnjë kusht në pronat e veta, me çka do të krijoheshin kushtet për bashkimin e këtij qyteti të ndarë padrejtësisht. Ndërsa, kur është fjala për veriun e Kosovës dhe Kosovën Lindore, këto çështje kanë ngjashmëri të plotë për sa i përket statusit shoqëror të banorëve në të dyja territoret dhe pala shqiptare duhet të ngulë këmbë që, në kërkimin dhe gjetjen e zgjidhjes për veriun, të mos lejojë të përdoren standarde të dyfishta. Ajo duhet të ngulë këmbë që të gjitha të drejtat që Serbia dhe serbët po i kërkojnë në veri të Kosovës, të zbatohen edhe për shqiptarët e Kosovës Lindore.

Në këtë mënyrë, pra me zbatimin e reciprocitetit në të drejta, si për shqiptarët ashtu edhe për serbët – respektivisht, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë – jo vetëm që zgjidhen çështjet drejt, por edhe lehtësohet zgjidhja e tyre. Në të kundërtën, nëse pala shqiptare, respektivisht Kosova, hyn në dialog vetëm për veriun e Kosovës, apo vetëm për të drejtat e serbëve, natyrisht se do të dalë e humbur dhe pasojat do të jenë afatgjata. Një dialog i tillë duhet të refuzohet kategorikisht.

Rreziku i vërtetë Kosovës nuk i vjen nga bisedimet politike, por nga agjenda e bisedimeve. Prandaj, faktori politik shqiptar, përballë kësaj situate duhet të sillet me përgjegjësinë maksimale. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet që ta trajtojnë seriozisht situatën nëpër të cilën po kalojmë dhe të organizojnë një tryezë konsultuese të partive politike shqiptare të Republikës së Kosovës dhe të subjekteve politike shqiptare të Kosovës Lindore, ku do të harmonizohej platforma për bisedimet politike Kosovë-Serbi, e cila do t’iu shërbente përfaqësuesve të Kosovës si udhëzues për ato bisedime. Nëse sërish hyjmë në bisedime pa një konsensus kombëtar dhe pa një platformë për bisedime, dëmet nga bisedimet politike Kosovë-Serbi do të jenë shumë të mëdha.