LAJMI I FUNDIT:

Despoti dhe diplomati

Despoti dhe diplomati

Në vitin 2005, kur isha kryenegociator-ve i SHBA në bisedimet gjashtëpalëshe mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, pashë instruksionet për takimin tim të parë, një banket i organizuar nga kinezët që përfshinte një delegacion koreanoverior. Nëse do të kishte dolli (jo të padëgjuara në banketet kineze), nuk duhej t’i bashkohesha. Mesa duket pritej që unë të rrija ulur, pa prekur gotën, duke parë i ngrysur me duart e kryqëzuara duke pritur që të tjerët të ulnin gotat. Më vonë, kur vizitova Korenë e Veriut për herë të parë, u udhëzova të mos i buzëqeshja mikpritësve të mi. Mesa duket pritej që unë të ofroja vetëm shikime të zemëruara.

Donald Trump qartazi i ka modifikuar ato udhëzime. Në fakt, me vlerësimet e tij të pafundme për lidershipin e Kim Jong-unit, përshëndetjen e tij të improvizuar dhe të ngathët ndaj një prej gjeneralëve të Kimit dhe përqafimit të tij ndaj gjërave që koreanoveriorët bëjnë (veçanërisht potenciali për ndërtime në plazh), Trumpi ka hequr dorë nga çdo pretendim se SHBA promovon një grup vlerash më të gjera. Por, ndërsa Trumpi mund ta ketë tepruar, ideja që delegacioni amerikan duhet të rrijë i ulur me gotat e paprekura gjatë një dollie gjithashtu paraqet një ton të gabuar.


Në shtator 1995, gjatë muajit të fundit të luftës së Bosnjës, delegacioni amerikan për bisedimet e paqes, kryesuar nga ndihmëssekretari i Shtetit, Richard Holbrooke, mbërriti në Beograd për bisedime me diktatorin e Serbisë, Sllobodan Milosheviq. Sipas Millosheviit, ai nuk mund t’i detyronte serbët e Bosnjës të tërhiqnin armatimet e rënda dhe të braktisnin rrethimin e përgjakshëm katërvjeçar të Sarajevës. Ai kërkoi nga Holbrooke të takohej me liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të dy më pas të dënuar për krime lufte. Holbrooke e pyeti atë ku ishin. “Atje në atë vilë”, u përgjigj Millosheviq. “T’i thërras?”

Holbrooke na mblodhi të gjithëve me ngut për ta diskutuar. “Duhet t’i takojmë?” më pyeti ai. “Nëse po, a duhet t’u jap dorën?” Duke menduar për qindra mijëra qytetarët e Sarajevës – shumë prej të cilëve të vrarë dhe ata që përballeshin me urinë si rezultat i rrethimit – iu përgjigja, “Jepja dorën dhe ta mbyllim këtë gjë e të shkojmë në shtëpi”. Kështu bëmë. Rrethimi i Sarajevës u hoq të nesërmen.

Sado të ndihmojë ose jo, dhënia e dorës, nga ana tjetër negocimi duke i treguar dikujt grushtin ka rezultuar jo shumë i suksesshëm. Gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang në Korenë e Jugut, zëvendëspresidenti Mike Pence pritej të takohej me delegacionin koreanoverior. Ndoshta për të mbuluar kurrizin në atdhe, Pence foli disi ashpër para takimit. Koreanoveriorët e anuluan, si për të thënë se ç’kuptim do të kishte takimi?

Gjatë periudhës që jam marrë me bisedimet gjashtëpalëshe, kam shmangur përfshirjen në kritikat ndaj Koresë së Veriut. E dija se së shpejti – çdo javë – do të më duhej t’i takoja sërish dhe ndërsa një shfaqje kritike do të më ndihmonte në Uashington, në terren nuk do të ofronte aspak bashkëpunim, duke rrezikuar kështu punën për të negociuar fundin e programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ka një dallim të madh mes të folurit ashpër në televizion dhe takimit përballë me koreanoveriorët. Diplomacia direkte është një mjet serioz për një qëllim serioz. Mbajtja e pozicionit nga distanca nuk është pjesë e tij.

Ndonjëherë gjuha e trupit është e vështirë për t’u kuptuar. Si ambasador i SHBA-ve në Irak, udhëzimet që merrja nga Uashingtoni rrallë vinin me ndonjë kuptim paraprak të përgjegjësisë për rezultatin. Më ishte thënë se puna ime përfshinte ndihmën për opozitën irakiane që të hiqnin kryeministrin e atëhershëm Nuri al-Maliki. Zyrtarët amerikanë në takimet në Uashington silleshin ashpër, si atletët e gjimnazit në dhomat e zhveshjes që i binin dollapëve përpara një ndeshje të madhe. Por, kur vinin në terren dhe takoheshin me Malikin, ata nuk i jepnin atij arsye për të besuar se ia donin të keqen.

Rrija në takime të tilla duke parë Malikin që më shihte, duke pyetur përse më parë e kisha paralajmëruar për uljen e durimit të qeverisë së SHBA me sundimin e tij autokratik dhe për pasoja të ashpra. Ndërkohë, vizitorët nga Uashingtoni mbanin një qëndrim delikat, nuancat e të cili Maliki do t’i kuptonte vetëm përmes ndonjë pajisje ç’kodimi.

Çdo diplomat duhet të ketë qëllime në një negociatë në emër të vendit të tij apo saj, që do të thotë se duhet të jetë i qartë rreth rezultatit përfundimtar dhe mënyrës më të mirë për ta arritur atë. Në Singapor, çështja ishte programi bërthamor i Koresë së Veriut. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

Koha do ta tregojë nëse koreanoveriorët kanë të njëjtin afeksion për Trumpin si ai ndaj tyre. Kimi dha shumë pak dhe me gjasa ishte i shtangur kur, për herë të parë, një president amerikan mori për të mirëqenë ankthin e supozuar të Koresë së Veriut rreth stërvitjeve të përbashkëta ushtarake SHBA-Kore e Jugut (që koreanoveriorët dinë të mbrohen). Ishte një lëshim shumë i madh që në një mënyrë apo në një tjetër duhej marrë me rezervë. Më gjerësisht, një kornizë për paqen dhe sigurinë që përfshin të gjitha palët e prekura direkt – Korenë e Jugut, Japoninë, Rusinë dhe Kinën – duhet projektuar.

Ngjashmërisht, historia e të drejtave të njeriut të Koresë së Veriut, një nga më të këqijat, duhet të trajtohet në të ardhmen – mbase, siç sinjalizova dhe unë në bisedimet gjashtë-palëshe, si një përbërës i marrëdhënieve diplomatike në vazhdimësi. Por, për tani, programi bërthamor i Koresë së Veriut duhet të jenë në krye të agjendës.

Nëse qasja e Trumpit do të funksionojë me Korenë e Veriut kjo do të varet nga diplomacia që pason samitin e Singaporit. Topi është i yti, sekretari i shtetit Mike Pompeo. /Project Syndicate/BIRN/