LAJMI I FUNDIT:

Çfarë është dinjiteti?

Çfarë është dinjiteti?

Nga: Ervina Toptani

Po sjell një shembull të vogël mes dhjetëra që kam njohur e parë në jetë …


Kishim një mik ne në familje dikur, them dikur sepse sot nuk jeton më. Quhej Bajram, një burrë i urtë, punëtor, baba i dy vajzave e bashkëshort i një gruaje tepër të vuajtur si ai vetë. Bajrami ishte djalë i një tregtari i cili u dënua me pushkatim dhe natyrisht familja e tij u internua. Edhe Bajrami vetë pas disa vitesh u burgos e bëri dhjetë vjet burg, katër prej të cilave në të njëjtën qeli me dajën tim.

Pas disa vitesh që doli nga burgu e jetën familjare e kishte me po aq vuajtje sa brenda burgut, e thërret sigurimi i shtetit dhe i kërkojnë që të bashkëpunonte me ta për t’i ndihmuar ata të gjenin “elementët reaksionarë” brenda rrethit shoqëror të Bajramit e për t’i asgjësuar ata.

E thërrisnin shpesh gjatë atij muaji dhe sigurisht që kthehej prej atje me shenja në trup e fytyrë. Zgjati ca kohë “përpunimi” i Bajramit e në fund ai firmosi se do të bashkëpunonte me ta. Ditën tjetër Bajrami u kërkoi të gjithë miqve e familjarëve që të mos i shkelnin më në derë, madje e kërkoi me ngulm e nerv këtë gjë, e fillimisht qenë të shumtë miqtë që u zemëruan me Bajramin.

Mbeti i vetëm Bajrami, askush nuk i shkelte më në derë, por në të njëjtën kohë dhe ai vetë nuk doli më nga shtëpia.

Kësisoj Bajrami nuk pati kurrë asgjë për t’i thënë sigurimsave e mundi të mbrojë dhe ato çka kishte më të shtrenjtë, vajzat e tij.

Po si ndodhi që firmosi Bajrami për sigurimin?

Sigurimsat pasi e kishin provuar me javë ta bindnin Bajramin me mënyrat e tyre te forta, rrahje e tortura, kur e panë se nuk kishte ndër mend të dorëzohej, i thanë se haraçin e mosbindjes së tij do e paguanin vajzat, njëra 17 e tjetra 15 vjeçe. Ia lidhën të bijat në karrige para syve të tij, të zhveshura lakuriq, dhe katër sigurimsa prisnin të kryenin akte të dhunshme turpi me të miturat. Bajrami firmosi menjëherë!

Pas disa muajsh që jetonte i mbyllur brenda në shtëpinë e tij të varfër, për të mos iu dorëzuar përbindëshave të kuq, për të mos parë lemeri me të bijat e për të mos tradhtuar asnjë mik a të njohur, Bajrami i mirë u hodh nga kati i pestë i një pallati. Ai u largua nga kjo botë që i jepte çmime të majme vetëm ligësisë. Vdiq me dinjitetin e një shqiptari që nuk vijnë më në kohët tona!

Kur përmendej emri i tij në shtëpinë tonë, ulnim kokën në shenjë respekti për të e familjen e tij.

Raste si ky kam njohur mjaft gjatë jetës, që i përkasin një epoke kur të rinjtë e sotëm pak dinë prej saj, a thua se kanë kaluar mijëra vjet ndërmjet. Dinjiteti ruhet edhe në kushte ekstreme, edhe kur sheh vdekjen me sy, sepse mendoj se kur nisesh për në botën tjetër, dinjiteti është e vetmja gjë që marrim me vete, por e lemë dhe prapa njëkohësisht.

Unë jam rritur mes njerëzve si Bajrami dhe e kam prekur me dorë vuajtjen e dhimbjen e tyre. Ndaj më dhemb çdo ditë Shqipëria, se më dhembin varret e tyre e më dhemb në shpirt ende dhimbja e tyre e patretur.

P.S. ishin shqiptarë ata të sigurimit, edhe ata që i torturonin, edhe ata që u përdhunonin fëmijët e mitur, edhe ata që i ndërsenin e i ushqenin të tilla kafshë, edhe ata që i spiunonin njerëz si Bajrami, edhe ata që paguheshin për të vrarë, edhe ata që firmosnin urdhra të tillë, ishin të gjithë shqiptarë, si Bajrami, si unë, si ti …