LAJMI I FUNDIT:

Besimi: Me rishikimin e buxhetit përkrahim rritjen e pagave dhe pensioneve

Besimi: Me rishikimin e buxhetit përkrahim rritjen e pagave dhe pensioneve

“Me përkrahjen e rishikimit të buxhetit, jepet përkrahje për rritjen e pensioneve, mjetet shtesë për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, mjetet për kompanitë për përkrahjen e rritjes së pagave në sektorin privat, mjetet shtesë për bujqit që i referohen rritjes së rendimenteve dhe stabilizimit të çmimeve të produkteve ushqimore, si dhe mjetet që i referohen masave të reja antikrizë për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe mbrojtjen e ekonomisë nga goditjet e krizës aktuale të çmimeve”.

Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në paraqitjen e tij për rishikimin e buxhetit, që shqyrtohet ditën e sotme në seancë plenare në Kuvend. Besimi tha se me këtë propozim do të arrihen dy qëllime shumë të rëndësishme.


“Së pari, do të ruajmë stabilitetin makroekonomik, i cili është thelbësor për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të çdo ekonomie dhe së dyti, do ta përkrahim rikthimin e ekonomisë në nivelin e para pandemisë, si dhe ruajtjen e sigurisë sociale për qytetarët tanë”, theksoi Besimi.

Me rishikimin, të hyrat e përgjithshme për vitin 2022 planifikohen në nivel prej 245.8 miliardë denarë dhe janë rreth 6.9 miliardë denarë më të larta se projeksionet fillestare, ndërsa shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 288.5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë se projeksionet fillestare me planin për vitin 2022.

Me rishikimin, te transfertat rrjedhëse planifikohen korrigjime në rritje për rreth 19 miliardë denarë Këtu planifikohen mjete për masa antikrizë, si dhe masa të tjera për përkrahje të targetuar për tejkalimin e krizës.

“Nëse pakoja e parë e masave do të ishte e përgjithshme me qëllim të ngadalësimit të spirales inflacioniste, masat vijuese do t’i referohen më shumë grupeve të caktuara që janë më të prekura nga kriza dhe se pa ato masa nuk mund t’i tejkalojnë këto efekte. Në fakt, ky është rekomandimi i institucioneve financiare ndërkombëtare, si FMN-ja, Banka Botërore, por edhe BE-ja – që të veprohet me masat ndaj kategorive të synuara”, theksoi ministri Besimi.

Në kuadër të këtyre mjeteve financiare planifikohet përkrahje financiare shtesë në vlerë prej 4.7 miliardë denarëve për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushte të zgjatjes së krizës në tregun botëror të energjensave dhe produkteve bazë.