LAJMI I FUNDIT:

Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë!

Bëje një fëmijë, shpëtoje Shqipërinë!
Ilustrim

Enio Civici

Shqipëria nuk ndodhet në kushtet e shfaqjes së një eventi të nivelit shfarosës dhe për këtë duhet të jemi të qartë. Secila deklaratë, lajm apo individ që i qëndron këtij arsyetimi, ka qëllime të tjera dhe asnjëra prej tyre nuk lidhet me shqetësimin e largimit të shqiptarëve apo uljes së lindshmërisë së tyre. Por, pavarësisht agjendave alternative, moslindja dhe emigrimi janë alarme serioze që duhen konsideruar më seriozisht se shumë probleme të tjera “shqiptare”. Revista “SCAN” doli me titullin e këtij shkrimi disa muaj më parë e duket se nuk ra në veshë të shurdhër. Pas një kurioziteti frenetik gazetaresk, Kryeministri Rama ditën e djeshme shpalli vendimin e qeverisë për të disafishuar “çekun e bebeve” dhe për ta kthyer këtë pagesë nga të sheshtë, në progresive. Të gjithë çiftet që lindin nga 1 janari 2019 do të përfitojnë 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin.


Pse erdhi ky vendim?

Askush nuk mund të mohojë se kjo është një përgjigje ndaj shifrave shqetësuese të publikuara nga INSTAT-i në 18 muajt e fundit. A e dini se numri i lindjeve në Shqipëri në tremujorin e dytë të këtij viti ishte 25% më pak se viti i kaluar? A e keni mësuar se në vitin 2017 Shqipëria kishte 15 mijë banorë më pak? Sa prej nesh e dinë se në 12 muajt e fundit kemi rreth 1% më pak njerëz nën 14 vjeç dhe pothuajse 1% më shumë njerëz mbi 65 vjeç? Sa prej jush janë të ndërgjegjshëm se Bashkimi Europian projekton një Shqipëri me forcën më të vogël të aftë për punë deri në vitin 2050? A e dini se vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti janë 1500 shqiptarë që kanë aplikuar për azil vetëm në Francë? Këto janë fakte të mjaftueshme për të sjellë dhimbjen e kokës në qeveri, parlament, opozitë, shoqëri civile dhe në secilin individ të kësaj Republike.

A është “bonusi i bebeve” një politikë publike-sociale kundër këtyre problemeve? Përcaktimi i një shume parash të barabartë pothuajse me një rrogë mesatare mujore shqiptare është një vendim, jo një politikë. Pagesa për familjet që shtohen është vetëm qershia, ndërkohë që torta e popullsisë vazhdon të tretet. Nëse një qeveri kërkon të ushqejë dhe mbi të gjitha të frymëzojë njerëzit për të qenë të angazhuar në zhvillimin e vendit të tyre, nuk duhet të sillet si kompani lotarie, e cila kujt i bie bileta, shtatzënia, i jep çmimin në lekë. Serioziteti me gjëmën e tkurrjes së popullsisë duhet të jetë më i madh se kaq. Sigurisht që kjo pagesë e rritur dhe progresive është një element pozitiv, por aspak i mjaftueshëm. Për të ndërtuar antidotin e duhur ndaj sëmundjeve shqiptare të shekullit të 21-të duhen ngritur pyetjet e duhura të shoqëruara me përgjigjet e drejta. Pse shqiptarët po lindin më pak? Sepse një pjesë e vogël kanë rritur nivelin e jetesës, ndërsa një pjese e madhe përballet me kosto të fshehura ekzistence administrative, të cilat kushtëzohen nga korrupsioni, paqartësia dhe abuzimi me pronën, mungesa e meritokracisë etj.

Pse kemi më pak të rinj dhe më shumë të plakur? Sepse shqiptarët që munden, edhe për faj të tyre, po zgjedhin të largohen pasi kushtet e punësimit i përqafojnë pa zbatuar kodin e punës, përballen me punësimet sipas partive dhe dështojnë të arrijnë të kenë të ardhura të mjaftueshme për të gëzuar një jetë dinjitoze. Pse shqiptarët janë vendi i dytë pas Afganistanit, i cili ndodhet prej 10 vjetësh në luftë për të kërkuar azil në Europë? Sepse Shqipëria gjithashtu është një vend në luftë, jo ushtarake, por politike. Një klasë politike që prej 30 vjetësh e ka të pamundur të gjendet e bashkuar në identifikimin dhe adresimin e sfidave të ashtuquajtura kombëtare.

Si do të ishte e plotë një politikë publike që kërkon të rikthejë entuziazmin e të jetuarit në Shqipëri? Lufta kundër korrupsionit të vogël dhe atij të mesëm është një veprim i duhur. Rritja e ndërgjegjshme e të ardhurave për pjesën vulnerabël të shoqërisë, si ata me të ardhura minimale dhe pensionistët, është ideale për të stimuluar konsumin e për pasojë pozitivitetin popullor. Zgjidhja përfundimtare e pronësisë do të sillte gjithashtu qetësinë mendore dhe financiare të secilit prej nesh nga Vermoshi në Konispol. Siguria në punë dhe mbi të gjitha siguria fizike e garantuar do të ishin sjellje konkrete pro jetës, pro të jetuarit në Shqipëri. Sigurisht që këto sfida nuk zgjidhen me një ligj, por me angazhimin politik dhe personal të të gjithëve, parti dhe popull, në frymën pro Shqipëri që po mungon përditë e më shumë. A është momenti që në Shqipëri të ketë një frymë kombëtare kundër largimit dhe pro lindjeve? Jemi rreth 10 vjet me vonesë për këtë, por gjithsesi kemi ende shanse për të ndaluar zvogëlimin. Shumë shtete janë përballur me tkurrjen e popullsisë si pasojë e lindjeve të ulëta apo emigrimit dhe asnjëra nuk ka ndenjur duke parë lart në qiell. Maqedonia fqinje, Singapori i largët, Danimarka, Polonia apo Italia, të gjithë janë shtete, të cilat përveç sloganeve interesante, e kanë përballuar plakjen dhe uljen e popullsisë me politika ekonomike që fillojnë me subvencione për shtëpi të mëdha dhe mbarojnë me rroga të përmuajshme deri në moshën 18-vjeçare për secilën lindje

Krahas zvogëlimit, Shqipëria sot përballet dhe me plakjen e saj, pasi mosha mesatare e shqiptarëve ka arritur në 35 vjeç , ndërsa INSTAT ka parashikuar se në vitin 2031, nëse vazhdojmë të jemi indiferentë dhe pothuajse të tredhur, mosha mesatare do të jetë 42 vjeç. Kur 70% e popullsisë të jetë mbi 30 vjeç, Shqipëria do të ketë edhe më shumë probleme, për këtë të jeni të sigurt.

Deri më sot kishim një opozitë që i ngrinte problemet e uljes së lindshmërisë dhe emigrimit vetëm për të goditur qeverinë dhe në anën tjetër, një qeveri që hiqej sikur pikërisht ky problem nuk ekzistonte. Nga dje, me nismën e rritjes së konsiderueshme të pagesës për lindjet, ne mund të guxojmë të pretendojmë disa syresh politikëbërës më të ndërgjegjshëm për asfiksimin e kapitalit njerëzor në këtë shtet.