LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Ligji për Pagat dhe shpenzimet joproduktive rrezikojnë rritjen ekonomike në Kosovë

Banka Botërore: Ligji për Pagat dhe shpenzimet joproduktive rrezikojnë rritjen ekonomike në Kosovë

Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2020-2021 të jetë afër 4 për qind. Ky parashikim është për 0.2 për qind më i ulët se parashikimi paraprak i këtij institucioni.

Në raportin “Pasiguria në rritje” për Ballkanin Perëndimor, thuhet se rritja ekonomike prej 4.2 për qind, siç kishte parashikuar më parë, mund të rrezikohet nga vonesat në planin e investimeve kapitale për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe kostoja më e lartë se sa që është parashikuar e Ligjit të ri për Paga në Sektorin Publik.


Kontributi i investimeve në rritjen ekonomike parashihet të jetë vetëm 1.1 për qind, sepse vonesa në miratimin e Ligjit të Buxhetit shkaktoi vonesa në ekzekutimin e planeve të investimeve publike.

“Zgjedhjet e vitit 2019 mund të vonojnë më tej ekzekutimin e buxhetit për investime kapitale. Pavarësisht rritjes së fortë të eksporteve të shërbimeve, eksportet neto pritet të bien për 1.4 për qind”, thuhet në raport.

Banka Botërore tërheq vërejtjen se pagat më të larta në sektorin publik mund të bëjnë presion mbi pagat në sektorin privat, gjë që mund të minojë konkurrueshmërinë e eksportuesve kosovarë.

“Disa projekte të mëdha të investimeve publike pritet të përparojnë, veçanërisht ato të financuara nga institucionet ndërkombëtare. Në vitin 2020, pagat më të larta publike, remitencat dhe huadhënia për konsum pritet të mbështesin konsumin më të lartë. Investimet private pritet të rriten. Mirëpo, duke pasur parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve të rinj që hyjnë në tregun e punës, vetëm shpenzimet më të larta publike nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur ndjeshëm shkallën e lartë kronike të papunësisë. Reformat do të duhej të drejtohen kah përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve; shënjestrimi më i mirë i programeve të mbrojtjes sociale; investimi i shtuar në arsim dhe shëndetësi; angazhimi dhe punësimi i të rinjve dhe grave; ngritja e produktivitetit duke adresuar barrën rregullatore mbi bizneset dhe duke përmirësuar sistemin gjyqësor; adresimi i korrupsionit; dhe forcimi i qëndrueshmërinë mjedisore”, thotë Banka Botërore, përcjell Telegrafi.

Sipas kësaj banke, shpenzimet për kategoritë sociale, shpenzimet joproduktive të kapitalit dhe performanca potencialisht më e ulët e ndërmarrjeve në pronësi publike mund të shkaktojnë rreziqe fiskale.

Banka parashikon që konsumi privat të rritet për 2.9 për qind, falë shkallës më të lartë të huadhënies për konsum, remitencave dhe pagave në sektorin publik, ndërsa konsumi publik pritet të rritet për 1.6 për qind.

Raporti i Bankës Botërore, i cili hartohet dy herë në vit, përfshin zhvillimet më të fundit ekonomike, parashikimet afatmesme dhe politikat zhvillimore në Kosovë dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. /Telegrafi/