LAJMI I FUNDIT:

Aylani i harruar!

Aylani i harruar!

Ditën kur fotografitë e trupit të pajetë të Aylanit të vogël – të shtrirë përmbys ne brigjet e Bodrumit të Turqisë – mbushën ballinat e gazetave dhe ekranet televizive, revista gjermane “Spiegel” vendosi mbishkrimin: “Nëse kjo fotografi nuk e ndryshon botën, atëherë kemi dështuar të gjithë”.

Në shenjë revolte, gazeta më e shitur në Gjermani, “Bild”, vendosi të dalë në treg pa fotografi. Drejtuesit e kësaj gazete përkujtonin se dekada më parë ishte fotografia bardhezi e vajzës së vogël vietnameze – që vraponte lakuriq para ushtarëve – ajo që e ka shpërfaqur neverinë ndaj luftës më shumë se çdo fjalim politik dhe çdo fjalë e shkruar. Gazeta shkruante se bota duhet ta shohë të vërtetën në mënyrë që të ndryshojë!


Aylani sivjet do të ishte katërvjeçar, por nuk e pati fatin e Kim Phuc-it që – kur të mbushte 53 vite, aq sa i ka tash – të rrëfente për tmerrin që e kishte përjetuar në kërkim të një strehe të sigurte për jetë. Fjalët ai do të mundte t’i rendiste ndryshe, ama kuptimi i tyre do të ishte i njëjtë me fjalët e Kim-it: ”Nuk e harroj kurrë atë ditë të tmerrshme teksa vrapoja nga jeta në vdekje”!

Aylan-i e Kim-i, njëri i vdekur e tjetra e gjallë, kishin rreth pesë dekada dallime në moshë, por si para pesëdhjetë viteve, e si sot, bota vazhdon të mos e shohë të vërtetën e stampuar në fotografi.

Sot, kur shënohet Dita e Refugjatëve, Komisariati i Lartë për Refugjatët në OKB tregon se në vitin e kaluar jo më pak 65,3 milionë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë ose vendi i tyre – për shkak të luftërave dhe persekutimit. Secili prej tyre bart një histori tmerri me vete. E, pjesa e botës së civilizuar bën koncesione me shtetet që vunë telat me gjemba nëpër kufijtë e tyre për të mos i lejuar refugjatët t’ju futen në territore. Të tjera shtete paguhen për t’i mbajtur të pastrehët nëpër shatorë, vetëm për t’ua prerë rrugën drejt Perëndimit. Gjashtë miliardë euro Turqia i merr nga Evropa për t’i mbajtur të ikurit nën çadra. Kështu, bëhen pazaret për të mjerët!

Por, ata nuk ndalen e nuk do të ndalen, pavarësisht se vetëm sivjet Mesdheu përpiu mijëra vetë. Instikti për të mbetur gjallë i shtynë të ecin në drejtim të vendeve ku jeta është më e sigurt, pa marrë parasysh rreziqet.

Shumë shqiptarë e kanë përjetuar në lëkurën e tyre “rrugën e vdekjes” – me gomone nëpër kanalin e Otrantos. Dhjetëra nga ta s’kanë arritur ta shkelin bregun. Dhjetëra të tjerë s’kanë arritur të mbijetojnë nëpër rrugët malore. Qindra-mijëra u deportuan në vigjilje të shekullit XXI… E, secili prej atyre që sot jeton, e bart në vete një rrëfim tmerri, ndërsa bashkë janë pjesë e një tragjedie që po e përcjell njerëzimin gjatë tërë historisë.

Imazhet e Aylan-it e Kim-it do të barten në libra, për ta ilustruar tmerrin e të qënit refugjat. Nën fotot e tyre do të jetë një legjendë me pak tekst për diçka që ndodhi diku e dikur. Sepse, kaq vlen jeta e refugjatit. Madje, edhe në ditën e tyre – Ditën e Refugjatëve – ata janë veç pjesë e statistikave. Janë numra! Asgjë më shumë!

E, në ndërkohë, edhe në këto çaste vazhdon lufta e tyre për të mbetur gjallë. Vitin e ardhshëm statistikat ndryshojnë, në një tjetër përkujtim hipokrit për vrapin që kurrë nuk ndalet për jetë… drejtë të panjohurës, përbuzjes, e edhe vdekjes…