LAJMI I FUNDIT:

As bosnjëzim, as libanizim – veriut i duhet një zgjidhje politike

(Zgjidhja e Hashim Thaçit për çështjen e veriut përmes dialogut teknik me Serbinë, Kosovën e çon drejt bosnjëzimit, ndërsa propozimi i Albin Kurtit për zgjidhjen e çështjes së veriut përmes 13 pikave, apo përmes “shtrëngimit të dhëmbëve”, Kosovën do ta çonte drejt libanizimit. Në të dyja rastet, Kosova dhe interesi kombëtar i popullit shqiptar dëmtohet rëndë).

Çështja e veriut të Kosovës këtu e 12 vjet më parë doli në skenë dhe gradualisht, me ndihmën e politikës sonë të gabuar dhe me një strategji mirë të menduar të një pjese të faktorit politik ndërkombëtar, u shndërrua në një sëmundje gangrenoze për krejt Kosovën. Kjo sëmundje po e shkatërron përditë e më shumë shëndetin edhe ashtu të brishtë të Kosovës së pavarur.


Gangrena e veriut nuk e dëmton Kosovën vetëm në aspektin politik dhe në aspektin e njohjeve apo të integrimeve; ajo i shkakton dëme të pariparueshme Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar edhe në aspektin kombëtar, dhe në atë ekonomik.

Siç dihet, Qeveria e Kosovës ka hyrë në “bisedime teknike” me Serbinë. Është e ditur edhe më parë dhe zhvillimi i ngjarjeve po e tregon edhe më me qartësi, se këto bisedime janë një mënyrë e kamufluar e bisedimeve për veriun (vetëm për veriun!). “Zgjidhjet” për veriun në pajtueshmëri me Serbinë, të cilat janë e do të jenë shumë të dëmshme për Kosovën, duke qenë të kamufluara, edhe e shkaktojnë dëmin, edhe mund të mos ngjallin reaksion tek shqiptarët, të cilët do të jenë humbësit e këtyre bisedimeve.

Siç është paraparë, veriu i Kosovës me anë të këtyre bisedimeve do ta fitojë një status të veçantë në kuadër të Kosovës, e në të njëjtën kohë, të papërmendura e të margjinalizuara do të mbesin problemi i spastrimit etnik të pjesës veriore të Mitrovicës dhe gjendja e pushtimit në Kosovën Lindore. Me këtë status, nëse arrin të realizohet, veriu i Kosovës do t’i ketë kufijtë e përcaktuar dhe ata do të shtrihen padrejtësisht deri te lumi Ibër. Kështu, sipas këtij varianti, të mbështetur nga faktori ndërkombëtar, nga Serbia e Tadiqit dhe nga Qeveria e Thaçit, Kosova do të shkojë pashmangshmërisht drejt bosnjëzimit. Pasojat e kësaj “zgjidhjeje” mund t’i marrë me mend çdokush.

Në anën tjetër, një pjesë e opozitës, konkretisht Lëvizja Vetëvendosje!, e riaktivizoi planin e saj të mëhershëm për zgjidhjen e çështjes së veriut, tani të koncentruar në 13 pika. Ky propozim nuk do ta meritonte vëmendjen e publikut po qe se edhe një pjesë e qytetarëve të mos shpreheshin diçka si ngjashëm (këtu është edhe qëllimi i LVV-së). Një pjesë jo vogël e qytetarëve mendon dhe aty-këtu shprehet hapur se përdorimi i dhunës (shumë shpesh bëhet edhe krahasimi me operacionin “Shtrëngata” (“Oluja”) në Kroaci!) është zgjidhja e vetme në veri të Kosovës. Në një formë të zbutur, këtë pikëpamje të gabuar e shtron Lëvizja Vetëvendosje në planin e saj 13-pikësh.

Synimi për përdorim të dhunës atje ku janë të instaluara forcat e NATO-s, atje ku serbët lokalë e kanë pa asnjë diskutim mbështetjen edhe të Serbisë e Rusisë, pra, synimi për përdorim të dhunës nga ana e institucioneve të Kosovës kundër të gjithëve paraqet një marrëzi të llojit të vet. Kjo mënyrë e zgjidhjes së çështjes së veriut ka përfunduar në vitin 2000. Kjo tani nuk prodhon asgjë të mirë, përveç që Kosovën e fut në një cikël të ri të dhunës dhe përfundimisht i rrezikon edhe të arriturat e deritanishme. Kjo mund të çojë vetëm drejt libanizimit të krejt Kosovës.

Ajo që i duhet sot Kosovës është ndërprerja e menjëhershme e bisedimeve teknike dhe përgatitjet serioze për bisedimet politike, në të cilat do të shtrohej hapur dhe pa asnjë hezitim interesi kombëtar i popullit shqiptar. Ky interes, prej të cilit nuk duhet hequr dorë me asnjë çmim, shtrihet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe fshatrave shqiptare përreth në veri, dhe Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në lindje.

Deri te zgjidhja përfundimtare e këtyre çështjeve Kosova duhet:
1. të zbatojë reciprocitet të gjithanshëm në raport me Serbinë:
2. ta mobilizojë faktorin kombëtar në Kosovën Lindore në mbrojtje të të drejtave të veta kombëtare dhe
3. t’i bëjë të gjitha përpjekjet, madje edhe duke ushtruar presion të vazhdueshëm te faktorët ndërkombëtarë, për kthimin e shqiptarëve të dëbuar nga trojet e veta në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në fshatrat shqiptare përreth.

Këto do të duhej të ishin detyrat kryesore të një qeverie që i mbron interesat kombëtare të qytetarit të vet.

Çdo “zgjidhje” e cila e shpërfill çështjen e spastrimit etnik të shqiptarëve të Mitrovicës dhe e lë anash çështjen e pazgjidhur kombëtare të popullit shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, vetëm se e rëndon dhe e komplikon gjendjen edhe ashtu shumë të rëndë.

(Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim)