LAJMI I FUNDIT:

Agonia e vazhdueshme e Brexit-it

Agonia e vazhdueshme e Brexit-it

Pra, kryeministrja britanike Theresa May jeton që të vazhdojë të luftojë edhe një ditë tjetër. Partia Konservatore në Parlament riafirmoi besimin te lidershipi i saj me një rezultat prej 200-117 votash. Është e vështirë të mendosh për një tjetër kryeministër britanik, udhëheqja e të cilit ka qenë në një krizë kaq të vazhdueshme. Jo një grua e hekurt, por më shumë një kokëfortë dhe këmbëngulëse, May ka filluar një raund tjetër përpjekjesh për të përfituar disa lëshime të tjera nga liderët evropianë për ta bërë marrëveshjen e saj të divorcit më të kënaqshme për partinë e saj si edhe për shumicën e publikut.

Populli britanik vendosi në qershor 2016 të dalë nga Bashkimi Evropian, me një diferencë të vogël prej 51.9-48.1 për qind në një referendum kombëtar. Pas thirrjes së Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga BE-ja më 29 mars 2019. Por çështja irlandeze, politika e brendshme e Partisë Konservatore dhe aritmetika parlamentare e kanë bërë procesin e Brexitit aspak të lehtë.


Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës ndajnë bashkë një kufi tokësor që e ndan këtë të fundit, e cila do të mbetet në BE, nga Irlanda e Veriut, e cila është pjesë e Britanisë së Madhe. Brexit, pra, do ta linte Irlandën e Veriut jashtë bashkimit doganor të BE-së dhe Republikën Irlandeze brenda tij. Kështu që Theresa May po përpiqet të sigurojë një marrëveshje që pengon një kufi “të vështirë” me kontrolle doganore.

Kjo nuk është thjesht çështje lehtësie ekonomike. Bëhet fjalë për një çështje jete a vdekje. Kur Irlanda fitoi pavarësinë e saj nga Britania në vitin 1922, gjashtë konte kryesisht protestante mbetën në Britaninë e Madhe nën një sistem qeverisjeje të decentralizuar. Dy trashëgimi të Mbretërisë së Bashkuar të cunguar mbijetuan: tregtia e lirë dhe lëvizja e lirë e punës midis Britanisë dhe shtetit të ri irlandez.

Fitorja jo e plotë ndaj Britanisë e mundoi Republikën Katolike të Irlandës; deri në vitin 1999, kushtetuta irlandeze përfshinte një angazhim për “riintegrimin” e të gjithë ishullit. Në të njëjtën kohë, shumica protestante e Irlandës së Veriut kapej gjithnjë e më shumë pas lidhjes britanike. Pas tre dekadash konflikte të dhunshme midis grupeve nacionaliste irlandeze dhe protestante të krahinës, që solli më shumë se 3,600 vdekje, Marrëveshja e Premtes së Mirë në vitin 1998 krijoi një ekzekutiv unionist-nacionalist për ndarjen e pushtetit në Irlandën e Veriut, së bashku me një Këshill Britanik-Irlandez për marrëdhënie harmonike me Republikën Irlandeze.

Çdo forcim i kufirit do të vinte në rrezik paqen e brishtë të siguruar nga Marrëveshja e të Premtes së Mirë. Nëse marrëveshja për ndarjen e pushtetit prishet, në të dyja anët do të ketë dhunë. Për të shmangur këtë rezultat, plani i Theresa Mayt parashikon që Britania të largohet nga BE-ja, por të qëndrojë “përkohësisht” në bashkimin doganor, në pritje të negociatave për një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, me “pengesë” të një kufiri të hapur të garantuar midis Irlandës së Veriut dhe Republikës Irlandeze.

Sikur kjo të mos ishte mjaftueshëm keq, Parlamenti është ndarë në dy grupe midis atyre që duan të dalin dhe atyre që duan të qëndrojnë në BE. Kjo ndarje prek edhe Partinë Konservatore ne pushtet edhe atë Laburiste në opozitë.

Ata që duan të qëndrojnë ndahen në tre grupe: ata në të majtë që e shohin qasjen e “tregut social” të BE-së si një burim mbrojtjeje për punëtorët britanikë; bizneset dhe interesat financiare që llogarisin kostot ekonomike të Brexit-it; dhe idealistë që duan që Britania të luajë një rol konstruktiv në bashkimin politik të Evropës. Ata që duan të dalin nga BE-ja përbëhen nga tre grupe: mbështetësit e Thatcherit qe e shohin Brukselin si një “super-shtet” të pritur të mbysë sipërmarrjen e lirë; një grup pjesërisht i mbivendosur që parashikon Britaninë si një pjesë e pavarur e një sistemi global të tregtisë së lirë; dhe “të mbeturit pas” që duan të ruajnë identitetin kulturor të Britanisë dhe të mbajnë jashtë të huajt.

Çështjet aritmetike parlamentare kanë rëndësi, pavarësisht rezultatit të referendumit, sepse May u detyrua të pranonte se Parlamenti do të kishte fjalën e fundit për çdo marrëveshje që ajo do të arrinte. Kjo i ka dhënë atyre që duan të qëndrojnë në BE shpresën për përmbysjen e rezultatit të vitit 2016 me një votim të dytë popullor.

Përbërja e forcave parlamentare pasqyron vendimin katastrofik të Mayt për të thirrur zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme në vitin 2017, gjë që bëri që ajo të humbiste një shumicë konservatore. Dhe 317 deputetët konservatorë që mbeten janë të ndarë rreth 200-100 midis atyre që mbështesin planin e propozuar të Brexitit dhe ata që duan që Britania të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje.

Mbështetja për marrëveshjen e May nga opozita – 257 deputetë laburistë, 35 nacionalistë skocezë dhe disa të tjerë – është e pasigurt. Po ashtu, dhjetë deputetët e Partisë Bashkimi Demokratik i Irlandës së Veriut, në mbështetjen e të cilëve varet tani qeveria, janë të ndarë midis dëshirës për tregti të lirë me Jugun dhe frikës se mos ngecin në Republikën Irlandeze nëse dhe kur pjesa tjetër e Britanisë të largohet nga bashkimi doganor. DUP ka denoncuar të gjitha bisedimet për një marrëveshje të posaçme ose “pengesë” për të mundësuar që Irlanda e Veriut të mbetet në bashkësinë doganore në vend të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Duke pasur parasysh ndarjet në partinë e saj, May do të jetë e detyruar të varet te deputetët laburistë për të miratuar marrëveshjen e saj në Parlament. Askush nuk e di se si do të votojnë deputetët laburistë dhe stimujt me të cilët ballafaqohet partia janë të përziera. Nga njëra anë, votimi me ata që duan të rrinë në BE për të fundosur marrëveshjen e Mayt ndoshta do të çonte në një zgjedhje të përgjithshme, të cilat do t’i fitonin Laburistët. Nga ana tjetër, Jeremy Corbyn, kryetari i partisë, mund të mos ketë ndonjë oreks të madh për të pranuar kupën helmuese që do t’i kalonte May.

Ka një lloj tundimi të kuptueshëm për të thënë: ‘Nëse Parlamenti nuk mund të vendosë, le t’ia lëmë në dorë popullit.” Por nuk ka qartësi në lidhje me atë që do t’i kërkohej “popullit”. Është e rrezikshme të kërkosh një votim të dytë bazuar në faktin se s’të pëlqeu rezultati i të parit. Dhe duhet pasur parasysh edhe një çështje tjetër. Ata që duan të dalin e urrejnë BE-në më shumë sesa ata që duan të rrinë në të. Nëse ata që duan të rrinë në BE fitojnë një votim të dytë, në politikën britanike do të lindë një mëri pasiononte. Pra, duhet të shpresojmë që May të arrijë divorcin e saj miqësore kur Parlamenti të votojë më në fund për të në janar. /Project Syndicate/BIRN/