LAJMI I FUNDIT:

A po zhduken idealistët e bashkimit kombëtar?

Se çka është idealizëm, rrjedhimisht çka idealist, apo realizëm, e çka realist, për më tepër, se cila na qenka mundësia e realizimit të idealeve, që do ta “luante kufirin” ndërmjet tyre dhe realitetit, bukur shumë filozofë janë përpjekur t’ia “lidhin kryet”. Sipas tyre, një gjë dihet fare mirë se idealet lindin si reaksion i pakënaqësisë ndaj realitetit dhe se për tu realizuar kërkojnë jo vetëm procesin e të menduarit, por kërkojnë aksion, veprim, dhe kështu duhet të ballafaqohen pikërisht me pengesat që sjellë realiteti. Dhe se, nëse idealet nuk mbesin të përjetshme, gjë që është e mundur, por eventualisht realizohen, fitorja i shuan ato, se s’janë më ideale por realitet (shuhet kufiri ndarës), ashtu siç edhe mund të shuhen pa u realizuar fare.

Tashmë na është e njohur se në politikën shqiptare nga të vetëquajturit “realistë”, ithtarët dhe aktivistët politik të bashkimit kombëtar, zakonisht konsiderohen si idealistë. Sipas dioptrisë së tyre politike, ideali i bashkimit të kombit shqiptar në një shtet nuk është asgjë më shumë sesa vetëm dëshirë e idealistëve, madje disa shkojnë edhe më tej, duke e klasifikuar si kërkesë maksimaliste dhe si dëshirë e një mentaliteti nacionalist të dy shekujve të fundit. Krejt çka ofron si argument teoria e tyre “realiste” mund të përmblidhet me një fjali: “Kosova tashmë është shtet dhe të huajt nuk na lejojnë bashkimin”.


Edhe sikur të ishte kështu, nëse sjellim ndërmend se, “një ide e fuqishme mund të mbetet në libër dhe në mendje për një kohë të gjatë, por është e pamundur që ajo të mos kërkojë që në një mënyrë a në një tjetër, të vihet në jetë një ditë”(Ch. Millon-Delson), atëherë pse të mos ushqehen idealet, sidomos kur ato janë të drejta legjitime të një kombi për të qenë i lirë dhe i bashkuar në kompaktësinë e tij territoriale? Në kontekstin historik të ecjes së një kombi të robëruar dhe të ndarë dhe përpjekjes së tij për liri (gjënë më të shtrenjtë për të gjitha kombet e botës), cili na qenka dëmi që na bëkan idealet dhe bartësit e tyre duke i mbajtur gjallë, duke e ditur se një ditë mund të vihen në jetë? Apo, vetëm e vetëm se, ta zëmë, nuk mund të realizohen nga ne sot? Nuk mund të bëhet sot, në logjikën e tyre, nuk mund të bëhet kurrë, duhet hequr dorë. Ata harrojnë se për të ardhmen e sotmja tregon më pak se e nesërmja. Mundësitë tona nuk mund të jenë të njëjta me mundësitë e pasardhësve tanë nesër. Andaj shërbejnë vizionet, ta planifikojnë dhe parashohin të ardhmen. Andaj edhe shërbejnë politikat vizionare, ta planifikojnë dhe parashohin të ardhmen politike.

Meqenëse po flasim për rolin e idealeve në funksion të bashkimit kombëtar, e jo për (pa)mundësinë e realizimit të tij, atëherë, nëse është e pamundur për tu realizuar sot, nuk është e pamundur për tu menduar sot, e për tu realizuar nesër, pasi, “përvoja historike e dëshmon të vërtetën se, njeriu nuk do ta arrinte të mundshmen sikur të mos i shtrinte duart edhe drejt të pamundshmes (M. Veber).

“Realistët” e integrimit të kombit si i ndarë, por në Evropën e bashkuar, duhet ta kenë parasysh se, edhe Evropa e bashkuar dikur ka qenë një ideal për ideatorët e saj. Por vullneti i pashtershëm për, së pari sigurinë e saj, e vetmja që garanton lirinë e saj, ka bërë që ideali i tyre të fillojë të bëhet realitet. Pikërisht Evropa e bashkuar, që u dashka ta ketë kombin tonë të ndarë brenda, është produkt i idealeve për bashkim, për më tepër të kombeve të ndryshme, por me interesa të sigurisë dhe jo vetëm, të përbashkëta.

Bazuar në realitetin politik të kombit tonë dhe pakënaqësisë që ekziston me këtë realitet, kur idealet na qenkan “reaksion” i realitetit, atëherë ku ka vend më të mirë për gjallërimin e idealeve për bashkim dhe përparim sesa në trojet shqiptare?! Nuk e kemi “komoditetin” t’i zhdukim idealistët, ende nuk janë realizuar idealet. Ata le ta bëjnë punën e vet, realistët, ata të vërtetët, të tyren, dhe historia do t’i gjykojë të dyja palët, megjithëse, “gjithmonë më në fund shihet se idealistët kanë të drejtë dhe për popullin e vet dhe njerëzimin bëjnë larg më shumë sesa politikanët e quajtur realist. Politikanët realist, në fund gjithmonë tregohen të marrë” (Tomash G. Masarik).