LAJMI I FUNDIT:

Konsulli grek: Ekzistojnë grekë në Korçë, vllahët janë grekë

Konsulli grek: Ekzistojnë grekë në Korçë, vllahët janë grekë

Konsulli grek në Korcë Theodhoros Ikonomu i cili ka marrë pjesë në 20 vjetorin e themelimit të Omonias në Korçë, ka përshëndetur "grekët e Korçës" duke thënë se do të përsërisë të njëjtin mesazh, se në Korçë "ka grekë". Bashkë me dy deputetët grekë të Janinës dhe Follorinës, konsulli grek ka mbështetur idenë e regjistrimit të grekëve, ndërsa ka bërë thirrje për bashkim në emër të Vorioepirit- raporton Top Channel.

“Përshëndes grekët e Korçës sepse kjo që ndodh sot ju përket atyre. Do të jap edhe njëherë të njëjtin mesazh: Po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllahët janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten jam me siguri grek, ju them një gjë, shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj. Janë në gjuhën greke. Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke. Ekzistojnë të drejta të minoriteteve. Por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë të cilat përfaqësojnë emrin Voriepir. Ky është Vorioepiri. Në Vorioepir eksitojnë grekë, kjo vërtetohet dhe do vërtetohet më tepër kur të regjistrohet popullata dhe këtu duhet të funksionojnë të drejtat e minoritetit. Kurajë, shpresë dhe betejë”, ka thënë ai.

Deklaratat e tij janë mbështetur edhe nga dy deputetët grekë të Janinës dhe Follorinës, Mihalis Pandulas dhe Stathis Theodhoridhis. Duke i quajtur bashkëkombës “grekët” e Shqipërisë, deputetët grekë i janë referuar më shumë deklarimit të kombësisë dhe regjistrimit të popullatës greke në Korçë dhe në Shqipëri. Ky ka qenë në thelbin e deklaratave të dy deputetëve grekë të cilët kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e 20 vjetorit të themelimit të degës së Omonias. /Telegrafi/