LAJMI I FUNDIT:

Pezullohet tenderi i rrugëve

Pezullohet tenderi i rrugëve

Sugjerimi i shefit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi, që të pakënaqurit me rezultatin e tenderit për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale të shkojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e jo në Polici është përfillur nga katër kompani.

“Gjithçka që del nga ky autoritet kontraktues është në rregull me ligjin. Ata që duan të ankohen, le të ankohen në Organin Shqyrtues të prokurimit dhe jo me letra anonime në polici dhe në gazetë”, pati thënë për Zërin, Krasniqi, i pyetur lidhur me letrën anonime të kompanive të dërguar në Policinë e Krimeve Ekonomike, si kallëzim penal për “dallavere” në këtë tender.

Tani ky tender është pezulluar me një shkresë të OSHP-së, edhe pse sekretari i përhershëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Skënder Gashi ka kërkuar që tenderi të anulohet.

Në njoftimin e OSHP-së që ia ka dërguar shefit të prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, ky hap arsyetohet me faktin se katër ankesat e kompanive, që janë të pakënaqura me procedurat e këtij tenderi janë në shqyrtim, dhe deri te marrja e vendimit për anulim, apo edhe që tenderi të procedohet më tutje, kjo ministri e ka të ndaluar që të marrë çfarëdo hapi qoftë lidhur me këtë çështje.


Në këtë shkresë bëhet me dije edhe se ata kanë marrë krejt dosjen e tenderit dhe atë ua kanë lënë në dorë ekspertëve shqyrtues, të cilët do ta vënë nën “llupë” për të provuar çdo shkelje ligjore që është bërë në këtë tender, sipas pretendimeve të katër kompanive që veç më i kanë të deponuara ankesat e tyre kundër ministrisë në fjalë.

Ndryshe, tenderi ishte mbyllur më 15 prill, ndërsa hapja e ofertave bëhet tre ditë më vonë, ku për mirëmbajtjen e krejt rrugëve rajonale në Kosovë, fituese shpallen nëntë kompani, derisa në garë ishin më shuam se 30 sosh.

Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës më datën 20 prill pati pranuar këtë letër në të cilën gjerësisht shpjegohej pretendimi për kurdisjen e këtij tenderi. /Telegrafi/