LAJMI I FUNDIT:

Tre milionë euro për mbrojtjen e pyjeve

Tre milionë euro për mbrojtjen e pyjeve

Sektori i pylltarisë në Kosovë ka kapacitet por duhet një menaxhim më efikas dhe më i mirë të tij. Po ashtu ka edhe mungesa të ekspertëve nëpër institucionet përkatëse. Këto komente u bënë në konferencën ndërkombëtare me temën “Zhvillimi i sektorit të pylltarisë së Kosovës dhe përafrimi me BE-në”

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se gjendja në sektorin e pylltarisë dhe mjedisi i ri ekonomik nxjerrin në pah domosdoshmërinë e thellimit të bashkëpunimit për krijimin e sistemeve efikase dhe menaxhimin e mirë të pyjeve, në harmoni me resurset ekzistuese dhe praktikat e vendeve të BE-së. ”Rëndësia e pyjeve është shumëdimensionale, sepse ofrojnë kushte të volitshme për zhvillimin e industrisë së drurit, turizmit malor, rekreacionit dhe të tjera, dhe duke u bazuar në këto funksione të rëndësishme është obligim i yni që të përkujdesemi për t’i ruajtur dhe menaxhuar pyjet tona në mënyrë sa më të mirë”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, Melvin Asin, zëvendskryesues i operatives në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së, tha se sektori i pylltarisë në Kosovë ka kapacitete të ulëta sa i përket numrit të ekspertëve në të gjitha institucionet e pylltarisë. Sipas tij, projekti i binjakëzimit me BE-në është i përqendruar në një koordinim strategjik për t’i përvetësuar praktikat më të mira të Austrisë, Italisë dhe Bullgarisë dhe për t’i ngritur kapacitetet në këtë sektor.

Projekti i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë është 2.7 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e tij është 3 milionë euro. /Telegrafi/