LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunim mundëson zhvillimin ekonomik

Bashkëpunim mundëson zhvillimin ekonomik

Zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë të mërkurën në konferencën “Bashkëpunimi në mes të qeverisjes qendrore dhe lokale si bazë e zhvillimit ekonomik” organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), se bashkëpunimi në mesë qeverisë qendrore dhe lokale, mund të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se vetëm përmes bashkëpunimit me nivelin lokal, qeveria mund të realizojë planin e saj për zhvillim ekonomik, me rritje ekonomike deri në 8 për qind dhe zvogëlimin e papunësisë deri në 10 për qind të të papunëve të regjistruar.

Thaçi tha se një ndër përgjegjësitë e qeverisë së nivelit lokal, është edhe krijimi i një ambienti më të favorshëm për zhvillimin ekonomik lokal. “Prandaj, iniciativa për përmirësimin e bashkëpunimit në mes të nivelit qendror dhe atij lokal, do të jetë në funksion të realizimit të vizionit të zhvillimit ekonomik që ka për qëllim rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi shefi i Qeverisë.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se suksesi i qeverisjes qendrore, nuk mund të jetë i plotë pa bashkëpunimin e nivelit lokal. Sipas saj nevojitet një vijë e qartë komunikimi ndërmjet këtyre dy niveleve.


Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, kërkoi nga zyrtarët komunalë që të bëjnë më shumë në riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Ndryshe, në takim u prezantuan edhe procedurat e thjeshtësuara për të bërë biznes dhe reflektimin e tyre në qeverisjen lokale, pastaj baza e të dhënave të lokacioneve dhe projekteve për investitorët e rinj. /Telegrafi/