LAJMI I FUNDIT:

Britani, 14 banka drejt zhvlerësimit

Britani, 14 banka drejt zhvlerësimit

Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s mund të zhvlerësojë 14 banka britanike, duke përfshirë këtu Lloyds Banking Group dhe Royal Bank of Scotland, sepse rregullatorët britanikë duken më pak të gatshëm të ndihmojnë bankat në të ardhmen.

Kompanitë që mund të zhvlerësohet nga Moody’s, janë operacionet britanike të bankës spanjolle Santander, Bank of Ireland, Co-Operative Bank, dhe Nationwide Building Society.

Moody’s shpjegon se ky vendim ka qenë i pritur gjerësisht dhe nuk pasqyron një dobësim qoftë të financave shtetërore apo të bankave. “Ky vlerësim nuk do të thotë një përkeqësim i fuqisë financiare të sistemit bankar, apo të qeverisë”, deklaroi Elisabeth Rudman, analiste e Moody’s. “Ky paralajmërim i agjencisë së vlerësimeve vjen në bazë të udhëzimeve të vazhdueshme të autoriteteve britanike si Banka e Anglisë apo Autoriteti i Shërbimeve Financiare dhe Thesarit, se nëse bankat dështojnë në të ardhmen, nuk duhet të presin injeksione kapitali nga paratë e taksapaguesve.

Ndër bankat e tjera britanike të listuara në bursë, agjencia e vlerësimit mban një këndvështrim “negativ” për bankën HSBC, ndërsa ka ulur vlerësimin nga “e qëndrueshme” në “negative” për Barclays. /Telegrafi/