LAJMI I FUNDIT:

Greqia ka nevojë për ndihmë shtesë

Greqia ka nevojë për ndihmë shtesë

Sinjalet për një tjetër aksion ndihme për Greqinë e zhytur thellë në borxhe, po bëhen gjithnjë e më konkrete.

Ndërkohë që agjencia e vlerësimit të riskut Standard & Poor’s ulin vlerësimin për aftësinë paguese të Greqisë, në nivel evropian po merren në konsideratë hapa të tjerë ndihme për qeverinë në Athinë për vitin e ardhshëm. Fjala është për shumë miliardëshe përtej fondit aktual prej 110 miliardë eurosh.

Këtë të martë përfaqësues të BE-së, FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane, do të fillojnë vlerësimin e përpjekjeve kursyese të ndërmarra deri tani nga Greqia. Për reduktimin e borxhit të lartë, buxheti grek duhet të kursejë brenda tre vjetësh 26 miliardë euro.

Vetëm nëse vendi përmbush obligimet e tij, do paguhet një tjetër këst borxhi prej 12 miliardë eurosh. Por kriza ekonomike në vend, ia vështirëson tej masë punën qeverisë në Athinë. /Telegrafi/