LAJMI I FUNDIT:

Fluks i madh i kosovarëve në Shqipëri

Fluks i madh i kosovarëve në Shqipëri

Pragsezoni turistik veror ka rritur ndjeshëm fluksin e kosovarëve që shkojnë për pushime në Shqipëri nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Morinit, ndërkohë që policia lokale ka shtuar masat për normalitet e siguri për njerëzit e automjetet.

“Përmes doganës së Morinit, dogana kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën, lëvizin në të dy anët e kufirit mbi 7000 persona në 24 orë dhe rreth 2200 mjete të llojeve të ndryshme” kanë bërë të ditur për Gazeta Shqiptare drejtues të policisë kufitare të Kukësit.

Të njëjtat burime konfirmojnë se fluksi i hyrjeve është më i madh në fundjavë, ku nxënës shkollash, studentë apo grupe të tjera vijnë të organizuar për të vizituar Tiranën apo qytete të tjera të Shqipërisë.

Në këtë periudhë, krahas fluksit të njerëzve, ka një rritje të ndjeshme dhe të lëvizjes së ndërsjellë të automjeteve të tonazhit të rëndë që transportojnë mallra ushqimorë apo ngarkesa të tjera. Për të ulur kohën e qëndrimit në mjediset e kontrollit të doganës janë shtuar sportelet e kontrollit si dhe po aplikohet kontrolli i njëkohshëm i policisë kufitare e doganës, gjë që ka përshpejtuar ritmet e kontrollit të udhëtarëve.


Drejtues të policisë në këtë pikë pohojnë se masat që janë marr, garantojnë normalitet edhe për fluksin në rritje që pritet të jetë në ditë e ardhshme. Që nga fillimi i vitit 2011, në këtë pikë kufitare, nuk është regjistruar asnjë incident.

Pika kufitare e Morinit ndodhet 20 kilometra larg nga qyteti i Kukësit. Ajo është dogana kryesore në kufirin prej 121 kilometrash Shqipëri-Kosovë. Përmes kësaj doganë lëvizin në të dy anët e kufirit mbi 90 për qind e mallrave e mjeteve transportuese. /Telegrafi/