LAJMI I FUNDIT:

F1: Vettel në pol-pozicion në Valencia

F1: Vettel në pol-pozicion në Valencia

Sebastian Vettel ka bërë xhiron më të shpejtë në shtegun e Valencias dhe do të niset nga pozita e parë në garën e nesërme të European Grand Prix.

Rreshti i parë do të jetë i gjithi i Red Bull, pasi ngasësi tjetër i kësaj skuterie, australiani Mark Webber, siguroi kohën e dytë më të shpejtë në kualifikimet e sotme.

Lideri i kampionatit, britaniku Lewis Hamilton ka përfunduar i treti më i shpejtë me McLaren, ndërsa shoku i tij i skuadrës dhe kampion në fuqi, Jenson Button, do të niset i shtati.

Dy ngasësit e Ferrarit, Fernando Alonso dhe Felipe Massa pushtojnë pozitat katër dhe pesë, ndërsa legjenda e kësaj gare, Michael Schumacher pësoi edhe një dështim tjetër duke mbetur jashtë 10-shes së parë.


Për Vettel kjo është hera e katërt që ai siguron pol-pozicionin këtë sezon, por ka dështuar t’i shndërrojë tre herët e para në fitore. Të vetmin triumf këtë vit gjermani e arriti duke u nisur nga pozita e tretë në Malajzi. Red Bull ka tetë pol-pozicione këtë vit. /Telegrafi/