LAJMI I FUNDIT:

Ka vdekur legjendari Christoph Daum, trajneri i shumë skuadrave evropiane

Ka vdekur legjendari Christoph Daum, trajneri i shumë skuadrave evropiane

Trajneri legjendar gjerman i futbollit, Christoph Daum ka vdekur sot në moshën 70-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.

Daum ka luftuar me një sëmundje të egër që nga vjeshta e vitit 2022, pas së cilës ai u tërhoq nga paraqitjet publike, por shumë shpejt kjo gjë ndryshoi.

Ai dha intervista për media të shumta gjermane dhe u shfaq në emisione të shumta atje, dhe mesazhi i tij bazë ishte se “kanceri zgjodhi trupin e gabuar”.


Ai donte të inkurajonte njerëzit e tjerë që luftonin me të njëjtin problem.

Në karrierën e tij si trajner ka drejtuar Kolnin, Shtutgartin, Besiktasin, Bayer Leverkusenin, Vjenën Austrinë, Fenerbahçen, Eintracht Frankfurtin, Club Brugge dhe Bursassporin, si dhe ka qenë trajner i Rumanisë, ndërsa ishte lidhur edhe me emërimin si selektor i Kosovës.

Ai fitoi titullin kampion gjerman me Shtutgartin si dhe Superkupën e Gjermanisë, si dhe ishte tre herë kampion i Turqisë dhe fitues i Kupës së Turqisë dhe Superkupës së Turqisë.

Ai ishte edhe kampion i Austrisë në vitin 2003 kur fitoi dy trofe me Vienna Austria.

Ai duhej të bëhej trajner i Gjermanisë pas dështimit në Euro 2000 në Belgjikë dhe Holandë, por Uli Hoenes ndërhyri dhe e akuzoi publikisht për përdorimin e substancave të paligjshme.

Daum pranoi t’i nënshtrohej një testi droge dhe një mostër flokësh zbuloi se ai kishte konsumuar kokainë, kështu që humbi pozicionin e tij si trajner i kombëtares gjermane. /Telegrafi/