LAJMI I FUNDIT:

OBRM-PDUKM: Në dy raste më herët gjatë qeverisjes LSDM-BDI presidentja e Kosovës ka shkelur protokollet

OBRM-PDUKM: Në dy raste më herët gjatë qeverisjes LSDM-BDI presidentja e Kosovës ka shkelur protokollet

Në dy raste të mëparshme, në kohën e qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shkelur procedurat dhe protokollet, ndërsa MPB-ja ka heshtur, thonë sot nga OBRM-PDUKM, duke përmendur të gjeturat nga procesverbali.

“Në procesverbalin e datës 16 shtator të vitit të kaluar shkruhej: Pas mbërritjes në sektorin e VIP-ave ka ndodhur një keqkuptim mes përgjegjësit të protokollit të delegacionit dhe shërbimit të sigurisë së aeroportit, sepse i njëjti, duke iu referuar imunitetit diplomatik të presidentes, nuk është pajtuar që të kontrollohet me skaner bagazhi personal i presidentes së Kosovës”, thonë nga atje.

Nga OBRM-PDUKM thonë se e njëjta situatë është përsëritur edhe më 9 tetor. Pala kosovare pretendoi se falë imunitetit diplomatik, bagazhet e presidentes nuk duhet të kontrollohen.


“Nga kapiteni i fluturimit dhe përfaqësuesi i ‘Croatia Airlines’, duke iu referuar standardeve ndërkombëtare dhe programit të sigurisë kombëtare, u theksua se derisa të bëjnë kontrollin e bagazheve, ato nuk do të pranohen në fluturim”, thuhet në procesverbalin e datës 09 tetor 2023.

Nga atje thonë se në atë kohë MPB heshti, kurse LSDM dhe BDI ishin në shërbim të shkeljes së ligjeve./Telegrafi/