LAJMI I FUNDIT:

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Deklaratat për zgjedhje, Konjufca: Mazhoranca nuk ka vullnet që vendi të shkojë në zgjedhje përmes dorëheqjes së Qeverisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka folur lidhur me deklaratat e fundit të partive politike për zgjedhjet, bllokimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe mosthemelimin e komisioneve hetimore.

Konjufca në një deklaratë për media tha se me aq sa është në dijeni nuk ka pasur ndonjë takim të rëndësishëm ku është diskutuar koha më e përshtatshme për zgjedhje.


“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrijnë që kjo punë të bëhet”, tha ai.

Kryetari Konjufca tha se nuk është punë e frikës mosshkuarja në zgjedhje, por sipas tij siç duket mungon vullneti i mazhornacës që kjo të ndodh përmes dorëheqjes sepse siç tha ai nuk ka arsye që qeveria të jep dorëheqje.

Ai po ashtu ka folur për mosthemelimin e Komisioneve hetimore.

“Si kryetar i kuvendit unë jam që të mos bëhet asnjë pengesë në themelimin e komisioneve hetimore, cilado qofshin ato… Ky është instrumenti i vetëm që i ka opozita në dorë sa i përket kuvendit dhe betejat duhet të bëhen brenda komisioneve pasi që të themelohen”, tha ai, duke shtuar se nëse këto pengohen mund të bëhet precedent që në mënyrë afatgjate e dëmton parlamentarizmin.

I pari i Kuvendit tha se ajo çfarë po e pengon është që kuvendi që disa muaj e ka humbur kapacitetin e vetë për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas tij, po dëmtohet njëri prej aspekteve më të rëndësishme të shtetësisë dhe i vjen keq që këtë po e bën opozita.

Ai tha se marrëveshjet ndërkombëtare, ato kredi për projektet madhore nuk janë për ata me libreza partiake, por përfitues janë populli i Kosovës. /Telegrafi/