LAJMI I FUNDIT:

Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë, Policia: Nuk ishte e përfshirë në rast, ishte në veturë pranë shtëpisë së saj

Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë, Policia: Nuk ishte e përfshirë në rast, ishte në veturë pranë shtëpisë së saj
Foto: Arkiv

Gruaja që u plagos mbrëmë në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë, ka ndërruar jetë.  

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës.


“Mbrëmë rreth orës 21:15, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Në këtë rast katër persona kanë marrë lëndime nga arma e zjarrit (dy nga ta lëndime të rënda), ndërsa një person tjetër ka pësuar lëndime nga goditja e njërit prej automjeteve të përfshira në rast”, njofton Policia.

“Si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit njëri nga personat e plagosur: E. H,  mashkull, 30 vjeç, ka vdekur mbrëmë, ndërsa sot rreth orës 11:00 nga QKUK jemi njoftuar se edhe viktima e dytë Z.G, femër, 48 vjeç, ka vdekur”, thuhet në raport.

Policia njofton se e ndjera është qëlluar nga arma e zjarrit derisa ndodhej në automjet pranë shtëpisë së saj dhe nuk ishte e pjesë e palëve të përfshira në rast.

Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe janë në kërkim të dy peronave të dyshuar të cilët tashmë janë identifikuar nga ana e policisë. /Telegrafi/