LAJMI I FUNDIT:

IKSHPK: Ajri jo i shëndetshëm në Prishtinë, këshillohen qytetarët të qëndrojnë brenda

IKSHPK: Ajri jo i shëndetshëm në Prishtinë, këshillohen qytetarët të qëndrojnë brenda

Atmosfera në Prishtinë është përkeqësuar sonte, me cilësinë e ajrit që ka rënë poshtë niveleve të shëndetshme për qytetarët.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë apel për qytetarët e kryeqytetit dhe zonave përreth, të cilat po përballen me nivele të larta të ndotjes së ajrit, që të reduktojnë daljet jashtë në momentet kur ndotja është më e lartë, veçanërisht në orët e hershme të mëngjesit dhe në mbrëmje.


Është e rëndësishme që grupet më të ndjeshme të popullatës, si personat që vuajnë nga sëmundjet kronike të zemrës dhe sistemit të frymëmarrjes, fëmijët dhe gratë shtatzëna, të marrin masa mbrojtëse kur i ekspozohen këtij ajri.

Këshillohet që ata të qëndrojnë sa më shumë të mundur në ambiente të brendshme dhe të shmangin aktivitetet e jashtme që mund të rrezikojnë shëndetin e tyre në këto kushte të rënduara mjedisore.

Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë me kujdes cilësinë e ajrit dhe do të vazhdojnë të japin informata të azhurnuara për ndryshimet.

Ndotja e ajrit jo vetëm që ndikon në shëndetin e njerëzve, por edhe kontribuon në një sërë të pasojave mjedisore dhe shoqërore.

Ndërgjegjësimi dhe masat parandaluese janë kyçe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe për të reduktuar ndikimin negativ të ndotjes së ajrit./Telegrafi/