LAJMI I FUNDIT:

Ishte me pushime me familjen, shqiptari qëllohet me 10 plumba në ishullin grek

Ishte me pushime me familjen, shqiptari qëllohet me 10 plumba në ishullin grek

Një 51-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur me armë zjarri në ishullin grek të Paxos. 51-vjeçari është identifikuar si Andrea Kalemi, i cili kishte shkuar në ishullin grek për të kaluar pushimet me familjen e tij.

Mediat greke shkruajnë se 51-vjeçari kishte hyrë përmes pikës kufitare të Kakavijës më datë 5 gusht. Paraprakisht dyshohet se atentati është bërë për larje hesapesh, raporton Euronews Albania.


Shqiptari është qëlluar me 10 plumba në portin e kryeqendrës së ishullit, Laka. Ai ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra por gjendet në gjendje kritike për jetën.

Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, shqiptari u transportua me traget drejt Igumenicës, e më pas për në spitalin e Janinës ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Policia nuk ka mundur të identifikojë autorin e ngjarjes, i cili i maskuar iu afrua në mbrëmje 51-vjeçarit dhe e qëlloi me breshëri plumbash.

Policia dhe grupi hetimor po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të atentatit. /Telegrafi/