LAJMI I FUNDIT:

“S’paguan dhomën”, pronarët në Durrës mbajtën peng katër shtetas nga Kosova

“S’paguan dhomën”, pronarët në Durrës mbajtën peng katër shtetas nga Kosova

Policia e Shtetit ka arrestuar dy persona në Durrës pasi dyshohen se kanë mbajtur peng katër shtetas nga Kosova, me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin.

Në njoftim thuhet se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas kallëzimit nga disa shtetas kosovarë, se në lagjen nr. 13, në Durrës, dy shtetas i kishin hequr lirinë atyre, në garazhin e banesës ku ata ishin akomoduar për pushime, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore.


“Si rezultat u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit N. Xh., 49 vjeç dhe D. K., 48 vjeç, të dy banues në Durrës.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit D. K., me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin”, thuhet në njoftim, shkruan Euronews Albania.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.