LAJMI I FUNDIT:

Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë

Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë

Nga: Daisy Dunn / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Jean-François Champollion kishte vite të tëra që mundohej me hieroglifët në Gurin e Rozetës, kur, një pasdite shtatori 1822, besoi se më në fund e kishte dekoduar. Në ngazëllimin e momentit, francezi 31-vjeçar mblodhi shënimet e veta, nxitoi të gjente vëllain e tij dhe menjëherë i ra të fikët.

Zbulimi i rastësishëm i monumentit në deltën e Nilit në Rozetë, në Rashidid modern, rreth 23 vjet më parë, kishte ngjallur interesin e studiuesve në mbarë botën. Një nga togerët e Napoleonit, inxhinieri ushtarak i quajtur Pierre-François-Xavier Bouchard, drejtonte prishjen dhe rindërtimin e fortesës së qytetit në korrikun e vitit 1799, kur objekti i zi u pa nën rrënoja. Është merita e tij që Bouchard kuptoi menjëherë se ishte diçka e rëndësishme, për çfarë e pastron – përpara se ta çonte në Institutin e respektuar të Egjiptit në Kajro, për një ekzaminim më të afërt.


Në mënyrë të habitshme, pllaka e rëndë përmbante tri mbishkrime, secila prej të cilave ishte shumë e ndryshme për t’u parë. Njëri ishte shkruar në greqishten klasike; një tjetër në hieroglifët egjiptianë; dhe i treti në atë që supozohej të ishte siriane, por më vonë u identifikua si demotike (shkrim i mëvonshëm egjiptian i përdorur për korrespondencën e përditshme). Siç e kuptoi Bouchard, duke supozuar se të gjitha mbishkrimet thoshin të njëjtën gjë, njohuria e greqishtes mund të përdorej për të deshifruar dy tekstet e tjera, të cilat deri tani kishin shmangur deshifrimin total.

Kjo perspektivë ishte shumë emocionuese. Prandaj, guri u dërgua në Shoqërinë e Antikuarëve në Londër, ku u bënë kopjet dhe u shpërndanë në qytetet dhe universitetet anembanë botës. Origjinali u vendos në Muzeun Britanik – me amanetin e mbretit George III – më 1802.

Gara vazhdoi më pas për të përkthyer greqishten dhe për ta përdorur atë për të zbuluar sekretet e dy gjuhëve tjera. Teksti i lexueshëm konfirmoi se tri mbishkrimet ishin vërtet identike në përmbajtje dhe lidheshin me një dekret të miratuar nga një këshill priftërinjsh në Memfis, në lidhje me kultin e Ptolemeut V në shekullin II p.e.s. Megjithatë, siç sugjeron afati kohor midis gërmimit të gurit më 1799 dhe momentit të eurekës së Champollionit më 1822, sfida e thyerjes së kodit doli më e vështirë sesa pritej. Për më tepër, në kundërshtim me besimin e vet, Champollion kishte zgjidhur vetëm një pjesë të enigmës, kur u hodh nga karrigia e tij duke pretenduar se “e gjeta!”

Në tetor, një ekspozitë do të hapet në Muzeun Britanik në Londër për të shënuar dyqindvjetorin e zbulimit të Champollionit, i cili përshpejtoi deshifrimin e tij të plotë të hieroglifëve. Siç shpjegon katalogu shoqërues, studiuesi i lindur në Fizhak “ishte sigurisht i pari që kapi logjikën strukturore të gjuhës së lashtë egjiptiane, në format e saj të ndryshme”, dhe si pasojë gëzonte reputacion të qëndrueshëm si njeriu që fitoi në garën intelektuale. Por, a ishte Champollion vërtet ai që besohej se ishte?

Pothuajse një mijë vjet para se të zbulohej Guri i Rozetës, studiuesit arabë kishin filluar të luftonin me hieroglifët që gjetën në monumentet egjiptiane dhe në pikturat e varreve. Metoda tejet piktoreske e shkrimit u zhvillua për herë të parë rreth vitit 3250 p.e.s. dhe në gjuhën egjiptiane ishte e njohur si “fjalë hyjnore” dhe në greqisht si “gdhendje e shenjtë” ose “hieroglif”. Edhe pse ai kishte pushuar së përdoruri në shekullin V e.s., këta studiues mesjetarë besonin se shkrimi mund të deshifrohej ende dhe se sekretet e mbishkrimeve do të zbulohen.

Në shekullin IX, një alkimist irakian i quajtur Abu Bakr Ahmad Ibn Wahshiyya, iu drejtua përkthimit të hieroglifëve me shpresën për të rizbuluar njohuritë e humbura shkencore. Ky besim, thotë Dr. Okasha El Daly, hulumtues i lartë në Institutin e Arkeologjisë në “University College London”, “nuk ishte aq i largët, sepse disa mure tempujsh kishin tekste shkencore që lidheshin me proceset alkimike”.

Ibn Al-Nadimi, djali i një librashitësi të Bagdadit të shekullit X, i regjistroi ato duke parë fletoret e Ibn Wahshiyyas përplot me simbole. Jo vetëm që Ibn Wahshiyya ishte në gjendje të kuptonte disa nga hieroglifët, por, siç theksoi Al-Nadim, ai me sa duket po punonte me konceptin – të përdorur më vonë nga Champollion – që një shkrim i njohur mund të përdoret për të deshifruar një shkrim ende të panjohur.

Kjo metodë u përdor pothuajse në të njëjtën kohë nga rivali kryesor i Champollionit, Thomas Young. I përshkruar nga biografi i tij modern si “njeriu i fundit që dinte gjithçka”, polimati anglez u përqendrua në shkrimin demotik në gur, duke kuptuar se kjo mund të sigurojë çelësin për t’i kuptuar hieroglifët. Në një libër të vitit 1814, Young zbuloi disa nga veprat e tij në tri mbishkrimet e Gurit të Rozetës. Suksesi i tij eventual në deshifrimin e demotikut rezultoi i paçmueshëm për Champollionin, i cili vazhdoi ta mposhtte atë në garën për të deshifruar hieroglifët përkatës.

Siç thotë Dr. El Daly për BBC: “Përparimi shkencor është një gjë e akumuluar. Champollion nuk veproi nga asgjëja. Ai filloi t’i studiojë kontributet e mëparshme. Dinte gjithashtu arabisht”. Ka shumë gjasa, në të vërtetë, që gjuhëtari të ketë pasur qasje në dorëshkrimet që përmbanin disa nga veprat e shkrimtarëve arabë, të cilët ishin përpjekur të deshifronin hieroglifët në fillim të mijëvjeçarit.

Një studiues i mëparshëm perëndimor, Athanasius Kircher, nga Gjermania, sigurisht që e kishte bërë pikërisht këtë dhe i kishte konsultuar shkrimet arabe, zakonisht në përkthim, teksa kryente kërkime për librin e tij për deshifrimin e hieroglifëve egjiptianë. Më shumë se 40 burime arabe përmenden në veprën e përhapur të Kircherit, “Oedipus Aegyptiacus”, të mesit të shekullit XVII. Njohuria e tij për veprën e Ibn Wahshiyyas nuk vihet në dyshim. Fatkeqësisht, Champollioni nuk arriti të citonte burimet e veta në të njëjtën mënyrë, që do të thotë se kontributi i studiuesve të mëparshëm në suksesin e tij përfundimtar ka qenë i vështirë për t’u vlerësuar në çdo detaj.

Nuk ishte e pazakontë që transmetimi i njohurive të mjegullohej në këtë mënyrë, teksa kalonte nëpër duart e skribëve dhe dijetarëve në Lindje. Dr. Violet Moller, autore e “The Map of Knowledge”, shpjegon se studiuesit arabë, të cilët ishin të dobishëm në bartjen e ideve nga antikiteti në Rilindje, shumë shpesh janë anashkaluar ose madje janë lënë jashtë historisë. “Është e pamundur të dihet se cilat ishin motivet individuale pas kësaj. Kur librat mjekësorë të autorit grek Galen, për shembull, u përkthyen nga greqishtja në arabisht, u rishikuan dhe u ndryshuan ndjeshëm nga një njeri i quajtur Hunayn Ibn Ishaq, disa studiues latinë e paraqitën thjesht si punë greke. Nuk përmendej as studiuesi arab që ishte përçuesi i dijes”, thotë ajo.

Sipas Mollerit, “ishte një besim i gjerë se grekët kishin një lloj më të lartë njohurie. Ishte gjithashtu një element i ndjenjës anti-islamike, rezultat i antagonizmit midis arabëve dhe të krishterëve në atë periudhë. Por, ishte një studiues arab nga Afrika e Veriut që përktheu një tekst në latinisht në Itali dhe ai bëri të njëjtën gjë [duke errësuar kontributin joperëndimor]. Ndoshta ishte pjesërisht pragmatik: tekstet e bazuara në njohuritë greke do të ishin më tërheqëse për studiuesit evropianë”.

Është e mundur, megjithëse ndoshta e pamundur, që Champollion të kishte vazhduar t’i paraqiste burimet e veta në një datë të mëvonshme. Siç vëren Dr. Daly, ai vdiq 10 vjet pas zbulimit të tij me deshifrim dhe mund të ishte tunduar t’i rishikonte botimet e veta. Nëse ai do ta bënte, përveç Ibn Wahshiyahut bibliografia e tij mund të kishte emrin e Athanasius Kircherit. Gjermani u kishte ofruar studiuesve tjerë perëndimorë një mënyrë të rëndësishme për studimet e mëparshme arabe. Kircher e kishte bërë gjithashtu të qartë se zotërimi gjuhës koptike ishte çelësi për zotërimin e hieroglifëve.

Koptishtja ishte shkrim i vonë egjiptian që kombinonte 24 shkronja greke me shtatë shkronja demotike egjiptiane dhe shpesh përdorej në kontekstet akademike. Një studiues egjiptian i shekullit XIII, i quajtur al-Idrisi, ishte ndër ata që kishin krijuar një lidhje të hershme midis këtij shkrimi dhe hieroglifëve. Disa dorëshkrime arabe nga e njëjta periudhë kur punonte al-Idrisi, me të vërtetë përmbajnë udhëzues gramatikor për gjuhën e koptëve dhe një numër prej tyre u prezantuan në Perëndim. Kircher hetoi më tej lidhjen midis dy shkrimeve, duke hartuar disa simbole hieroglifike në shkronjat koptike. Në këtë proces ai konfirmoi hipotezën e dijetarëve të mëparshëm arabë se disa hieroglifë kishin kuptime fonetike.

Champollioni, duke ndjekur një rrugë të ngjashme, fillimisht minimizoi elementin fonetik të shkrimit. Mendimi i tij i parë ishte se hieroglifët përfaqësonin tingujt kryesisht kur ata përdoreshin për të shkruar emra joegjiptianë. Më vonë, pas episodit të tij të alivanosjes, kuptoi se fonetika ishte në fakt një komponent qendror i shkrimit dhe mund të përdorej për të treguar edhe emrat egjiptianë. Një tingull i vetëm, tregoi ai, mund të përfaqësohej nga më shumë se një hieroglif. Ky nuk ishte thjesht një shkrim, kuptoi ai, por një gjuhë e folur.

Nuk mund të mohohet se Champollioni dha kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e studimeve në bërjen e këtyre zbulimeve. “Pa Champollionin”, thotë Dr. El Daly, “njohuritë tona do të duhej të prisnin disa dekada të tjera”. Deshifrimi i tij i hieroglifëve në Gurin e Rozetës lehtësoi përkthimin e qindra teksteve tjera të pakuptueshme gjatë shekujve më parë, dhe për këtë arsye hapi rrugë të panumërta të reja për studim dhe debat. Në nivel njerëzor, gjithashtu Champollioni meritonte lavdërimet që mori për këmbënguljen dhe fuqinë e tij intelektuale.

Por, derisa nderojmë arritjen e madhe të Champollionit 200 vjet më vonë, a nuk mund të mendojmë edhe për studiuesit tjerë të cilët, edhe pse në shumë raste janë të panjohur sot, nëpërmjet zbulimeve të tyre e ndihmuan atë në rrugën e tij? Është e diskutueshme se njerëz si Ibn Wahshiyah, Athanasius Kircher dhe Thomas Young punuan jo më pak për të zbuluar misteret e shkrimeve më misterioze të lashtësisë. Tani është koha për t’i rikthyer ata në enigmën ku u futën me kaq zell gjithë ata shekuj më parë. /Telegrafi/