LAJMI I FUNDIT:

Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!

Këto pesë vepra të çuditshme surrealiste nuk janë ashtu siç duken!
Vlerat personale nga René Magritte (1957)

Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Ka kaluar një shekull që nga publikimi i Manifestit të Surrealizmit të André Bretonit, i cili promovonte një “mënyrë të shprehjes së pastër … të diktuar nga mendimi, në mungesë të çfarëdo kontrolli të ushtruar nga arsyeja”. Fillimisht, shkrimi mendohej të ishte mjet për këtë imagjinatë të pafrenuar; arti nuk shihej si aq spontan. Megjithatë, vetëm një vit më vonë, më 13 nëntor 1925, ekspozita e parë e artit surrealist u mbajt në Paris, duke prezantuar një botë veprash të çuditshme dhe të frymëzuara nga ëndrrat, të krijuara nga artistë si Joan Miró, Pablo Picasso, Man Ray dhe Max Ernst.

Totemi i subjektivitetit të plagosur II nga Victor Brauner (1948)

Duke parë format fantastike të artit surrealist – nga orët e shkrira të Salvador Dalít dhe telefoni me gaforre, deri te filxhani me gëzof i Méret Oppenheimit – është e lehtë që këto vepra të pazakonta të duken më shumë qesharake sesa serioze. Megjithatë, teksa galeritë shënojnë përvjetorin e Manifestit me ekspozita mbi surrealizmin dhe trashëgiminë e tij, theksohet rëndësia e lëvizjes si reagim ndaj viteve të luftës që e frymëzuan atë.


Lexo po ashtu:
Surrealizmi
Dritaret e mendjes: Imazhet e hershme të Dora Maarit
Salvador Dali dhe mustaqet ikonike
Unë jam gjeni!
“Biri i njeriut” nga René Magritte
Vepra enigmatike: Magritte dhe fuqia subversive e një llulle
Violina e Ingresit
Muzat artiste

Ekspozita Por, jeto këtu? Jo, faleminderit: Surrealizmi dhe antifashizmi në Linbahaus të Munihut synon “të tregojë se lëvizja e surrealizmit u formua në të njëjtën kohë me ato lëvizje fashiste në Evropë, duke ndikuar dhe duke qenë bazike për kuptimin politik të surrealizmit”, thotë bashkëkuratorja Stephanie Weber për BBC-në. Surrealistët – me përjashtim të Dalít – ishin antifashistë, shpesh të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste Franceze. “Të gjithë artistët në ekspozitën tonë u përplasën personalisht me fashizmin dhe luftuan kundër tij”, thotë Weber. “Shumë prej tyre u persekutuan, u detyruan të shkonin në ekzil, luftuan në Rezistencë … dhe shumë prej tyre ranë në luftë ose u deportuan e u vranë.”

Një nga artistët e përfshirë në ekspozitë është piktori hebraik rumun, Victor Brauner. Përballë antisemitizmit në rritje nga Garda e Hekurt e Rumanisë, ai krijoi një jetë të re në Paris në vitet ’30 të shekullit XX, për t’u zhvendosur sërish në vitet ’40 të shekullit XX për shkak të pushtimit nazist. Opusi i tij është i begatë dhe përçon, sipas Weberit, “atë ndjesi piktoreske të humorit” që shfaqet te Totemi i subjektivitetit të plagosur II (1948), i cili është imazhi kryesor i ekspozitës. Piktura përfshin figura komike dhe karikatura me duart për hundë ose mjekër, por me dhëmbë të mprehtë dhe gjemba që sugjerojnë rrezikun. Format përmbajnë objekte që përngjajnë me fruta – një motiv klasik surrealist – si dhe organe të brendshme, duke aluduar diçka viscerale dhe brutale. Në qendër është “veza” e kudondodhur në surrealizëm, një simbol i ambicies për një realitet të ri të ndërtuar nga imagjinata dhe i shkëputur nga vuajtjet e së kaluarës.

Vlerat personale nga René Magritte (1957)

Në Paris, aty ku Manifesti i Bretonit u shkrua, vizitorët e ekspozitës Surrealizmi në Qendrën Pumpidu mund të shohin dorëshkrimin origjinal, të vendosur në zemër të një udhëtimi të ndërlikuar përgjatë 40 viteve të këtij arti magjepsës. Ekspozita udhëtuese filloi në Bruksel dhe do të vazhdojë në Madrid, Hamburg dhe Filadelfia, por aktualisht është më e zgjeruar, duke zënë një hapësirë prej 2200 metrash katrorë. Pikat kryesore përfshijnë Vlerat personale nga René Magritte (1952), një dhomë komike dhe absurde që përmban objekte të përditshme të përmasave të mëdha. Kjo komedi, megjithatë, ka vuajtjen si burim. Të zhgënjyer nga mendimi racional që çoi në shkatërrimet masive të Luftës së Parë Botërore, artistët si Magritte dhe pararendësit e tij dadaistë përqafuan irracionalen, duke krijuar vepra të çuditshme të frymëzuara nga bota e nënvetëdijes dhe ëndrrave.

Edhe pse revolucionar në vizionin e tij, Manifesti i Bretonit ishte më pak progresiv në seksizmin e tij të qenësishëm. Dedikuar burrave dhe i shkruar nga një perspektivë mashkullore, ai nuk parashikonte ose njihte rolin themelor që do të luanin gratë në formësimin e surrealizmit. Qendra Pumpidu i bën homazh grave artiste si Leonora Carrington, Dorothea Tanning dhe fotografes Dora Maar, të cilat shpesh janë nënvlerësuar ose trajtuar vetëm si muza. Në ekspozitë është përfshirë fotografia e njohur e Dora Maarit, Guaska e dorës (1934), një imazh magjepsës që përmban dy objekte të kundërta dhe të papajtueshme: një dorë elegante me një gisht të vetëm që prek butësisht rërën dhe një guaskë nga e cila ajo buron – një rikrijim, ndoshta, i Lindjes së Venerës së Botticellit. Hijet dhe qielli dramatik i veprës, në kontekstin ndërmjet luftërave, sugjerojnë lexime të ndryshme, nga ngritja e një bote të re nga rrënojat e së kaluarës, deri tek ardhja e një gjëje monstruoze.

Guaska e dorës nga Dora Maar (1934)

Kjo cilësi profetike e surrealizmit, e frymëzuar nga nënvetëdija, trajtohet që në fillim të ekspozitës, ku spikat Muzeu i Edith Rimmingtonit, një pikturë me “kolazh të rremë” që ka në qendër një objekt që ngjan me një glob kristali. Tor Scott, asistente kuratoriale në Galerinë Kombëtare të Skocisë, ku ruhet një koleksion i veprave të Rimmingtonit, studion këtë artiste enigmatike britanike.

Me sytë e shumtë që bredhin në pikturë, Muzeu “shtron pyetje për balancën e fuqisë midis objektit dhe shikuesit”, thotë ajo për BBC-në, dhe “flet për objektivizimin e formës femërore”. “Artefakti” qendror femër është i rrethuar nga gjallesat detare që ngjajnë me organe të prera riprodhuese femërore. Shumë nga veprat e Rimmingtonit përdorin “imazhe viscerale dhe të dhunshme që do t’u flisnin atyre që jetonin në Britani gjatë dhe pas periudhës ndërmjet luftërave”, thotë Scott. “Vepra e saj përfshinte shpesh përshkrime të trupave të copëtuar ose të deformuar, si dhe referenca për natyrën ciklike të jetës dhe vdekjes”.

Muzeu nga Edith Rimmington (1951)

Ky nëntekst i tmerrit vazhdon në ekspozitën Surrealja traumatike në Institutin Henri Mur në Lids, që eksploron shprehjen e grave surrealiste mbi trashëgimitë e dhimbshme të fashizmit. “Surrealizmi ka origjinën dhe është i ankoruar në traumën e luftës”, thotë bashkëkuratorja Patricia Allmer, profesoreshë e historisë së artit modern dhe bashkëkohor në Universitetin e Edinburgut dhe autore e librit të vitit 2022, Surrealja traumatike: Gratë gjermanofone artiste dhe Surrealizmi pas Luftës së Dytë Botërore, që frymëzoi këtë ekspozitë. “Asnjë artist burrë surrealist nuk është përfshirë kaq drejtpërdrejt në zbërthimin dhe kritikën e Luftës së Dytë Botërore si këto artiste gra”, i tha ajo BBC-së. Claude Cahun dhe e dashura e saj Marcel Moore, për shembull, u burgosën për botimin e propagandës antinaziste, ndërsa Lee Miller “shkoi vërtet në luftë dhe fotografoi nga aty. Nuk ka asnjë surrealist mashkull që bëri diçka të tillë”.

Fokusi i ekspozitës, megjithatë, është te artistet gjermanofone. “Ose ato jetuan nën fashizëm, ose prindërit e tyre ishin, në një mënyrë apo në një tjetër, të përfshirë në të”, thotë Allmer, duke theksuar se vlerat ekstreme patriarkale të mishëruara nga fashizmi nuk përfunduan me luftën. “E gjithë ideologjia vazhdoi, por ishte disi e shtypur dhe u kthye në këtë nëntekst të çuditshëm”.

Ketri nga Méret Oppenheim (1969)

Një nga veprat më intriguese të ekspozitës është Ketri nga Méret Oppenheim, një artiste me prejardhje hebraike e lindur në Gjermani, e cila iku me familjen në Zvicër. Skulpturat, si kjo kupë birre me një dorezë gëzofi, mund të duken qesharake, por shpesh “zhyten në dhunë”, thotë Allmer. “Në përshtypjen e parë, bishti i butë të nxit ta prekësh, dhe gota e birrës sugjeron kënaqësi shoqërore dhe hedonizëm”, por përplasja e çuditshme krijon një efekt tronditës, “si një metaforë për tronditjet historike të përvojës së luftës që çojnë në traumë”. Në bishtin e prerë, thotë Allmer, nënkuptohet “prerja ose amputimi”, dhe gëzofi – një material që shihet gjithashtu në veprat e Ursulas, Renate Bertlmannit dhe Bady Minckut – nënkupton diçka të egër dhe të frikshme, trajtimin e grave si kafshë dhe obsesionin shqetësues të Hitlerit për ujqit. Humori i zi është i qëllimshëm dhe “një strategji shumë e rëndësishme”, shpjegon Allmer, duke u mundësuar grave “të artikulojnë realitetet që përndryshe janë të shtypura ose të përjashtuara nga diskursi publik”. Bretoni do t’ia kushtonte një antologji këtij humori në vitin 1940, që u ndalua menjëherë nga regjimi i Vishit në Francë. Humori, ka shkruar ai, është “një proces që të lejon të anashkalosh realitetin kur bëhet tepër shqetësues”. Nëse e mendojmë surrealizmin si qesharak, nuk e humbasim domosdoshmërisht thelbin. /Telegrafi/