LAJMI I FUNDIT:

“Biri i njeriut” nga René Magritte

“Biri i njeriut” nga René Magritte

Arti ndjell një mister pa të cilin bota nuk do të ekzistonte – René Magritte

Nga: Bledar Kurti

Vepra Biri i Njeriut (1964) është piktura më e njohur e artistit belg René Magritte (1898-1967). Figura e burrit të veshur me pallto të zezë, me kapele republike, me një mollë që pluskon përpara fytyrës së tij, është ndër më të njohurat dhe më të përdorurat në ilustrime, reklama, media, etj, edhe në ditët e sotme.

Në pamje të parë, shikuesi ngrys vetullat dhe ndien një vërshim mendimesh të cilat nuk ndalen gjëkundi, e nuk kapen dot pas ndonjë kuptimi. Shikuesi dallon njeriun, mollën, murin, qiellin dhe detin, të cilat janë mëse të qarta në vetvete, por të pikturuara bashkë e të kompozuara në mënyrë të tillë, ato trazojnë imagjinatën dhe të shtyjnë thellë në kthinat e thella të perceptimit.

Kjo pikturë është provokuese. Dhe ky ishte pikërisht qëllimi i artistit: të provokonte dhe sfidonte perceptimin njerëzor mbi figurat dhe objektet e zakonshme, e për t’i shpalosur ato në kompleksitetin e përbërjes së tyre. René Magritte krijoi një numër të shumtë imazhesh të mprehta e mendim-provokuese, duke pikturuar objekte të zakonshme në një kontekst të pazakontë. Veprat e tij shquhen për sfidimin e perceptimeve të paramenduara që shikuesit kanë mbi realitetin.

Teksa shohim Biri i Njeriut, mendja nis e na jep mesazhe se në të ka diçka që nuk shkon, dhe sytë mundohen që ta gjejnë se ku qëndron anomalia. Mendja nis e vihet në konflikt me sytë. Ajo percepton figurën e burrit në tërësi ndërsa sytë fokusohen te molla e cila ngulitet gjithnjë e më shumë në mendje edhe nëse e hedhim vështrimin diku tjetër.

Më pas, duke analizuar me imtësi çdo pjesë të tablosë vërejmë që bërryli i majtë i figurës është në drejtim të kundërt, pra duket sikur artisti e ka pikturuar anën e majtë të burrit me pamje nga deti e jo nga shikuesi. Ky dyjëzim imazhi i manifestuar në një figurë të vetme, na kujton Davidin e Michelangelo-s, i cili përfaqësonte në krahët e tij dy natyra: atë aktiven dhe pasiven. Por në rastin e Biri i Njeriut, dyjëzimi është shpalosur me pozicionimin, me frontalen dhe të pasmen, me pamjen nga shikuesi ose me pamjen nga horizonti, afrimin dhe arratinë. Dhe muri që gjendet pas burrit shton kontrastin midis izolimit dhe lirisë, kafazeve mendore dhe horizontit të përtejmë.

Shohim që palltoja e burrit ka tre kopsa, por e treta është e pambërthyer. A është kjo e qëllimshme? Patjetër që po. Është një lojë pamore me shikuesin, duke e ftuar atë të përfshihet në tablo, ashtu siç bëri Caravaggio me shportën e frutave në skaj të tavolinës, e cila dukej sikurdo binte, duke ftuar shikuesin të zgjaste dorën e ta mbante.

Aspekti më tërheqës i imazhit është fytyra e njeriut e cila është e mbuluar nga një mollë e ndritshme jeshile me pesë gjethe. Vështirë të dallohet, megjithatë, Magritte e ka pikturuar syrin e majtë të njeriut duke vështruar përmes gjetheve.

Burri në tablo është vetë artisti. Magritte vishej në jetën e përditshme me kostum të zi dhe kapele republike, ndaj në këtë vepër ai e përdori mollën për të fshehur fytyrën e tij të vërtetë. Dhe në komentet e tij, po aq trilluese sa edhe vepra, në lidhje me pikturën, Magritte përmendi dëshirën njerëzore për të parë e zbuluar atë se çfarë fshihet prapa të dukshmes. Ai u mor vazhdimisht me konfliktin që mund të lindë midis “të dukshmes që është e fshehur dhe të dukshmes që është e pranishme”, ndaj në këtë tablo shikuesi është kureshtar por dhe i frustruar me fytyrën që nuk mund të shihet për shkak të mollës. Ndaj atij i duhet të imagjinojë se si është fytyra. Biri i Njeriut është i thjeshtë por i habitshëm, i qartë por enigmatik. Njeriu me kostum e me fytyrën e tij të mbuluar, ka nxitur imagjinatën e miliona njerëzve.

Në lidhje me këtë pikturë, vetë Magritte u shpreh kështu:

Së paku fytyra fshihet pjesërisht. Kështu që ju keni fytyrën e dukshme, mollën, që fsheh të dukshmen por të fshehur, fytyrën e njeriut. Kjo është diçka që ndodh vazhdimisht. çdo gjë që shohim fsheh diçka tjetër, ne gjithmonë duam të shohim atë se çfarë fshihet nga ajo që shohim. Ka interes të madh për atë që është e fshehtë dhe për atë që e dukshmja nuk na tregon. Ky interes mund të marrë formën e një ndjenje mjaft të fortë, një lloj konflikti , midis të dukshmes që është e fshehur dhe të dukshmes që është e pranishme.

Ajo çfarë e bën edhe më provokuese këtë tablo është titulli. Biri i Njeriut është një term që të çon përtej kohrave dhe koncepteve, e lidhet si me vetë njerëzimin ashtu edhe me hyjninë. Ky është një nga termat me të cilin Krishti i referohej vetes, ndaj dhe Biri i Njeriut gjendet 81 herë në greqisht në Dhjatën e Re të Biblës, ndërsa në hebraisht, në Dhjatën e Vjetër, mbi 100 herë, por duke iu referuar Adamit. Kësisoj, me termin Biri i Njeriut Krishti shpalli natyrën e tij hyjnore si bir i Perëndisë, por njëkohësisht edhe atë njerëzore si bir e pasardhës i Adamit, njeriut të parë. Këtë natyrë të dybotshme, e cila gjendet në pothuajse të gjitha kryeveprat e botës, Magritte e ka manifestuar përmes misterit, provokimit të mendjes, dhe gjëzës së asaj që duket e asaj që fshihet.

Por edhe molla luan rolin e vet në këtë konceptim të dybotshëm. Lidhja midis përdorimit të mollës dhe titullit të pikturës është një referencë e qëllimshme ndaj tundimit të Adamit në Kopshtin e Edenit dhe si pasojë rënien e njerëzimit në mëkat. Edhe pse në Bibël, në librin e Zanafillës, nuk përmendet asnjëherë fjala mollë por vetëm fryt, për shkak të pikturave dhe ilustrimeve ndër shekuj mendja njerëzore e lidh mollën me frytin e pemës së ndaluar. Por, pas kësaj lidhje midis njeriut dhe hyjit, Adamit dhe Krishtit, njeriut modern dhe zanafillës së mëkatit, Biri i Njeriut i Magritte mund t’i referohet kujtdo, madje edhe një njeriu pa fytyrë i veshur me kostum e me kapele republike, i cili mund të jetë artisti, por edhe vetë shikuesi.

Magritte ishte surealist. Artistët surealistë, të ndikuar nga psikologjia frojdiane, u angazhuan me idenë se ka të vërteta që qëndrojnë nën sipërfaqen e gjërave. Për ta, forma nuk është krijuar për të kënaqur syrin, por për të stimuluar mendjen që të njohë veten dhe gamën e fshehtë të aktivitetit të saj. Në artin e surealistit, bota objektive refuzon të mbetet një realitet i ndarë, por bashkohet në mënyrë aktive me imagjinatën tonë për të shembur muret kufizuese të këtij mashtrimi të thjeshtë racional, duke e çliruar mendjen për të përfshirë botën e arsyes me kuptimet e veta komplekse. Si rrjedhojë, ne shohim me sy ndryshe e me një vështrim të freskët, mbi objektet e hapësirës dhe me një kuptim të ri mbi hapësirën e mistershme të mendjes sonë.

Pikturat e Magritte, në pjesën më të madhe, kanë një logjikë të pamëshirshme, aq të pamëshirshme sa që shkatërrojnë vetë logjikën duke treguar se sa i varfër është një element për të kuptuar si perceptimin shqisor ashtu edhe imazhet e mendjes. Çdo pikturë më vete e bën shikuesin të vetëdijshëm mbi problemin pamor, idenë iluzive, dhe mbi imazhin provokues që duket transparent dhe i thjeshtë, por mbetet problematik në vetvete. Më tej, ato na bëjnë të vetëdijshëm për habinë e spekulimeve të mendjes sonë dhe jo thjesht një realitet personal i fantazisë që i përket vetëm artistit.

“Arti i pikturës,” shkroi Magritte në një nga letrat e tij, “konsiston në përfaqësimin me anë të teknikës pikturore të imazheve të paparashikuara që mund të më shfaqen në momente të caktuara, qoftë kur sytë e mi janë të hapura apo të mbyllura.” Magritte kurrë nuk u përpoq t’i shërbente pikturës, por ai e përdori atë si një instrument të dijes dhe çlirimit. Pikturat e tij nuk kanë për qëllim zbavitjen e syrit, por të ndihmojnë njeriun të gjejë veten, të zbulojë botën dhe ta pasurojë atë. Në këtë mënyrë Magritte e përdori artin e tij si një mision me ndikim universal.

Arti i Magritte është zbulesa e matur dhe reflektuese e një mendjeje të pjekur dhe të ndjeshme. Ai filloi të skiconte peizazhe dhe portrete qysh kur ishte adoleshent. Në vitet e para të jetës së tij ai pati një jetë të rehatshme, e i përkiste një familje të shtresës së mesme. Por kur ishte 13 vjeç, jeta e tij mori një kthesë tragjike nga vetëvrasja e nënës së tij. Ajo mbyti veten në një lumë të vogël dhe u gjet e veshur me rrobat e natës e me fundkëmishën e mëndafshtë të lidhur mbi kokën dhe fytyrën e saj. Gjatë jetës së tij, Magritte pikturoi figura njerëzish me lecka apo çarçafë mbi kokat e tyre sikur po mbyten. Në mënyrë të ngjashme, në pikturat e tij vërehen shpesh dhe arkëmorte dhe gurë varri. Madje edhe kostumi dhe kapelja republikës janë referenca për prindërit e tij, pasi i ati kishte qenë rrobaqepës ndërsa e ëma kapelebërëse.

Magritte jetoi tre vite në Paris. Pjesën më të madhe të jetës, si edhe gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore ai e kaloi në Beligjikë. Gjatë atyre viteve ai e siguroi jetesën duke kopjuar veprat e Pablo Picasso dhe Georges Braque. Aftësitë e tij artistike i mundësuan që të kopjonte e falsifikonte kartëmonedha për të shkaktuar inflacion në monedhë, me shpresën për të kërcënuar financat gjermane. Dhe kështu, në mënyrën e vet, ai kontribuoi në luftën anti-naziste.

René Magritte i qëndroi porsi një dishepull besnik Surealizmit deri në fund të jetës. “Surealizmi kërkon nga jeta jonë kur jemi zgjuar një liri të ngjashme me atë që kemi në ëndrrat tona,” u shpreh ai. Ndaj edhe përzierja midis iluzionit dhe realitetit ishte shtysa kryesore në artin e tij. Stili i tij unik vë në dyshim e sfidon sigurinë tonë mbi të vërtetën pamore. Ai pikturoi imazhe iluzioni dhe ëndrash. Veprat e tij janë enigmatike, e luajnë me dyshimet mbi të vërtetat pamore. Ai u shpreh se: “Njerëzit që kërkojnë kuptimin simbolik nuk arrijnë dot të kuptojnë poezinë dhe enigmën e trashëguar të një imazhi, imazhet duhen parë ashtu siç janë.” Teknika e tij ishte e saktë, e kujdesshme por edhe e rëndomtë. Ikonografikisht ai krijoi një repertor të imazheve që nguliten në mendje, të cilat shfaqen në mënyrë të përsëritur në mjedise të zakonshme, por të papërshtatshme. Nën frymën surealiste tablotë e tij ishin si përgjigje për pyetjet e reja që vetë ato shtronin.

Qëllimi parësor i Surealizmit nuk ishte kurrë vërtetësia ndaj natyrës. Surealistët synonin të arrinin “të vërtetën revolucionare”. Pikturat surealiste tregojnë histori. Dhe në të gjitha veprat e Magritte ne arrijmë të bëhemi pjesë e shumë historive. Ai krijoi gjëza përmes komponentëve të realitetit, e gjatë procesit të krijimit ai theksonte absurditetin e tyre. Pikturat-gjëegjëzë të Magritte janë lojra intelektuale të cilat ndërkohë shtrojnë pikëpyetje mbi realitetin. Dhe ai e bëri këtë përmes elementeve tërësisht të veçantë, të paprecedentë dhe të pakrahasueshëm. E në këtë mënyrë ai e bën shikuesin të ndalojë e mendojë mbi natyrën e realitetit, dhe mbi perceptimet tona të pashprehura me fjalë. Ai e zhvendos shikuesin nga gjërat e rëndomta duke ofruar surpriza, dhe këtë e arrin duke i transformuar tërësisht situatat e zakonshme reale. Loja e ndërthurjes midis poezisë dhe pikturës, subjektit dhe idesë, magjisë dhe pasqyrimit, përshkruhet më së miri nga Magritte duke ia mohuar subjektit identitetin e tij real. Dhe këtë ai e realizonte edhe me fjalë, si në rastin e llullës – “Ceci n’est pas une pipe” (Kjo nuk është një llullë) te vepra Tradhtia e Imazhit, në të cilën ai pikturoi një llullë e poshtë saj shtoi nënshkrimin “Kjo nuk është një llullë,” duke luajtur me perceptimin e shikuesit e duke mohuar identitetin e objektit.

I pyetur për këtë lojë e trillim artistik, Magritte u shpreh kështu:

Llulla e famshme. Sa shumë qortime kam marrë prej njerëzve për të! E megjithatë, a mund ta përdorni këtë llullë? Jo, është vetëm një përfaqësim, apo jo? Ndaj, nëse unë do kisha shkruar në pikturën time “Kjo është një llullë’, do të kisha gënjyer!

Mendja e dashuron të panjohurën, dhe shpirti i njeriut yshtet nga e paditura. Zemra e njeriut tërhiqet nga bukuria e mjegullës. Instinkti i njeriut i përgjigjet të përtejmes. Ndaj edhe Magritte krijoi imazhet më sfiduese për perceptimin njerëzor. Ato janë ftesë për një udhëtim drejt së panjohurës. Dhe, padyshim vepra Biri i Njeriut është një ndër imazhet më yshtëse dhe trilluese në historinë e artit. Ajo përmban mister, iluzion, gjëzë, dhe poezi.

Imazhet poetike dhe emblemat e misterit të Magritte shkonin përtej penelit të tij, ato ishin një stil jetese dhe filozofi mendimi. Në një letër drejtuar një mikut të tij ai shkruan:

Për mua, poezia nuk ka të bëjë me formën. Ajo ka nevojë për një formë. Ajo është një përshkrim i mendimit. Dhe ky përshkrim është një imazh i dukshëm. Mendimi që përshkruan i kthen të paditurës atë që dihet. Ka fuqinë për t’i ngjasuar universit. Ndërsa esenca e imazhit poetikështë e mistershme. Ajo i përgjigjet më së miri natyrës sonë për t’u tërhequr nga misteri.

Për Magritte poezia dhe imazhi ishin një. Dhe ai ka lënë shumë shënime mbi këtë bashkim, apo mbi forcën trilluese të artit në tërësi, por, ashtu si çdo artist tjetër në histori, rrallë komentoi për veprat e tij në mënyrë shpjeguese, duke respektuar rregullin e artë se artisti është vetëm një ndërmjetës midis veprës dhe shikuesit.

Nëse do i kërkohej Mozartit që të përshkruante me fjalë simfonitë e tij askush nuk do i dëgjonte ato. Apo nëse Shekspiri do tregonte me gojë historinë e Hamletit, askush nuk do merrte kohën për ta lexuar. Jo vetëm muzika dhe letërsia, por edhe piktura hyn tek zhanrat që duhen përjetuar, ndaj edhe vetë krijuesit e veprave nuk janë shumë të zellshëm për t’i interpretuar ato. Ata kërkojnë që të jetë vetë tabloja ajo që flet sa një mijë fjalë, e ata të qëndrojnë të heshtur, pa spekulluar verbalisht me vetëdije, por me përulje ndaj forcës komunikuese të artit, i cili e bën çdo shikues ta përjetojë atë në mënyrë unike. Ndaj nëse një mijë njerëz qëndrojnë përpara një tabloje të vetme, atëherë do ndizen një mijë emocine, secila e veçantë dhe unike.

Arti ka një buzëqeshje të personalizuar për gjithësecilin prej nesh, dhe një çelës për këdo nga ne, që hap çdo derë të mendjes sonë, duke na zbuluar mistere të cilat janë të rezervuara vetëm për sytë tanë.

Biri i Njeriut është Adami, Krishti, artisti, unë, ti, e në fakt e gjithë historia e mbarë njerëzimit, që nga Kopshti i Edenit e deri në ditët e sotme moderne, një histori krijimi, rënie, privimi, shpagimi, dhe vetëdije për universin brenda dhe jashtë nesh, për universin e artit i cili na shpalos përgjatë epokave fytyrat e tij të shumta, përmes së cilave ne arrijmë të kuptojmë më mirë veten. /Gazeta “ExLibris”/