Imazhi i tyre shfaqet në kryeveprat më të njohura të historisë së artit. Njëherësh, bukuria e hireve të trupit i ka ndihmuar ta çojnë më tej karrierën, shpeshherë duke tejkaluar edhe famën e partnerëve të tyre meshkuj. Por, shumë nga to vdiqën edhe në moshë fare të re, mes vuajtjesh e të përndjekura nga hija e meshkujve që ato dashuruan.

FRANÇOISE GILOT (MUZË E PABLO PICASSOS)

Françoise Gilot dhe Picasso u takuan në vitin 1943; ajo 21-vjeçe, kurse ai 62-vjeçar. Madje, në atë kohë Picasso ishte ende i lidhur me Dora Maarin. Gilot kaloi 10 vjet me Picasson, duke e frymëzuar për veprat, si “Gruaja-lule” (1946) – në të cilën Picasso e pikturoi si një lule – dhe “Grua vizatim” (1951). Nisur nga emërtimi i fundit, Gilot ishte edhe vetë artiste. Ajo ishte e pavarur dhe vijoi ta gjeneronte punën e saj gjatë gjithë marrëdhënies së tyre, përfshirë edhe dy fëmijët që kishin bashkë. Gilot u largua nga Picasso në vitin 1953 dhe pikturoi deri në fund të jetës së saj. Edhe pse shpesh emërtohej si ish-e dashura e Picassos, ajo hapi ekspozita të shumta vetjake në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, publikoi edhe libra për jetën me Picasson dhe për marrëdhënien e tij me artistin tjetër të madh, Henri Matisse.

DORA MAAR (MUZË E PABLO PICASSOS)

Artiste para se të takonte Pablo Picasson, Dora Maar studioi për pikturë dhe fotografi, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në Lëvizjen Surrealiste, veçanërisht me fotografinë e saj ikonë, “Portreti i Ubusë” (1936). Picasson e njohu përmes kolegëve të saj surrealistë dhe të dy filluan një marrëdhënie dhjetëvjeçare në vitin 1936. Ajo e fotografoi, sidomos teksa punonte me pikturën e tij epike “Guernica”, por edhe ai e pikturoi dhe e vizatoi. Pra, bashkëpunuan në projekte. Ajo shfaqet në disa nga kryeveprat e tij (p.sh. “Portreti i Dora Maarit” (1937) dhe “Gruaja që qan” (1937). Siç ndodh shpesh në çështje të tilla pasionante midis artistëve, marrëdhënia u përkeqësua; një tjetër ia zuri vendin (Françoise Gilot), e si rrjedhojë Maar jetoi e vetmuar dhe e brengosur për Picasson deri në fund të jetës së saj. Reputacioni i saj si artiste u zbeh,në krahasim me famën që pati si muzë.

FRIDA KAHLO (MUZË E DIEGO RIVERAS)

Frida Kahlo dhe Diego Rivera u martuan në vitin 1929 dhe së bashku u futën në një dekadë të trazuar. Që të dy krijuan disa nga veprat ikonë të artit në Meksikë, megjithëse gati të kundërta sa i përket temës dhe stilit të njëri-tjetrit: Kahlo dallohej për mënyrën e saj personale dhe emocionalisht shprehëse, ndërsa Rivera ishte publik dhe monumental, duke projektuar mesazhe të guximshme universale. Kishin ndikime të ndjeshme artistike tek njëri-tjetri, gjë e cila shfaqej edhe në veprat e njëri-tjetrit (p.sh. Kahlo, “Diego në mendjen time” (1943) dhe “Arsenali” nga afresku i Riveras “Vizioni politik i popullit meksikan” (1928)). Megjithëse Rivera mund të ketë qenë artisti më i famshëm në atë marrëdhënie, reputacioni i Kahlos, pas vdekjes në vitin 1954, ndoshta e tejkaloi.

LEE MILLER (MUZË E MAN RAYT)

Edhe pse pati një fëmijëri të trazuar, Lee Miller ishte një grua e bukur dhe e zgjuar, cilësi të cilat i hapën dyert e jetës. Para se të takonte artistin Man Ray, studioi për pikturë dhe vizatim, duke u bërë modele e modës së lartë. Rreth vitit 1929, në Paris, i kërkoi Rayt t’i mësonte fotografinë, por ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Imazhi i saj shfaqet në veprat e tij të shumta, duke përfshirë edhe të famshmen “Koha e observatorit – të dashuruarit” (viti 1934), ku shfaqen dukshëm buzët e saj. Bashkëpunoi me Rayn për zhvillimin e procesit fotografik të quajtur “solarization” (më vonë, Man Ray merr atributin e plotë për këtë punë). Kur u ndanë, ajo vazhdoi karrierën e saj fotografike, madje duke shërbyer si femra e parë korrespondente lufte për të shoqëruar trupat aleate në vijën e frontit të Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës, u martua dhe pati një fëmijë, por vuajti nga trazirat post-traumatike dhe alkoolizmi deri në fund të jetës. U harrua nga historia e artit, derisa i biri zbuloi rreth 60,000 negativë, 20,000 printime dhe fletë kontakti, dokumente dhe shkrime të vendosura në papafingo (pas vdekjes së saj në vitin 1977).

KIKI DE MONTPARNASSE (MUZË E MAN RAYT)

Lindi në varfëri, e njohur me emrin Alice Ernestine Prin, Kiki de Montparnasse u shndërrua në muzën e fotografit surrealist Man Ray në fillim të viteve 1920, por gjithashtu u ul për modernistët Amedeo Modigliani, Aleksandër Calder, Moise Kisling dhe të tjerë. Man Ray e bëri atë subjektin e qindra veprave, më të famshmet “Violina e Ingres” (1924), në të cilën është punuar me shpinën në mënyrë të atillë që të duket si një violinë. Gjatë viteve 1920, ajo pikturoi gjithashtu vepra të thjeshta cirku apo skenash qyteti, duke i nënshkruar “Kiki”. Me to hapi një ekspozitë jashtëzakonisht të suksesshme në Paris, në vitin 1927. Po ashtu, kujtimet e veta i mblodhi në një botim të vitit 1929, të cilat ishin haptazi tronditëse sa i përket stilit të jetesës së shpenguar. Dekadat e ardhshme u shoqëruan me probleme, mbingarkesa dhe varfëri. Vdiq në vitin 1953 dhe u varros në varrezat e Montparnasseit të saj të dashur.

GEORGIA O’KEEFFE (MUZË E ALFRED STIEGLITZIT)

Shërbeu si muzë e mjeshtrit të fotografisë Alfred Stieglitz, por, siç e dinë të gjithë, Georgia O’Keeffe u bë një piktore moderniste me reputacion të gjerë, duke tejkaluar edhe atë të Stieglitzit. Kishte vite që shërbente si modele, kohë kur Stieglitz zbuloi punën e saj në vitin 1916. Të dy u dashuruan dhe u martuan në vitin 1924. Stieglitz e mbështeste financiarisht, në mënyrë që ajo të kishte mundësi të pikturonte, duke ia ekspozuar punën rregullisht derisa vdiq në vitin 1943. Po ashtu e fotografoi O’Kifin përgjatë 20 vjetëve, duke prodhuar më shumë se 300 fotografi individuale. Ndryshe nga shumë muza në historinë e artit, O’Kif jetoi më gjatë se shoqëruesi i saj (më shumë se 40 vjet!) dhe pati një karrierë të gjatë e të suksesshme.

BERTHE MORISOT (MUZË E EDOUARD MANETIT)

Në një hark kohor gjashtëvjeçar (1868-1974), Édouard Manet e pikturoi Morisotin 11 herë, më shumë se cilëndo modele tjetër. Dy nga pikturat e tij më të njohura janë: “Ballkoni” (1868-69) dhe “Berta Moriso me një buqetë vjollcash” (1872). Moriso u martua me vëllain e Edouardit, Eugene, dhe u shndërrua në një nga dy artistet që e ngritën rrugëtimin e tyre nëpërmjet klubit të djemve impresionistë (tjetra ishte Mary Cassatt). Megjithatë, kritikët bashkëkohorë nuk u impresionuan aq ndaj artit të saj, sesa ndodhi me kolegët e saj. Organizoi shpesh ekspozita, por shiti shumë pak gjatë në të gjallë dhe nuk u njoh nga kritikët dhe studiuesit si një talent i madh, deri gati një shekull më vonë.

ELIZABETH SIDDAL (MUZË E DANTE GABRIEL ROSSETTIT)

Si shumë muza të tjera, Elizabeth Siddal doli nga mjedisi i klasës punëtore. Teksa punonte për një kapelashitës, ajo pati shansin të takohej me një artist që e tërhoqi në rrethin e artistëve të Vëllazërisë Para Rafaelite (PRB). Ajo u ul për shumicën e artistëve të PRB-së, por shpejt u bë ekskluzive për Dante Gabriel Rossettin, duke u shfaqur në piktura të tilla si “Ecce Ancilla Domini” (1849-50), “Regina Cordium” (“Mbretëresha e Zemrës”) (1860) dhe “Beata Beatrix” (1864-70). Inkurajuar nga Rossetti për të filluar pikturën dhe shkrimin, ajo gjithashtu prodhoi vepra dhe ekspozoi me grupin më 1857 dhe 1858. Për fat të keq, gjatë marrëdhënies dhe martesës me Rossettin vuajti tmerrësisht nga xhelozia; ishte shëndetdobët dhe krijoi varësi nga opiumi. Vdiq nga mbidoza në moshën 32-vjeçare, ndoshta në vetëvrasje. Rossetti e varrosi Sidalin së bashku me dorëshkrimet e shumicës së poezive të tij, por e zhvarrosi trupin e saj në 1869 për t’i tërhequr mbrapsht ato.

CAMILLE CLAUDEL (MUZË E AUGUSTE RODINIT)

Duke filluar nga viti 1884, Camille Claudeli punoi si asistente në studion e skulptorit Auguste Rodin, duke u bërë sakaq muzë dhe mësuese e tij. Marrëdhënia e pasionuar dhe e trazuar u përkeqësua dhe përfundoi më 1892. Claudel megjithëse e torturonte kujtimi i Rodinit, shumë kohë pasi rrugët e tyre ishin ndarë, vazhdoi të krijonte skulptura. Veprat e saj më të njohura përfshijnë “Epoka e pjekurisë” (1893-1900) dhe “Llafazanet” (1897). Mjerisht, karriera e saj u ndërpre kur u shtrua në një spital psikiatrik në vitin 1914, ku edhe mbeti deri në vdekjen e saj më 1943. /konica.al/Telegrafi/