Si e përjetoi Brazili poshtërimin më të madh - një goditje nga e cila ende nuk është rikuperuar deri më sot

Në historinë e tij të pasur të futbollit, Brazili ka përjetuar dy goditje të rënda – tronditje kombëtare nga të cilat ka pasur vështirësi të rikuperohet – dhe në specialen kushtuar Kupës së Botës 2026 po rikujtojmë shembullin më të fundit.
E para nga dy “katastrofat kombëtare”, siç u pëlqen t’i quajnë brazilianët, ndodhi në vitin 1950 në stadiumin legjendar “Maracanã”, përpara rreth 170 mijë spektatorëve. Atje, në finalen e Kupës së Botës, Uruguai e mposhti Brazilin 2-1 dhe ia rrëmbeu titullin që shumëkush e konsideronte “të sigurt”.
Kësaj radhe, do të ndalemi te ngjarja e 12 viteve më parë, për të cilën shpesh thuhet se është poshtërimi më i madh në historinë e futbollit. Kanë kaluar 12 vjet nga 8 korriku 2014, kur Gjermania e mposhti Brazilin 7-1 në “Mineirao” të Belo Horizontes.
Ndeshja e shumë përfolur
Në atë kohë, “Cariocat” ishin në kulmin e entuziazmit. Ishin organizatorët e Botërorit dhe ëndërronin titullin e gjashtë, para një publiku të zjarrtë. Por në vend të festës, u përballën me një Gjermani të pamëshirshme – kurorëzimin e një gjenerate fenomenale, të ndërtuar mbi boshtin e Bayern Munich. Statistikat e asaj ndeshjeje flasin vetë, gjermanët shënuan shtatë gola nga vetëm 14 goditje, një efikasitet rrallëherë i parë në një Kupë Bote.
Ishte gjysmëfinalja e Kampionatit Botëror. Të dyja skuadrat ishin të pamposhtura në Botërorin 2014, ndërsa Brazili hyri në ndeshje i tronditur edhe nga mungesa e dy figurave kyçe, Neymar për shkak të lëndimit dhe kapiteni Thiago Silva për shkak të kartonëve.
Por edhe sikur të ishin në fushë, do të ishte e vështirë të ndalej Gjermania e asaj nate. Askush nuk e imagjinonte se pas vetëm 45 minutash rezultati do të ishte 5-0. Thomas Muller, Miroslav Klose, Toni Kroos (dy herë) dhe Sami Khedira shënuan radhazi, duke e mbyllur praktikisht gjithçka që në minutën e 29-të.
Në pjesën e dytë, edhe Andre Schurrle, një emër që më pas u zbeh, realizoi dy herë dhe e thelloi edhe më shumë një plagë që mbeti e hapur për vite. Humbja u “zbut” vetëm formalisht nga Oscar, i cili shënoi golin e nderit në minutën e 90-të.

Pse ky moment mbetet në histori
Ky duel mbeti i skalitur në histori për disa arsye. Ishte diferenca më e madhe e golave në një gjysmëfinale Botërori dhe një nga ndeshjet ku Gjermania, përmes golave të shënuar, e tejkaloi Brazilin edhe në statistika historike të Kupës së Botës.
Ishte, po ashtu, humbja më e rëndë e Brazilit në një ndeshje Botërori. Për krahasim, humbja e dytë më e thellë e tyre në Botëror – ajo ndaj Francës më 1998 – ishte “vetëm” 3-0.
Reagimet ishin të ashpra dhe pasojat u ndien për një kohë të gjatë në futbollin brazilian. Përzgjedhësi Luiz Felipe Scolari dha menjëherë dorëheqjen, duke marrë përgjegjësinë, ndërsa lojtarët kërkuan falje publike.

Shumë prej tyre u fishkëllyen. Neymar, që e humbi ndeshjen nga lëndimi, thuhet se e fiku televizorin pas rezultatit 5-0.
Fred ishte ndër më të kritikuarit dhe pas ndeshjes i dha lamtumirën fanellës së kombëtares.
Ndërkohë, mbrojtësi gjerman Mats Hummels zbuloi më vonë se gjermanët nuk donin ta poshtëronin Brazilin më shumë në pjesën e dytë. Figura më tronditëse e mbrëmjes ishte David Luiz, lotët e tij në fushë dhe intervista emocionale u shndërruan në imazh simbolik të rënies.
- YouTube www.youtube.com
Tragjedi kombëtare
“Gjithmonë e kam thënë se futbolli është një kuti surprizash. Askush në këtë botë nuk e priste këtë rezultat. Do të përpiqemi të fitojmë titullin tonë të gjashtë në Rusi. Urime gjermanëve”, shkroi Pelé pas ndeshjes.
Edhe Gary Lineker, atëherë komentator në BBC, tha se nuk bëhej fjalë thjesht për humbje, por për poshtërim. Në studio, të tronditur mbetën edhe emra si Thierry Henry, Ruud Gullit dhe shumë të tjerë.
“Tragjedi kombëtare” dhe “Turpi mbi të gjitha turpet” ishin disa nga titujt më të rëndë në mediat braziliane mëngjesin pas ndeshjes.

Duke ditur çfarë peshe ka futbolli në Brazil, është e kuptueshme pse 7-1 u kthye në një plagë shoqërore dhe kulturore – një shprehje që u fut edhe në përditshmëri: “çdo ditë është një 7-1 i ri” për çdo fatkeqësi apo poshtërim.
Pasoi një luhatje e gjatë. Scolari u largua dhe Dunga u rikthye, por pa një plan të qartë, efektet e asaj nate ishin afatgjata – psikologjikisht dhe taktikisht. Kjo u pa edhe në garat e ardhshme në Amerikën e Jugut ku Brazili u eliminua fillimisht në çerekfinale nga Paraguai, ndërsa më 2016 u eliminua madje edhe në fazën e grupeve.
Kapiteni Thiago Silva ka thënë vite më vonë se lojtarët ende mbartnin frikën e një përsëritjeje të ngjashme.

A mund ta marrë Brazili më në fund fronin këtë vit?
As në Botërorët pasues Brazili nuk arriti majën. Në Rusi 2018 u eliminua në çerekfinale nga Belgjika, ndërsa në Katar 2022 u ndal nga Kroacia.
Tani, 12 vjet më vonë, në Brazil po rritet bindja se kjo mund të jetë mundësia për ta lënë pas traumën dhe për të synuar titullin e gjashtë.
Një nga arsyet kryesore për optimizmin është Carlo Ancelotti, trajneri legjendar me një CV trofesh evropianë që pak kush mund ta rivalizojë.

Do të jetë e vështirë, por para Botërorit në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Brazili po hyn në një valë entuziazmi që nuk është parë prej 2014-s.
Ancelotti e ka rikthyer Neymarin në kombëtare dhe në Brazil shpresa është e qartë: që “princi” më në fund të bëhet “mbret”, ndoshta në shansin e fundit të madh të karrierës së tij. /Telegrafi/











































