Gani Elshani, deri dje ushtrues detyre i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ishte befasuar kur një pjesë e murit të korridorit që çon në zyrën e kreut të MKRS-së ka qenë i rrjepur. Për të marrë vendime, shefi i ri i MKRS-së, Memli Krasniqi, nuk ka pritur as orën 11:00 të së enjtes, kur edhe zyrtarisht është ulur në karrigen e kreut të MKRS-së. Kjo as që i ka penguar atij të heqë fotografitë-posterë të ish-presidentit e kritikut letrar Ibrahim Rugova dhe të humanistes Nëna Terezë. Ai ka lënë vetëm foton e aktorit Bekim Fehmiu.

Elshani, për të përditshmen “Koha Ditore” ka thënë se është ndier i hutuar me këtë veprim. “Më vonë e mora vesh që ministri i ri i ka hequr”, ka thënë ai.


Këto fotografi së bashku me një tjetër, që pasqyron ngjarjet që kanë shënuar 100-vjetorin e lindjes së nobelistes së paqes, kanë qenë të vendosura në murin hyrës të korridorit që të çon në zyrën e ministrit të Kulturës.

Ministri Krasniqi e ka pranuar se me vendim të tij janë hequr fotografitë. Për të fotoja e humanistes shqiptare dhe e ish-presidentit Rugova nuk janë të kohës.

“Ka kapërcyer 100-vjetori i Nënës Terezë. Tash jemi në vitin 2011 dhe meqenëse s’ka pasur ministër qe disa muaj, nuk kanë mundur t’i heqin më herët”, ka thënë Krasniqi.

Edhe për fotografinë-poster të ish-presidentit Ibrahim Rugova, ministri i sapoemëruar ka dhënë të njëjtin arsyetim.

“Fotografia e Rugovës ka qenë e njëjta gjë. Ka qenë e ndërlidhur me vitin 2010”, ka theksuar ministri Krasniqi. Por urgjenca e heqjes së fotove nuk do të jetë edhe për zëvendësimin e tyre.

“Do të vendoset diçka aty. Mirëpo ajo nuk është asgjë urgjente që t’i vë menjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Fotoja e Rugovës e Nënë Terezës dhe ajo e Bekim Fehmiut në korridorin e MKRS-së ishin vendosur gjatë mandatit të ish-ministrit të MKRS-së, Lutfi Haziri. Pikërisht ky i fundit ka thënë se veprimi i pasardhësit të tij ka qenë i panevojshëm.

“Ato fotografi kanë qenë pasqyrim i asaj se çfarë është synimi i ministrisë. Fotografitë kanë qenë pjesë e planit punues të ministrisë”, ka thënë Haziri. Sipas tij, fotografitë s’kanë qenë në plan të hiqen.

“Brendësia e ministrisë ka qëllim të zgjerohet me fotografi të tjera, por jo të hiqen”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/