LAJMI I FUNDIT:

Fëmijët ukrainas në Shqipëri vazhdojnë arsimimin

Fëmijët ukrainas në Shqipëri vazhdojnë arsimimin

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov deklaroi sot se të gjithë fëmijët ukrainas në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas.

Shukrov tha se “që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, është rritur numri i ukrainasve që ikin nga lufta”.

“Tani po operojmë me 816 refugjatë nga Ukraina që kanë kaluar kufirin dhe janë këtu. Dëshiroj të theksoj që 214 ukrainas kërkuan ndihmë në ambasadën tonë, 124 të rritur dhe 91 fëmijë dhe morën mbështetje. Kemi kemi kontakte të mira me ministritë përkatëse, policinë, oganizata refugjatësh. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të them, që ka dy vendime të qeverisë shqiptare lidhur me statusin e mbrojtjes së përkohshme për refugjatët. Këto u japin mundësi refugjatëve ukrainas të hyjnë në vend dhe të qëndrojnë në Shqipëri për një vit”, tha ai.


Sipas Shukrov, “deri tani nuk kemi refugjatë, por ukrainas me statusin e mbrojtjes së përkohshme”.

“Kam vizituar një grup fëmijësh ukrainas me nënat e tyre, që është në Durrës dhe mbërriti në Shqipëri në 23 mars. Ka edhe një grup tjetër nga Ukraina që erdhi më 30 mars. Deri tani situata është normale. Pala shqiptare pranon qytetarët ukrainas me solidaritet dhe dëshirë për t’i ndihmuar. Të gjithë fëmijët ukrainas këtu, në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas. Mësimi bëhet online dhe ambasada jonë i kushton vëmendje të veçantë . Kemi bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, kemi kontakte të mira dhe fëmijët tanë kanë mundësi të vazhdojnë mësimet në shkollat shqiptare dhe të shkojnë gjithashtu në kopsht”, tha Ambasadori.

Shukrov shprehu mirënjohjen ndaj parlamentit shqiptar për rezolutën e 7 marsit në mbështetje të Ukrainës dhe luftës së saj kundër agresorit rus.

“Kam qenë shumë i emocionuar nga kjo ngjarje dhe klimë në përgjithësi. Dua të them gjithashtu që përveç riemërtimit të rrugës “Donika Kastrioti,” Bashkia e Tiranës përgatiti bashkë me ne kamionin e parë të madh me ndihma humanitare për Kievin, që para luftës është i binjakëzuar me Tiranën. Kemi pasur disa aktivitete të tjera që janë zhvilluar në Tiranë. Përgatitëm në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës një ngjarje tjetër të madhe, bashkimin e qytetarëve shqiptarë dhe ukrainas për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen ndaj popullit tonë dhe luftën e tij me agresorin rus. Shpresoj, më pas, kur lufta të mbarojë do të bëjmë më të mirën që të promovojnë marrëdhëniet tona”, tha ai. /DW/