LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni zbret në nivelin më të ulët në tre vjet, por ushqimet mbeten të shtrenjta në Shqipëri

Inflacioni zbret në nivelin më të ulët në tre vjet, por ushqimet mbeten të shtrenjta në Shqipëri
Foto: Olsi Shehu/Anadolu Agency

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë këtij viti. INSTAT bëri të ditur se inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit zbriti në 2.1% në prill, nga 2.3% që ishte muajin e mëparshëm dhe 4.6% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ky është niveli më i ulët i inflacionit që nga maji i vitit 2021, kur ekonomia vendase dhe globale po rikuperohej nga pandemia.


Më pas, çmimet nisën rritjen, si rrjedhojë e problematikave që u shkaktuan në zinxhirin e furnizimit nga pandemia. Në 2022 shtrenjtimi u përshpejtua dhe më tej si rrjedhojë e pasojave të sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në tregjet globale të energjisë e ushqimeve.

Në tetor 2022, inflacioni në vend arriti në 8.3%, niveli më i lartë nga viti 1998, kur vendi vuajti pasojat e piramidave. Në 2023 rritja e çmimeve u lehtësua për tu ngadalësuar ndjeshëm në pjesën e parë të 2024-s, e ndihmuar dhe nga rënia e inflacionit në Europë, që është dhe partneri ynë kryesor tregtar.

Në përpjekje për të luftuar inflacionin, Banka e Shqipërisë që ka si objektiv kryesor ruajtjen e stabilitetit të çmimeve shtrëngoi politikën monetare, duke rritur normën bazë nga 0.5% në mars 2022 në 3.25% aktualisht. Tashmë inflacioni ka zbritur nën objektivin e shënjestruar prej 3% të bankës së Shqipërisë, por kjo e fundit nuk e ka nisur ende politikën lehtësuese monetare.

Ushqimet janë grupi që kanë ndikimin më të lartë në rritjen e çmimeve.

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,52 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,26 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,15 pikë përqindje secili, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,06 pikë përqindje secili.

Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Prill 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,4% pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,5%, “Veshje dhe këpucë” me 3,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,2%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3%, “Shërbimi arsimor” me 2,2%, “Shëndeti” me 1,7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,5% dhe “Transporti” me 1,0%. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 5,4%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,2%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 4,1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3,6%, “mish” me 2,4%, etj.

Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 0,7%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” shënuan rritje me 1,1%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,5%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Transporti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2% secili, “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1% secili. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria e vlerëson të vonuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Qeveria e vlerëson të vonuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Lajme
Kurti “godet” sistemin e drejtësisë: Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës, numërohen në gishta

Kurti “godet” sistemin e drejtësisë: Aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë për krimet e luftës, numërohen në gishta

Drejtësi

"Avokati Mëngjesi në gjendje të rëndë", mjeku: Ka dëmtim të trurit, vendimtare 72 orët pasuese

Lajme
Ahmeti: Cilido qoftë variant do të ishte i pranueshëm, veç Albin Kurti të mos jetë kryeministër

Ahmeti: Cilido qoftë variant do të ishte i pranueshëm, veç Albin Kurti të mos jetë kryeministër

Politikë
Efekti

Efekti "TikTok", mbi 15 nxënëse të dy shkollave në Fushë-Kosovë dyshohet se i kanë gërvishtur duart e tyre

Arsim
Ndryshimet në skemën sociale, familjet në nevojë që kanë fëmijë mbi pesë vjeç mund të aplikojnë sërish për ndihmë financiare

Ndryshimet në skemën sociale, familjet në nevojë që kanë fëmijë mbi pesë vjeç mund të aplikojnë sërish për ndihmë financiare

Lajme
Kalo në kategori