LAJMI I FUNDIT:

Kurti e Osmani për “The Guardian”: Do ta luftojmë korrupsionin

Kurti e Osmani për “The Guardian”: Do ta luftojmë korrupsionin

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, njëherit edhe kandidate për këtë post, Vjosa Osmani ka thënë se së bashku me Albin Kurtin do ta luftojnë korrupsionin.

Osmani dhe Kurti këto komente i bënë në një intervistë dhënë për “The Guardian”.

Kështu bëri të ditur Osmani përmes një postimi në Facebook.


“Në një intervistë për “The Guardian”, së bashku me Albin Kurtin, diskutuam për nevojën urgjente për ta luftuar korrupsionin në Republikën e Kosovës dhe ndryshimin që do ta sjellë aleanca jonë politike”, ka shkruar Osmani.

Në këtë intervistë Kurti e Osmani kanë folur për procesin zgjedhor, njohjen nga Izraeli, luftimin e korrupsionit e shumë tema tjera.

Albin Kurti e Vjosa Osmani mirëpresin njohjen e Kosovës nga Izraeli, e duket se janë të gatshëm të dëgjojnë Washingtonin për çështjen e ambasadës, gjë që shkaktoi pakënaqësi tek pala serbe.

“Unë nuk mendoj se mund të përballojmë më shumë mosmarrëveshje në mes të Washingtonit dhe Brukselit kur bëhet fjalë për Ballkanin. Nëse ka mospajtime, superfuqitë e tjera si Rusia do të ndërhyjnë”, ka thënë Kurti.

Osmani thotë se aleanca e re është mënyra e vetme për të luftuar “një mur të madh të korrupsionit”. Sipas saj, lufta kundër korrupsionit është ajo që i ka bashkuar forcat e dy liderëve. /Telegrafi/