LAJMI I FUNDIT:

Nadine Labaki dhe rezistenca ndaj sistemit të thyer

Nadine Labaki dhe rezistenca ndaj sistemit të thyer

Aktorja dhe regjisorja e nominuar për çmimin Oscar, Nadine Labaki, flet për rezistencën ndaj një sistemi të thyer dhe për ngritjen e një brezi të ardhshëm që do të mendojë e besojë se i përket Libanit.

Nga: Katie Trotter
Përktheu dhe përgatiti: Agron Shala

Regjisorja më me ndikim dhe më e vlerësuar në botën arabe, Nadine Labaki, nuk ka dëshirë të flasë për sukseset. Arritjet e saj janë të mëdha, që prej vlerësimit për filmin prekës që u nominua për çmimin Oscar, Kapernaumi (2018) e deri te Karameli mjaft i pëlqyer (2007). Megjithatë, i zvogëlon vlerësimet pjesërisht sepse i ka dëgjuar që të gjithat më parë dhe pjesërisht sepse nuk ka interes për famën dhe kotësinë e saj, aq sa i intereson mënyra se si po zhvillohen gjërat.


Ajo që e shqetëson Labakin është vendi i saj, Libani, si dhe njerëzit e tij të harruar. Ajo rri me ata që janë të guximshëm për t’u përballur me krizën aktuale socio-ekonomike që po i bën më të dukshme vrimat e thella të shkaktuara nga sistemi i thyer. Këto nuk janë krejtësisht vëzhgime të veçuara; vetë vepra e saj i arsyeton veprimet. Përtej një nocioni klishe, ajo vërtet dëshiron ta bëjë ndryshimin.

Kjo është detyra ime, sepse e di se çfarë zjarri mund ta ndezë arti, për ta prekur – në aspekt emocional – një qenie tjetër njerëzore. Është një përgjegjësi që vjen me mjetin tim, kështu që duhet ta shfrytëzoj platformën time sa më shumë që të mundem, thotë ajo.

E lindur më 1974, në prag të një lufte të përgjakshme civile në Liban, Labaki bart me vete një konflikt dhe një frikë që ia përshkon venat. E pranon se si fëmijë i vockël, lufta ka ndikuar tek ajo. U përpoqëm të mos flisnim shumë për këtë. Prindërit bënë aq sa mundën për ta krijuar një botë për ne, të tillë që nuk ishte aq e shëmtuar sa ajo jashtë. Ndoshta kjo është arsyeja se pse për mua jeta është ndier gjithmonë si emergjencë e një lloji të veçantë dhe, mbase, si pjesë e kuptimit se pse gjithmonë e kam atë ndjenjën se nuk kam bërë kurrë sa duhet në këtë jetë të shkurtër që kemi”.

Regjisorja flet me ngadalë dhe në mënyrë metodike, përgjatë rrjedhës torturuese të kujtimeve të saj të hershme, se si ishin të grumbulluar nëpër streha të ndryshme në mënyrë që ata të shpëtonin nga bombat, për jetën pas thasëve me rërë pa e ditur kurrë nëse ajo dhe familja e saj do të mbijetonin për ta parë një tjetër ditë.

Nuk jam saktësisht e sigurt se në cilën moshë isha, kur për herë të parë e kuptova konceptin e vdekjes, por e di se isha shumë e re. Mbaj mend se e pashë një shpërthim të tmerrshëm në një supermarket, por ndryshimi ndodhi kur ata e lëvizën një trup që atëherë kuptova se i përkiste një fëmije, kujton Labaki. Deri atëherë s’e dija se si dukej vdekja. Ai trup i pajetë ka qëndruar me mua, përgjithmonë. Kishte aq shumë gjëra që s’i kuptoja, por e dija, në atë moment, se kjo nuk ishte mënyra se si duhej të ishin.

Pavarësisht prej trazirave, Labaki që, gjithashtu, është nënë e dy fëmijëve të vegjël, ka qëndruar në Liban. Në cilën fazë dikush vendos se mjaft është mjaft?

Natyrisht, kam empati për ata që janë larguar për një jetë më të mirë. Megjithatë, largimi për mua kurrë nuk ishte një mundësi. Ekziston dallim i madh mes dëshirës dhe nevojës. Ndonëse mund të kem pasur shanse të ndryshme jashtë vendit, ndiej se përkas këtu dhe se misioni im është këtu, shprehet ajo. Kjo që po ndodh tash nuk është asgjë më pak se një krizë njerëzore dhe çdo person që mund të kontribuojë për të ndihmuar, në rritjen ekonomike që mund të ndodhë këtu, duhet të jetë këtu. Jemi tërësisht të humbur pa ta.

Teksa nderohej për arritjet e saj në Galanë e 73-të vjetore të Institutit të Lindjes së Mesme në Uashington, Labaki e mbajti një fjalim mjaft emocionues, duke i nxitur bashkatdhetarët e saj që të kthehen në shtëpi.

Libani ka shumë nevojë për ju, fizikisht, me njohuritë e juaja, me arsimimin tuaj, me energjinë tuaj, me talentin tuaj, me vullnetin tuaj të mirë, u lut ajo.

Parë për së largu, Libani përballet me kaos dhe pasiguri të mëtejshme. Dikush pyet se si ka dështuar sistemi në mënyrë kaq të dukshme? Regjisorja e urren fjalën fuqi aq sa e sfidon kuptimin që i jepet.

E kemi tejkaluar veten me shndërrimin e botës në një vend shumë të frikshëm për shkak të korrupsionit, lakmisë dhe një keqkuptimi të plotë të asaj që do të thotë fuqi dhe udhëheqje, thotë ajo. Kemi dështuar, në çdo nivel, për krijimin e një sistemi dhe të një strukture të duhur për t’i mbështetur njerëzit në nevojë.

Kriza e pandemisë së koronavirusit vetëm se e ka thelluar plagën tashmë të pashëruar e të hapur në Liban, duke zbuluar edhe absurditete të tjera.

Njerëzit po jetojnë në kufirin e varfërisë. Ata nuk mund të rrinë në shtëpi sepse u duhet të shkojnë në punë për bukën e gojës. Çdo qenie njerëzore ka të drejtë t’i plotësojë nevojat e tij themelore, pavarësisht nga gjendja e tij financiare, arsimore ose gjeografike. Kemi nevojë për të gjetur zgjidhje për të gjithë, jo për disa të zgjedhur. Ajo që po ndodh tashmë është veç një tjetër dëshmi se sistemi ynë aktual nuk është duke funksionuar.

Labaki është e bindur se populli i Libanit duhet të shikojë përbrenda dhe ta trajtojë atë që është shkatërruar, duke filluar me tokën. Ajo po e udhëheq fushatën #Zarri3etAlbi, që synon nxitjen e iniciativave të bujqësisë shtëpiake.

Duhet ta rivlerësojmë tërësisht marrëdhënien tonë me natyrën. Po vraponim në boshllëk dhe po lëviznim shumë shpejt, jo vetëm në Liban, por në shkallë globale. Konsumerizmi na ka bërë të harrojmë si të bëhemi të vetëmjaftueshëm. Duke i inkurajuar fermerët vendës për të prodhuar në mënyrë lokale, mund të kthehemi në ritmin që natyra aq bukur na e dikton, thotë ajo. Të mbash diçka të gjallë është dhuratë, dhe nuk ka gjë më të bukur sesa t’i hash prodhimet e tua. Kjo nuk do ta zgjidhë problemin kryesor, por mund të jetë një mënyrë për ta zvogëluar barrën.

Nuk ka asgjë të lehtë në lidhje me Labakin: ajo spikat në një industri të mbushur me njerëz të famshëm e të mbrojtur. Ligjërimi i saj i sinqertë, kërkues dhe i artikuluar, është i zbukuruar me pjesë të fuqishme nga arti, sociologjia, historia dhe politika, të cilat ajo i qëndisë për t’i nxitur ndryshimet. Ndonëse rruga do të jetë e gjatë dhe e mundimshme, beson se ndryshimi fillon me edukimin e bërthamës së shoqërisë – të rinisë së saj.

Nëse vazhdojmë ta rrisim një brez fëmijësh që mendojnë se nuk përkasin këtu, gjërat kurrë nuk do të përmirësohen, vlerëson ajo. Nuk ka asgjë më të bukur sesa të jemi dëshmitarë të arritjes së një qëndrimi bashkëpunues. Asgjë nuk është kaq e rëndësishme. Jam shumë krenare me popullin tim libanez dhe me rezistencën e tij të palëkundur. Njerëzit tanë mund të jenë të bllokuar dhe ne mund të ndihemi të paralizuar nga një situatë e pamendueshme, por lufta jonë nuk ka mbaruar.

***

PËRTEJ KORNIZËS SË LUFTËS:
FILMAT E NADINE LABAKIT

Pjesa më e madhe e kinemasë moderne libaneze përbëhet nga filmat që për temë kanë luftën dhe trazirat e mëdha fetare. Ndaj, kontributet e regjisores dhe aktores Nadine Labaki janë pasuri e këtij standardi, sepse ofrojnë një perspektivë të re për Libanin – përtej trashëgimisë së konflikteve të përgjakshme.

Objektivi i filmave të mi nuk mund të jetë vetëm ai artistik; ai duhet të jetë në shërbim të një kauze më të madhe shoqërore, ka thënë ajo. Kinemaja është mjeti përmes të cilit mund të shprehem më së miri. E përdori atë për t’i kufizuar efektet e shkatërrimit përreth nesh dhe për ta marrë përgjegjësinë time si anëtare e kësaj shoqërie, por edhe si artiste. Besoj njësoj në rëndësinë e angazhimit të artistëve për t’i mbrojtur kauzat e shoqërisë, sepse besoj në aftësinë e kinemasë për të ndikuar në ndryshime. Nëse një film arrin të ndikojë te shikuesit, ky ndikim mund të shkojë në nivele të ndryshme dhe kjo më shtyn të kërkoj tema më të thella e më të rëndësishme.

E lindur në Baabdat të Libanit më 1974, karrierën filmike e filloi duke bërë regjinë e reklamave televizive dhe të videove muzikore. Filmi i parë i saj, Sukkar Banat (Karamel, 2007), u shfaq në Kanë, ku Labaki u njoh si talent i ri. Në atë film – ku po ashtu luan – rrëfehet jeta e pesë grave libaneze dhe përvojat e tyre të dashurisë, të miqësisë dhe të seksit. Filmi është vlerësuar për paraqitjen e guximshme të një aspekti më pak të njohur të shoqërisë libaneze.

Libani nuk është vetëm ndërtesat e djegura dhe njerëzit që qajnë në rrugë. Kur ju thoni Liban, veçanërisht te të huajt, kjo është gjëja e parë që ata e mendojnë, ka thënë Labaki. Për mua Libani ka të bëjë me gjërat e tjera; ne i jetojmë historitë e dashurisë si çdo person tjetër në çdo vend të botës. Kjo është arsyeja se pse doja të flisja për një çështje që nuk ka asnjë lidhje me luftën dhe e cila e shfaq një pamje të re të Libanit, konkretisht të një populli me imagjinatë që e do jetën.

Edhe filmi tjetër i saj, W halla’ la wayn (Ku po shkojmë tash?, 2011), u vlerësua në Kanë. Ngjarja zhvillohet në një fshat libanez ku jetojnë të krishterët dhe myslimanët. Filmi e tregon luftën e grave lokale për ta ruajtur paqen, madje duke sjell edhe “valltare” ukrainase, që burrat të shpërqendrohen nga politika e të shmangen kështu trazirat fetare.

Më 7 maj 2008 filluan luftimet midis dy palëve kundërshtare, ka thënë Labaki. Brenda pak orësh Bejruti u kthye në një zonë lufte. Ishim të bllokuar, në shtëpi; rrugët ishin të bllokuara. Po shikoja televizorin ku pashë njerëz me maska, me armë e granata. Mendova: ‘A është e mundur kjo? A mund të jemi përsëri këtu? Dhe, të shkojmë edhe një herë në luftë civile? Thashë me vete, po sikur djali im të ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe të tundohej e të bashkohej me luftën, e ta merrte barrën e mbrojtjes së familjes së tij – sepse është gjithmonë joshëse, sidomos për të rinjtë. Çfarë do të bëja si nënë për ta ndaluar?

Filmi më i suksesshëm i saj është ai i fundit, Capernaum (Kapernaumi, 2018), që ishte kandidat për çmimin Oscar më 2019. Ngjarja shtjellohet rreth jetës së një fëmije 12-vjeçar, në Bejrut, i cili i padit prindërit e tij se pse e lindën (për shkak të vuajtjeve dhe sfidave të mëdha me të cilat ballafaqohet). Filmi ka marrë çmime të mëdha, kudo në botë, dhe një duartrokitje prej 15 minutash në Kanë. Rolin kryesor, të vlerësuar nga kritika, e luan një refugjat sirian.

Doja që filmi t’i nxisë debatet e politikave publike që na çojnë në rregullimin e legjislacionit që prek jetët e fëmijëve të margjinalizuar. OJQ-të po bëjnë përpjekje të mëdha, por ngarkesa është e madhe, ndaj na duhet një punë e bashkërenduar, ka thënë ajo. Si mund ta shoh unë këtë padrejtësi e t’ia kthej shpinën?

Në vitin 2014 Labaki ishte bashkëregjisore (pjesë e një kaste prej dhjetë regjisorësh nga mbarë bota), për realizimin e filmit dhjetë pjesësh, Rio, Eu Te Amo (Rio, të dua), film ky që nuk është mirëpritur nga kritika. /Revista “Akademia”/Telegrafi/