LAJMI I FUNDIT:

Vazhdon përplasja PDK – LVV për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti

Vazhdon përplasja PDK – LVV për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, i cili tha se PDK nuk e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë.

Zyba në një deklaratë të dhënë për Telegrafin gjatë ditës së sotme ka pohuar se PDK është duke ndërruar qëndrim për mocionin, dhe se po kërkon një marrëveshje me LVV-në.


Këto deklarata të deputetit Zyba po cilësohen si të papranueshme nga PDK.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi ka deklaruar se mocioni për rrëzimin e Qeverisë është mashtrim nga LVV.

“Vet fakti që sot Lëvizja Vetëvendosje e ka detyruar një deputet anonim që të flas për mocionin e mosbesimit, që dorën n’zemër as vetë nuk e marrin seriozisht në partinë e tyre, tregon shumë për seriozitetin e kësaj partie politike.  Partia Demokratike e Kosovës është treguar e hapur, e sinqertë dhe mbi gjitha, shumë e drejtpërdrejt.  Mocioni për rrëzimin e qeverisë është një mashtrim tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse, këta nuk e kanë seriozisht as rrëzimin e qeverisë, e as bashkëpunimin opozitar për të zgjidhur problemet e qytetarëve”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, pro rrëzimit të qeverisë janë deklaruar edhe Aleanca Kosova e Re dhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli. /Telegrafi/