LAJMI I FUNDIT:

Shahini: Pati kampanjë të vrazhdë kundër meje dhe Gent Cakajt nga Vetëvendosje

Shahini: Pati kampanjë të vrazhdë kundër meje dhe Gent Cakajt nga Vetëvendosje

Besa Shahini dhe Gent Cakaj nga Kosova, u emëruan si ministra në Qeverinë e Shqipërisë që drejtohet nga Edi Rama, por  Shahini nuk e çoi deri në fund mandatin e saj si Ministre e Arsimit, derisa Cakaj edhe sot e kësaj dite është ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropës pasi nuk u dekretua nga presidenti Ilir Meta.

Shahini thotë se as njëri dhe as tjetri nuk janë raste mossuksesi, derisa shton se Lëvizja Vetëvendosje bëri fushatë të vrazhdë kundër tyre.


“Unë nuk e shoh si një rast mossuksesi as njërin dhe as tjetrin, por të dy kemi situata krejt të ndryshme prej njëri-tjetrit. Genti u pengua nga presidenti dhe nga politikat ditore. Pati një kampanjë shumë të vrazhdë nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër të dyve, e cila reflektoi te vendimi i presidentit që të mos e dekretojë si ministër”, tha ajo në Klan Kosova.

Sipas Shahinit, në dokumentin që e nxorri presidenti Meta, ishin pak a shumë të njëjtat fjalë që i nxorri VV-ja, kur e nxorri sipas saj, deklaratën negative kundër Cakajt, “që nuk mund të jetë Ministër i Punëve të Jashtme”.

“Unë kam vendosur që të tërhiqem, para se të futemi në proces zgjedhor, janë ndryshe strukturalisht si probleme. Nëse e marrim perspektivën pozitive, që unë e kam për gjithë këtë projekt, mendoj që çdo projekt në fillim të tij, has në sfida të ndryshme të cilat tejkalohen rrugës dhe mësohen mësime, për të mos u përsëritur në të ardhmen. Si projekt, që ka filluar shumë ambicioz dhe ka treguar vullnetin e kryeministrit Rama dhe PS-së që të ndërmarrë hapa drejt përfshirjes së shqiptarëve, jashtë kufijve të Shqipërisë në qeverisjen në Shqipëri, ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm”.

Shahini vlerëson se megjithatë projekti për përfshirjen e Kosovës në qeverisjen në Shqipëri ishte i suksesshëm.

“Mund ta quani dështim. Një projekt, që ka filluar për herë të parë ka dhënë rezultat të kënaqshëm dhe ka bërë një kapërcim në këtë idenë e mundësisë së përfshirjes së shqiptarëve, në pozita të larta vendimmarrëse edhe nga jashtë kufijve të atij vendi. Një gjë e tillë mund të ndodhë në të ardhmen edhe në Kosovë – nuk është më një çudi dhe një projekt që do të habisë njerëzit”.

“E kemi bërë një kapërcim te pjesa shoqërore dhe kulturore, ndoshta nuk e kemi bërë kapërcimin politik, aq sa është dashur dhe ky projekt nuk ka rezultuar politikisht aq suksesshëm sa ka pasë ambicie në fillim, por që e ka ndryshuar qasjen që njerëzit e kanë ndaj një shkëmbimi të tillë është plotësisht e vërtetë”, tha Shahini.