LAJMI I FUNDIT:

Heroi kulturor Gjergj Fishta përkrah Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti

Heroi kulturor Gjergj Fishta përkrah Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti

Qëkur jemi njohur me historinë e vërtetë të Kosovës dhe paradigmën kulturore të saj, e shndërruar në paradigmë nacionale e politike, s’e paskemi aq të vështirë për të kuptuar pse “Françeskanët e mëdhenj shqiptarë”, burra të besës e qëndresës, autorë e autoritete, identitarë e misionarë kuptohen kaq mirë, lexohen me kaq dashuri, ripropozohen si “monumente të letërsisë shqipe” pikërisht nga Prishtina, nga elitat e saj, për mbarë botën shqiptare.

Një ide e kemi pse atje e po e themi menjëherë: shoqëria dhe intelektualët e Kosovës nuk janë korruptuar asnjëherë moralisht sa ata të Shqipërisë dhe të Tiranës në bashkëpunim me regjimin komunist. Shumë prej tyre s’u bënë laracë e levantinë, të konvertuar e shërbëtorë.

Nuk kanë kënduar kinemave teksa shkrimtarët dënoheshin me vdekje e burg, nuk e kanë ndarë letërsinë në “reaksionare” e “përparimtare”, nuk harxhuan tonelata boje e letre me i quajt tradhtarë, nuk u sollën si tinëzarë e me skuthëri në epokën e lirisë ndaj tyre.


Ata, përkundrazi, botonin e qëmtonin hapur e fshehurazi të ndaluarit, nuk u bënë bashkëpunëtorë në krim, por e sfiduan atë me rrotativat e shtëpisë botuese “Rilindja”.

Rezistenca e tyre për liri e pavarësi është ushqyer pa ndërprerje nga gurra ideologjike e rezistencës parakombëtare e kombëtare. Për specifikat e veprës së tij epike e jo vetëm, Fishta duket të ketë qenë më frymëzuesi për ta.

Gjergj Fishta mbetet asaj dite e sot shqiptari i patejkaluar në fuqinë e tij mendore për t’u përballur me shovinizmin serb në plan kulturor e historik. Atë që Fishta paralajmëroi si mundësi përsëritjeje duke gjykuar kohën e tij, kosovarët e patën si provë, ndaj ai u përjetua si dëshmitar e model.

Shkrimtari, studiuesi, profesori e akademiku, ai që jemi mësuar ta shohim si “homo meditans, poeticus e militans”, i alternuar në këto pozicione sipas ndërgjegjes së tij intelektuale dhe britmave të Kosovës për liri e shtetformim ndër epoka, Sabri Hamiti, na e pohon këtë: “Për shqiptarët veriakë si unë, Fishta është diçka më shumë se një poet; ai është një pikë e fortë identifikimi me një gjuhë me hapësirë enciklopedike e brezit të shkuar, me një karakter të papërkuljes e kryengritës, më në fund si pikë mbështetjeje, reflektimi e identifikimi me Shkodrën, kryeqytetin e moçëm kulturor të shqiptarëve”. Fjala e tij (S. Hamitit) është peng i mjaf tueshëm sigurie.

Në kartën e tij të identitetit janë shënuar ngjarjet më të mëdha të kulturës dhe lirisë së Kosovës. Me gjykimin e drejtpërdrejtë, të cilin s’e përdredh kurrë përtej buzëvarjeve që shkakton “duke e riparë dramën letrare të Fishtës si interpret të shpirtit shqiptar, në shkalloren dramatike e absurde të kulturës shqiptare” ndërton sprovën e guximshme bazuar mbi dijet e veta të shumta, në udhëtimin uliksian në të gjitha caqet e albanizmave, në krejt trajektoren kulturore e historike të kombit shqiptar, atë të vendosjes së Gjergj Fishtës si hero kulturor për krah Gjergj Kastriotit, Hero Kombëtar.

Me një libër të ri, fryt i një pune mbi tridhjetëvjeçare, botim i së përkohshmes “Hylli i Dritës”, me titull të skalitur në një emër të vetëm “At Gjergj Fishta”, Sabri Hamiti emancipon mentalitetin tonë e ngre “rrasat e varrit”, produkt gjykimesh ideologjike e krahinore. Sabri Hamiti ka trajtuar në tekstin e tij çdo vepër, gjini e sjellje të Fishtës në vektorin mes së përkohshmes dhe së përjetshmes, duke gjetur nëpërmjet kësaj analize prijësin shpirtëror e kulturor të një kombi që kërkon kufij e vetëdije për t’i mbrojtur, që kur gjen shtetin s’i ka gati nënshtetasit, që ka gjuhën, por ende shkrimin e kodifikuar, që dakordëson alfabetin, por nuk di të prezantojë kulturën e vet.

Si askush tjetër ka përcaktuar se çfarë është “vepra më e mirë e një autori, e cila përqendron thelbin e veprave të tjera letrare të tij, vepra që përfaqëson llojin letrar brenda një epoke apo një letërsie, vepra që bëhet përfaqësuese e një epoke letrare, vepra me një përkryerje strukturore; në nivel të temës, të shprehjes, të domethënies, madje të moralitetit, vepra që u qëndron epokave të një letërsie, vepra që bëhet e krahasueshme me kryevepra të letërsive të tjera përgjithësisht, apo të një qarku kulturor e letrar”.

Sabri Hamiti e përkufizon “kryeveprën letrare si nocion të pakapërcyeshëm, jo vetëm në vlerësimet individuale të letërsisë, por veçanërisht në lojën e kodifikimit kombëtar e përtejkombëtar të saj, duke nominuar një vlerë, e cila bëhet masë e vlerësimit, kategorizimit dhe e sistematizimit të letërsisë”.

Kjo është “Lahuta e Malcisë”, si shtyllë qendrore e letërsisë shqiptare. Për t’u ngjitur në këto përfundime, rruga kalon nga “historia e autorit”, “amëza e ligjërimit”, “heroika”, “heroina Tringa”, “Kryevepra/heroi” e shumë të tjera kapërcyelle nga ku shihen heronjtë e epopesë, malësori Gjetë Gega si njësi bazë e saj, si amzë e rezistencës kombëtare. Po kaq lirika, dramatika, tragjedia, satira rimerren nga dora e mjeshtrit të studimit, duke zbuluar qëllimin sepse “klasikët nacionalë lexohen në kohë të vështira.

Kohët përsëriten, i ngjajnë njëra-tjetrës, pa marrë parasysh rrethanat, edhe klasikët në veprat e veta shfaqin veti themelore të nacionit, situata karakterizuese që nuk i takojnë vetëm një kohë. Idetë themelore të tyre riprovohen në vazhdimësi, qofshin ato lavde apo kritikë për kombin”. “At Gjergj Fishta” i Sabri Hamitit është një libër eshtor, i vështirë për ta prezantuar, tekanjoz e nopran në sqimën e tij.

Por më shumë se për të bërë këtë, tentuam të merrnim kënaqësinë e të qenit lajmës. E nisëm fillimin me një krahasim, të cilin nuk e shtjelluam: pse Hamiti vë për krah Heroit Kombëtar Kastrioti, atë të heroit kulturor Fishta?

E bëmë deri-diku me qëllim, të pasigurt nëse do t’ia dilnim si autori për ta thënë me pak fjalë atë që ai ka bërë me një libër, por edhe për t’i dhënë mundësinë lexuesit që atë kënaqësi e surprizë ta kërkojë e gjejë vetë në këtë 80-vjetor të vdekjes së Poetit Kombëtar. Jo vetëm këtë, por edhe zbërthimin e tezës se kush “mohon Fishtën mohon Shqipërinë” aty e ka, madje edhe sekretin e përzgjedhjes si subjekt veprash të kryera si kjo të “mësuesit” Fishta apo të “nxënësit” At Zef Pllumi.

Katolikët duhet t’i jenë mirënjohës Sabri Hamitit, i cili nuk la askund njolla përmbi zhgunat e “etërve të kishës” nga Pjetër Bogdani te Fishta e Pllumi që bastardët dhe kasnecët, të cilët për “erz kanë barkun” hollën e vijojnë ta bëjnë, por shumë më tepër se ata e shumë më të tepërt në numër brezat e nesërm të lexuesve të paindoktrinuar nga batakçillëku i dogmave dhe nga dogmat e batakçinjve të mejhaneve e akçihaneve shqiptare. Ky libër është një falënderim i përshpirtshëm, që Kosova i bën Padër Gjergjit me zërin më të spikatur të bashkëkohësisë së saj, të Sabri Hamitit.

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori