LAJMI I FUNDIT:

Arkitektura hermafrodite

Arkitektura hermafrodite

Na ishte njëherë një Pallat i Shtypit. Ishte i lartë, i fortë, i punuar me “natyrë” betoni. Dukjen e kishte me kanelura, kurse forma drejtkëndëshe reflektonte tektonikën arkaike të arkitekturës klasike të këtij nënqielli.

Ishte hijerëndë. Arkitektura i buronte në lashtësitë tona, kalonte nëpër periudhën e ndërtimit të kullave dhe vinte deri në ditët tona – si objekt i fortë, i qëndrueshëm e bashkëkohor, me një potencë mashkullore çfarë ishin kullat tona dhe historitë rreth tyre.

Në aspektin strukturor, ishte objekt i qëndrueshëm, tërësisht i realizuar nga betonarmeja, kurse pamjen e kishte në harmoni me materialin me të cilin ishte punuar dhe me funksionin që kryente.


Dukja e tij pak e zymtë, ishte lehtësuar me shtyllëza të bardha në mes të modujve konstruktiv, që ishin reminishencë e së bardhës, e gëlqeres që ne sot e kësaj dite e vendosim përreth dritareve. Ato njëkohësisht shërbenin edhe si mbrojtje nga dielli, meqë ishin të futura në thellësi të perimetrit të objektit. Funksionalisht e fragmentonin dritaren në shirita të ngushtë, që kishin për qëllim arritjen e efektit psikologjik në brendi të objektit. Ato lejonin depërtimin e dritës, lejonin pamjen jashtë të dozuar në sekuenca të domosdoshme për njeriun e punës, por nuk lejonin mundësinë e “kullotjes” së syve në gjithëkahnajë. E fokusonin shikimin në tavolinën e punës ku duhej të “ktheheshe”, meqë dritaret ta impononin një gjë të tillë.

Ai objekt ishte “kulla” e fjalës së shkruar shqipe. Aty botoheshin librat për shkollat fillore, të mesme dhe ato universitare; botoheshin periodikët e ndryshëm kulturor e mbi të gjitha përgatitej dhe shtypej gazeta e përditshme “Rilindja”. Kjo gazetë në përvjetorin e vet të 40-të pat nxjerrë në publik numrin festiv në tirazh prej 500 mijë kopjeve (s`di sa kohë do të lypet që të gjitha gazetat e përditshme që dalin sot, që së bashka ta arrijnë këtë shifër).

Sot ai objekt është ridestinuar në objekt qeveritar. Riprojektimi u bë pa asnjë debat, pa asnjë diskutim rreth mënyrës, konceptit, pamjes së re eventuale të kryeqytetit tonë. E gjitha u bë sikur kjo të ndodhte diku në një vend që nuk ka fare të bëjë me ne. U bë si në një vend ku nuk ekziston faktorit të mbamendjes individuale e grupore.

Sot mund ta shohim si dukët. Duket si një burrë i veshur me fustan. Si një qenie që i ka të dy gjinitë. Mashkulloren brenda dhe femëroren jashtë. Objekt hermafrodit. Epo, mirë, çfarë ka të keqe hermafroditizmin? Hermafroditët janë qenie të vetëmjaftueshme në aspektin emocional. Bile thuhet – sipas legjendës së vjetër – se hermafroditëve zotat ua patën smirën dhe urdhëruan që të ndaheshin, veç burri e veç gruaja. Por, ja që ai urdhër, edhe pse i dhënë nga zotat, nuk u zbatua me përpikëri. Edhe sot kjo dukuri gjendet në natyrë te qeniet e gjalla, mirëpo ato e mbajnë me vete mallkimin e perëndive. Llojit që iu ndalua të jenë hermafroditë, kurrizorëve, ua hoqi mundësinë të jenë të vetëmjaftueshëm. Këtë mundësi ua la pakurrizorëve. Butakëve!

Çfarë arkitekture po kultivojmë? Të vetëmjaftueshme, me mundësi të shumimit? Apo tjetrën? Duke pasë parasysh trajtimin e objekteve, të riprojektuara apo të projektuara rishtas, që të gjithat e kanë një frymë: të njëtrajtshme, pa potencë shprehëse estetike, maskuese, zhbërëse dhe si të tilla jofrymëzuese për gjeneratat e së ardhmes.

Çka na duhen objektet e tilla, që veç për mbrojtje nga ndikimet atmosferike nuk ofrojnë gjë tjetër? Çka na duhen objektet që pamjen e jashtme e kanë si kurtizanet, kurse brendinë plotë me “elemente” arkitektonike, hollësi strukturore, funksionale, që janë si rraçet në çantën e tyre? Çfarë porosie po ua dërgojmë fëmijëve tanë? Çfarë rruge po trasojmë për të ardhmen e qytetit. Ku e kemi vënë shigjetën e kaheve tona? A mund të identifikohet ajo? Jo!

“Përjetësinë e fitojnë njerëzit që i respektojnë prindërit e vet”, thotë një fjalë e urtë (prindërit në kuptimin e ngushtë të fjalës dhe në atë të përgjithshëm). Nëse s’duam t’i respektojmë, të tregojmë së paku një mirësjellje. Mos t’i fyejmë, siç po bëjmë sot. Si shenjë mirësjelljeje, do të mundnim së paku që reklamën e dikurshme ta ripunojmë që të ndriçojë; që të këtë një pozitë të respektueshme, si simbol së paku. Mos ta lëmë ashtu të katandisur, të shpërfillur e të strukur nën reklamën e njëfarë kafeneje. Mos ta lemë si relike në mëshirën e kohës. Lë të dihet e kemi lënë aty, sepse duhet të jetë aty; apo thjeshtë ka mbetur aty e nuk i hynë kujt në punë – është apo s`është?!

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori