LAJMI I FUNDIT:

Disa qytete pa energji elektrike, reagon kryeministri Haradinaj

Disa qytete pa energji elektrike, reagon kryeministri Haradinaj

Ndonëse kanë mbetur edhe pak orë të ndërrimit të motmoteve disa vende në Kosovë janë duke kaluar momentet festive pa energji elektrike – nën dritën e qiriut. Lidhur me këtë ka reaguar kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me KEDS-in në lidhje me furnizimin me energji elektrike.

“Ne kemi pranuar njoftimet për probleme të vogla për shkak të mbingarkesës në Malishevë, Mushtisht, Klinë dhe Fushë Kosovë. Këto janë duke u trajtuar”.


“Problemet me energji në Matiqan tashmë janë rregulluar. Jemi në koordinim dhe në mbikëqyrje të vazhdueshme për të gjitha rastet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Qytetet që deri tani kanë probleme me energji elektrike janë Prizreni, Ferizaj, Suhareka dhe Fushë Kosova.

Zëdhënësi për media nga KEDS, Viktor Buzhala, ka thënë për Gazetën Express se ekipet e tyre janë duke punuar në zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Në disa zona, veçanërisht në Fushë Kosovë dhe Malishevë janë duke u paraqitur mbingarkesa ekstreme, ku po djegën në vazhdimësi siguresat”.

“Ekipet e KEDS-it duke i zëvendësuar ato, por ka raste që po djegën të njëjtat nga dy e tri herë. Në këtë situatë apelojmë që të ketë kursim maksimal, sidomos në ato zona, duke përfshirë edhe një pjesë të Prizrenit, Suharekës dhe qytetin e Ferizajit”.

“KEDS nga ora 15:00 ka në dispozicion 430 punëtorë, sikurse 120 tjerë rezervë që të intervenojnë në secilën situatë. Por, kursimi i energjisë elektrike do t’ua lehtësonte shumë punën edhe atyre”.

“Qendra e Thirrjes vazhdon të jetë në dispozicionin tuaj për të na njoftuar për çdo kërkesë tuajën”, ka thënë Buzhala. /Telegrafi/