LAJMI I FUNDIT:

Meta viziton familjen Abazi në Gjilan: Ndjenja e solidaritetit po e lehtëson dhimbjen e çdo qytetari

Meta viziton familjen Abazi në Gjilan: Ndjenja e solidaritetit po e lehtëson dhimbjen e çdo qytetari

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj dhe kreun e komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë ditës kanë bërë një vizitë ngushëlluese familjes Abazi, që humbi dy djemtë e saj në tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri.

Nga Livoçi i Gjilanit, presidenti Meta tha se ndjenja e solidaritetit dhe raportet vëllazërore që po ekziston mes dy vendeve po lehtëson dhimbjen e çdo qytetari në Shqipëri, por edhe të familjes Abazi.


“Nuk mund të mos vija sot në Gjilan për të ndarë dhimbjen me familjen Abazi për humbjen e dy njerëzve mjaft të dashur, që është një humbje e pazëvendësueshme, e cila ishte pjesë e gjithë atyre humbjeve të njerëzve që pësuan në tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri. Besoj që me këtë ndjenjë të solidaritetit që ekziston mes dy vendeve tona, që është një ndjenjë tepër vëllazërore dhe njerëzore, dhimbja do të jetë më e lehtë. Kjo familje do të ketë mundësi për të përballuar atë me mbështetjen e të gjithë neve në mënyrë që edhe ata fëmijë që kanë humbur prindërit e tyre të ketë mbështetjen për një të ardhme më të mirë” , tha Meta.

Meta gjatë ditës po ashtu ka ndarë dekorata për trupat e FSK-së që i dolën në ndihmë shtetit shqiptar gjatë tërmetit që ndodhi javën e kaluar. /Telegrafi/